Derisa po lexoja një artikull në të përditshmen gjermane Der Tagesspiegel, në mendje, menjëherë, më erdhi situata e Kosovës sonë të robëruar nga ngërçi politik dhe udhëheqësit milionerë, të cilët përveç interesave të veta nuk njohin dhe nuk shohin asgjë tjetër më sy. Ky artikull në mënyrë koincidence ndërlidhej edhe me spektaklin e arrestimeve në Kosovë dhe vazhdimin e paraburgimit, pa fakte, të disa të dyshuarve për “terrorizëm” nga Qeveria në ikje e cila, duke qenë në ikje, realisht nuk e ka legjitimitetin e popullit për të shitur pallavra në emër të tij, vetëm e vetëm që të rrisë çmimin e vet në pazaret e saja politike.
Pas djegies së katër xhamive nëpër qytete të ndryshme të Gjermanisë, e fundit prej tyre Xhamia Mevlana në qytetin Kreuzberg e cila u sulmua një javë më parë, autori Armin Langer, me origjinë çifute, për Der Tagesspiegel shkruante: “Pavarësisht sa është i përhapur antisemitizmi në Evropë, hebrenjtë nuk janë më objektivi kryesor i diskriminimit dhe urrejtjes”. Sipas tij, tashmë myslimanët janë shumë më të pafavorizuar, ndërsa një komentues rasti shprehej se hebrenjtë do të duhej të tregojnë solidaritet me myslimanët në Evropë.
Langer, në artikullin e tij vinte në spikamë propagandën e mediave kundër myslimanëve që dikur në po të njëjtën shkallë dhe me të njëjtën metodologji ishte përdorur kundër vet hebrenjve në Evropë.
“Akoma shpesh dëgjojmë se një çifut nuk mund të qëndrojë pranë një xhamie e lëre më të jetojë në një lagje ku jetojnë myslimanët. Zona në Neukölln të Berlinit u shpall si ‘Zonë e Ndaluar (No-Go-Zone)’ edhe pse unë me kënaqësi jetoj aty që një vit e sipër. Myslimanët dhe emigrantët përbëjnë kërcënim fizik, këtë mund ta lexosh pa ndalë në forumet e internetit, por mund ta dëgjosh edhe në raportet televizive”, pohon autori.
Për më tepër, Langer vë në pikëpyetje se çifutët duhet të kenë frikë edhe në vitin 2014. Ai potencon se hebrenjtë nuk janë më objektivi kryesor i diskriminimit dhe urrejtjes, ata nuk janë më të dobët, se vendin e tyre e kanë zënë tashmë myslimanët.
Në lidhje me këtë pohim të tij, autori sjellë një mori faktesh blic të cilat ndodhin para syve të botës demokratike pothuajse çdo ditë. Ai nxjerrë në pah se në shumë vende evropiane myslimanëve nuk u lejohet t’i varrosin të vdekurit në përputhje me ritet e tyre islame. Myezini nuk mund të thërras me zë besimtarët për lutjet e së premtes. Komunitetet myslimane janë të përjashtuara nga përfitimet prej taksave fetare pasi që organizmi i tyre fetarë nuk është i rregulluar se duhet nga shteti.
Myslimanët nuk kanë përfaqësues në bordet e mjeteve të transmetimit dhe mediave. Megjithatë, këtu nuk janë përfshirë diskriminimet e përditshme.
“Me pak fjalë, në Gjermani p.sh. unë gëzoj më shumë të drejta sesa miqtë e mi myslimanë. Megjithatë, unë, si çifut, akoma konsiderohem si viktimë”, konsideron autori.
“Ne i njohim mjaft mirë këto mangësi dhe disavantazhe me të cilat ballafaqohen myslimanët sot. Dikur neve na u dashtë të luftonim për tu njohur të drejtat tona, shumë, ndonjëherë të gjithë ishin kundër nesh, madje një herë jeta jonë në Evropë u rrezikua tërësisht. Urrejtja ndaj hebrenjve u rrit më të madhe dhe më në fund shkatërrimi ynë ishte planifikuar politikisht. Por, për fat të mirë, të gjithë evropianët mësuan nga historia. Megjithatë, unë mund ta kuptoj zemërimin e myslimanëve. Gjersa ne, si çifutë, nuk përballemi me ndonjë Holokaust të ‘ri’, vrasjet dhe ekzekutimet nuk shikohen njësoj në raport me turqit dhe myslimanët në Evropë. Për shkak se nëse vdes p.sh. një turk, dhe vrasjen e ka kryer dikush nga komuniteti i tij, atëherë sheh se si gazetarët, politikanët, zyrtarët e inteligjencës dhe policisë, ndërkohë, heqin dorë pasi që ‘vrasësi që bënë dynera’ është vetëm një nga komuniteti i të vrarit. Pra, si shkurt, ‘Mehmeti’ në njëfarë forme është kriminel, por ja që ai është i ‘tyre’ e jo i joni”, përfundon Langer.
Duke pasur në konsideratë këtë përshkrim kaq objektiv të diskriminimeve dhe islamofobisë, nga autori në fjalë, do të dëshiroja shumë sikur mediat tona të ishin vetëm pak më profesionale e të mos vërsulën në mënyrë fashiste vetëm kundër myslimanëve duke nxjerrë me pincë çdo veprim negativ të tyre kudo që ndodhë në botë. Ndërsa, kur myslimanët janë viktimë sheh se mediat tona heshtin sikur të mos ketë ndodhur asgjë e keqe apo sikur këta të fundit të mos jenë pjesëtarë të këtij globi. Të paktën le të marrin mësim nga gazetarë e kolumnistë, si autori i sipërcituar, pavarësisht besimit apo nacionalitetit të tij.
Gjersa po flasim për antisemitizmin dhe islamofobinë, të dyja këto dukuri janë të dënuara njësoj nga konventat ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut. Me këtë rast do të shtoja edhe atë se myslimanët në botën bashkëkohore janë të diskriminuar edhe më shumë nga vetvetja, respektivisht nga mashtruesit politikë gjithandej vendeve ku myslimanët jetojnë. Në vendet tona, ku demokracia është gëzof që ndërrohet sipas motit, qytetarët besimtarë nderohen dhe respektohen vetëm në kohë fushate, pra vetëm sa tu vilen votat. Më pastaj ata janë të pavlerë, kategori e dorës së dytë dhe “rrezik potencial” për vendin e tyre të cilin e ndërtuan me mund dhe djersë balli.
Përderisa kohëve të fundit në Kosovë po kthehen mbetjet mortore nga Serbia, civilë të pafajshëm të cilët përveçse u prenë e u masakruan para syve të fëmijëve të tyre, trupat e tyre në mënyrë holokaustiane u shpërndanë nëpër toka të Serbisë për të humbur gjurmë. Megjithatë, qeveritë tona këtu e pesëmbëdhjetë vjet i patën futur veshët në lesh. Përderisa qytetarët tanë vriten përditë përgjatë kufirit me Serbi, pa ndonjë shkas, kukullat tona politike mundohen t’i bëjnë botës sehir se kinse ne po u rrezikuakemi nga vetvetja.
Kështu ata po tentojnë të ndërtojnë një gogol shqiptar për t’u munduar të fshehin veprimtarinë e tyre të korruptuar e të krimbur antishqiptare dhe lugatin e vërtetë të shqiptarëve për qindra vjet. Sa bukur e ka përshkruar populli një gjendje të këtillë kur në zhargonin e vet ka thënë: “nuk kanë faj sytë kur mendja nuk shikon”.