Duke qenë e injoruar nga Amerika e BE-ja, Turqia po lidhet me Rusinë dhe Iranin

Duke qenë e injoruar nga Amerika e BE-ja, Turqia po lidhet me Rusinë dhe Iranin

Përpjekjet e një segmenti të ushtrisë turke për grusht-shtet kundër Qeverisë, më 15 korrik 2016, duket se kanë qenë vendimtare për ndërrimin e kursit politik të Ankarasë zyrtare. Pak kush në botë mund ta ketë pritur një reagim aq dyshues e  të mefshtë të botës në Perëndim, me rastin e përpjekjeve për grusht shtet në Turqi, që doli të ishte projektuar në bashkëveprim me forcat brenda dhe jashtë Shtetit. Mungesa e reagimit diplomatik, kundër ndërrimit të pushtetit me dhunë, që është alfa e të ashtuquajturës demokraci perëndimore, u mbulua gjoja me dhunën dhe represionin që ndërmori Qeveria e Turqisë kundër kundërshtarëve politikë, sidomos nga radhët e ushtrisë,  të cilët ekzekutuan me armë zjarri popullatën, që po protestonte kundër përpjekjeve për të vendosur një regjim ushtarak, i cili bombardoi  edhe Parlamentin e Turqisë. Ky qëndrim nuk ishte  hiç më pak se një hipokrizi e tejdukshme, sidomos për diplomacinë qoftë edhe të deklamuar qoftë edhe verbalist.

Përpjekjet për grusht shtet i dënuan njëzëri të gjitha forcat politike në Turqi madje edhe ato  opozitare, që kanë qenë  ndër më të zëshmet kundër Erdoganit. Edhe ky fakt nuk e bindi perëndimin se e drejta për ta ruajtur rendin demokratik nuk duhet  të jetë selektive, sepse nëse do të ishte e tillë, ajo nuk kishte të bënte asgjë me demokracinë e proklamuar. E ndodhur përballë injorimit që i bëri Amerika dhe shtetet e BE-së, është krejt e natyrshme që një shtet si është Turqia, aktualisht ndër më të fuqishmit në botë, të gjejë rrugën e vetë me qëllim të mbijetesës dhe ruajtjes së rendit demokratik.

Nga injorimi që i bënë Turqisë me rastin e grusht-shtetit, Amerika dhe BE-ja, Ankaraja zyrtare duket se tani, një muaj pas grusht shtetit të pasuksesshëm, po e ndërron kursin politik duke u mbështetur në dy fqinjët rivalë, edhe pse kundërshtarë dhe “armiq historikë”. Pikërisht për këtë qëllim, kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Ergodan ka vizituar Kremlinin dhe është pritur “miqësisht” nga kryetari i Rusisë, Vladimir Putin. Edhe Irani ka treguar mirëkuptim për Qeverinë e Turqisë dhe është ndër shtetet e para që ka dënuar përpjekjen për grusht-shtet, më 15 korrik 2016. Me qëllim për të treguar mirëkuptim e ndihmë, pritet ta vizitojë Ankaranë, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Muhamed Xhavad Zarif, i cili do të takohet dhe do të bisedojë me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu e më pastaj edhe me kryetarin, Erdogan. Kjo llogaritet si njëra ndër vizitat më të rëndësishme në rajon me qëllim të shtensionimit të situatës në mes dyja shteteve, sidomos sa i përket Sirisë.  Bashkimi eventual i politikave të tri shteteve më të fuqishme të rajonit sikur janë: Rusia, Turqia dhe Irani do të ndërronte kahen historike në botën e sotme të rivaliteteve, Perëndim-Lindje, kur dihet se Irani dhe Turqia janë dy shtete lidere të botës arabe dhe islame përgjithësisht, ndërsa Rusia shteti më i fortë në botë pas Amerikës. Kjo formulë, në dukje të parë shihet si e paqëndrueshme, por kur janë në pyetje aleancat me interes reciprok,  historia e së kaluarës na bën me dije se ato kanë ndodhur edhe atje ku janë dukur krejtësisht të pabesueshme, sikur ka qenë aleanca e Stalinit me Hitlerin.

Turqia, me këtë rast është gjendur në pozitë shumë të vështirë, për shkak se nuk kishte pritur reagimin dyshues dhe injorues të perëndimit, për të cilin kishte dhënë aq shumë kontribut, sidomos me praninë e saj tejet të fuqishme në NATO, por edhe në partneritet që është konsideruar i shkëlqyeshëm me Amerikën, Anglinë e Gjermaninë.

Turqia për hir të partneritetit besnik me Amerikën, ka lejuar, thënë ndryshe ka qenë e detyruar të lejojë, që oficerët amerikanë t’i stërvisin dhe t’i mbështesin ushtarakisht forcat separatiste kurde, të cilat Ankaraja zyrtare i cilëson forca terroriste dhe i lufton ato.

Lidhjet reja të mirëbesimit, të mbështetura në radhë të parë në interesin reciprok të Turqisë me Rusinë dhe Irakun, hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e këtyre vendeve në rirreshtimin e forcave politike e ushtarake të botës. Një pakt i mundshëm mes këtyre tri shteteve, sado të duket i panatyrshëm dhe i paqëndrueshëm do ta ndante edhe më keq botën në Lindje dhe në Perëndim dhe padyshim se  tërë kjo  do shprehej edhe me një ndikim të paparashikueshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë qenë dhe po mbesin një tampon zonë mes Lindjes e Perëndimit, nga shekulli në shekull.

Aleanca e mundshme, Rusi-Iran-Turqi, në shtetet e Ballkanit do të reflektohet  me dominimin  rus, meqë popujt e krishterë në këtë zonë, numerikisht janë në favor të Kremlinit dhe botës sllave e ortodokse greke.  Politikanët shqiptarë të përcaktuar dhe të përbetuar për ditë për BE-në dhe perëndimin, një ditë mund të mbesin krejtësisht të vetmuar e të zhgënjyer, ashtu sikur kishte mbetur Shqipëria e Enver Hoxhës e zhgënjyer në Kremlinin dhe Pekinin, dikur qendra të botës marksiste, të cilave u kishte besuar aq fort.  Në cilindo rirreshtim të ri të forcave kundërshtare botërore në Ballkan, pozita e pazgjidhur e shqiptarëve do të mbetet pre e  orekseve hegjemoniste të Serbisë dhe Greqisë për uzurpimin e  trojeve tona.

Përkrahja e hapur që Amerika dhe BE-ja po i bëjnë shtrirjes së Malit të Zi mbi tokat shqiptare, duke i marrë Kosovës edhe 8.000 hektarë tokë, pastaj krijimin e një Republike serbe në Veri të vendit tonë, na kthen në kujtesë, Paqen e Shën Stefanit të vitit 1877, Kongresin e Berlinit të vitit 1878, Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, Konferencën e Versajës, më 1918 dhe të gjitha konferencat e tjera, të cilat kanë marrë vendime të njëpasnjëshme  në dëm të popullit shqiptar dhe trojeve etnike e historike të tij. Fati i popujve të vegjël e të copëtuar, sikur jemi ne në vendet dhe shtetet e Ballkanit, nuk varet nga vullneti dhe e drejta jonë historike e etnike, ai para së gjithash varet nga parashikimi realist i aleancave të fuqishme botërore dhe krijimi i forcës kombëtare, sikur në kohën e Skënderbeut, të Isamil Qemalit dhe Adem Jasharit.  (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …