Durim Abdullahu: Për 10 dilemat e Irfan Salihut

Mediatizimi i dy videoinçizimeve të publikuara në internet para dy vitesh, i ka riaktualizuar pyetjet aq të përsëritura mbi pozitën e shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Pamjet e tyre, tregojnë dy ligjërata fetare (hytbe) të mbajtura nga Irfan Salihu, (ish)imam i xhamisë “Suzi Çelebiu” në Prizren. Në këto ligjërata, me një shqipe të parrjedhshme dhe plot barbarizma, kleriku Salihu kritikon shqiptarët me pikëpamje ateiste, për fajësimin e periudhës osmane si dekadente dhe fajtore për prapambetjen e shqiptarëve. Ai bën thirrje për t’iu kthyer historisë për një lexim më të drejtë të saj, duke pretenduar se shumë nga ato që rëndom thuhen në publik për osmanët, janë të gabuara. Kështu, duke shfrytëzuar pozitën e tij prej kleriku (rregullat islame ua ndalojnë besimtarëve të flasin gjatë hytbe-s) si dhe me shumë gjasë injorancën e bashkësisë së tij fetare (xhematit), ai ngrit një sërë pyetjesh dhe dilemash në përpjekje për të treguar – siç thotë ai, – manipulimin e historisë. Përmes disa pohimesh të amullta dhe faktesh të cekëta historike, Salihu sikur përpiqet të sfidojë guximin e historianëve për pretendimet e tij, të cilat kanë hapur një debat publik kryesisht të qendërzuar rreth historisë së Kosovës në mesjetë. Më poshtë janë artikuluar 10 pyetje apo dilema të perifrazuara, nxjerrë nga ligjeratat e tij, dhe të përcjellura me 10 sqarime faktografike nga historiografia.

 

I. Salihu: “Statistikat e vitit 1455, tregojnë që këtu kanë qenë 1% shqiptarë.“

Pas pushtimit të plotë të Kosovës më 1455, ajo u organizua brenda një njësie territoriale administrative me emrin Vilajeti Vëllk, sipas emrit të sunduesit pararendës Vuk Brankoviqit. Defteri i këtij vilajeti i vitit 1455, përfshin nahitë: Kllopotnik, Moravë, Tërgovishtë, Dollc, Llab, Vuçiterrnë dhe Prishtinë, me gjithsej 646 fshatra.(H.Hadibegic). Ky defter është një regjistër i popullsisë dhe i pronave e ekonomive, në të cilin historianët që janë marrur me të, kanë evidentuar dëshmi toponomastike, antroponimike dhe patronimike të prezencës shqiptare diku nga 35% deri në 40% popullsisë së përgjithshme, numri i së cilës llogaritet të ketë qenë rreth 400.000 njerëz. (M.Tërrnava) Një dëshmi e tjetër e pranisë së shqiptarëve në këtë kohë në Kosovë, është edhe spiuni dhe pelegrini francez nga Burgundia, Bertrandon de la Broquière, i cili kaloi nëpër Kosovë më 1433, e i cili në veprën e tij “ Le voyage d’outremer“ shkruan: „Ka, siç kam thënë edhe më parë, shumë të krishterë që i shërbejnë turkut me dhunë, si grekër, bullgarë, maqedonë, shqiptarë, eskllavonë, rasianë dhe serbë që janë të nënshtruarit e despotit të Rashkës.“

 

I. Salihu: “Janë çuar disa ateistë që i thonë vetes intelektualë, dhe thojnë që osmanlia na ka faj që ne sot jemi kështu…e shajnë atë mysliman që ju ka dhënë me hektarë tokë edhe i ka sjellur të jetojnë në Kosovë…dhe i ka bërë sundimtarë të Ballkanit. Shqiptarët kanë sunduar Ballkanin në kohën e osmanlinjëve.“

 

‘Intelektuali ateist‘ nuk është një farsë. Ai është njëri ndër 6 llojet e ateistëve (A.Brown) dhe tashmë është pjesë e shoqërisë shqiptare. Përdorimi i fjalës turke “osmanli/a“ në vend të fjalës shqipe “osmanët“, është fare i pajustifikueshëm. Autoritetet osmane nuk iu dhanë shqiptarëve hektarë tokë. Përkundrazi, me të pushtuar territoret shqiptare, pothuajse e tërë toka u shpall pronë shtetërore (arz-i-miri) me pronar suprem sulltanin, i cili me dekrete të veçanta ua shpërndante tokën në zotërim të kushtëzuar pjesëtarëve të klasave sunduese në formë të haseve, zeameteve dhe timareve (F.Duka). Ardhja e shqiptarëve të veriut drejt Kosovës, rreth Leskovakut (Leskovcit) dhe Nishit (E.Vlora), nuk ishte e organizuar nga osmanët, dhe po ashtu nuk ishte një dyndje, por një ripopullim apo një rikthim në një territor të braktisur vite më herët, për shkak të shtypjes sllave. E këtë e dëshmon fare mirë fisi i kabashëve që jetonin në viset e Nishit, prej nga u zbuan në Shqipërinë veriore, ashtu siç pati lëvizje në formë shpërnguljesh nga Rrafshi i Dukagjinit dhe Bosnja në drejtim të veriut të Shqipërisë veriore (E.Durham). Shqiptarët nuk e kanë sunduar Ballkanin, aq më tepër që jo i tërë gadishulli ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane gjatë gjithë kohës. Në Perandorinë Osmane pozitat shtetërore mund të mbaheshin vetëm nga myslimanët, dhe fakti që nga popujt ballkanik boshnjakët dhe shqiptarët u islamizuan më së shumti, kjo bëri që para se gjithash, ata të përbënin pjesën më të madhe të ushtrisë osmane në Rumeli. Por shqiptarët, nuk kanë qenë aspak më të privilegjuar se të tjerët. Në Ballkan kanë mbajtur pozita publike (ushtarake apo civile), çdo shtetas osman, ballkanas apo jo, që ka qenë mysliman dhe ka ndjekur linjat e politikës osmane. ashtu siç dëshmon Geroge Finlay, për një kohë të gjatë, rekrutët më të shumtë në radhët e jeniçerëve ishin sllavë nga Bosnja, disa prej të cilëve u ngritën në majat drejtuese të Perandorisë Osmane.

 

I. Salihu: “E shajnë sulltanin (Murati I), që e ka shpëtuar këtë popull, kështu e konsiderojmë ne myslimanët e këtij vendi.“


Sulltan Murati I nuk i ka shpëtuar shqiptarët në asnjë skenar eventual. Ky nuk ishte qëllimi i tij dhe aq më pak mundësia e tij. Nëse shumica e shqiptarëve i kanë shpëtuar asimilimit sllav (bullgaro-serb) gjatë mesjetës, kjo është para se gjithash rezultat i vitalitetit të këtij populli e traditës së tij paraprake politike, koketimit politik me dinastitë shqiptare dhe një sërë zhvillimesh historike që herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në myrë të tërthortë, kanë prodhuar efekte që i kanë kontribuar këtij “shpëtimi”. Konfiguracioni politik në shek. XIV-XV në Ballkan ishte e tillë që përbëhej nga entitete feudale, shpesh efemere, të cilat nuk ishin në gjendje të asimilonin subjektet vartëse. Ortodoksizmi jo gjithëherë mund të përkthehet në serbizim strictu sensu për shkak se zotër shqiptarë megjithëse pjesë e mileut ortodoks, prapëseprapë shqiteshin nga pjesa tjetër, duke i njohur si subjekt i përveçëm. Në manastirin e Hilandarit në Athos, kushtimi i Gjon Kastriotit për ndërtimin e një aneksi në formë kulle ngjitur me manastirin në fjalë, njihet që nga ajo kohë si ‘Arbanaški pirg’, dëshmi kjo që pahëton se qenësimi brenda një orbite ortodokse nuk është shoqëruar a priori me asimilim apo humbje të veçansisë identitare shqiptare.  Kurse pohimi se “myslimanët e këtij vendi” e mbajnë për shpëtimtar sulltanin, nuk përputhet aspak me konsideratat që realisht shqiptarët kanë për të apo për cilindo nga sulltanët osmanë.

 

I. Salihu: “Përse kurrë pleqtë tanë, gjyshërit tanë, nuk kemi dëgjuar t’i shajnë osmanlinjtë? Gjithmonë librat që janë shkruar në kohën e komunizmit i kanë sharë (osmanët).“

Gjyshërit e shqiptarëve të sotëm, na kanë lënë në trashëgimi një mal me rrëfenja popullore dhe këngë folklorike, që në diskurset dhe tekstet e tyre shpalosin revoltë, refuzim e kundërshti ndaj osmanëve. Mjafton të kujtojmë këngët e nizamëve (“Zuna n’kajk”) apo ato për mospagimin e taksave (si taksa e Vergisë për tregjet te “Kënga e Boshnjakut”), për të kuptuar si përceptoheshin osmanët prej tyre. Kurse sa i përket librave të historiografisë shqiptare të shkruar në kohën e komunizmit, po të heqim terminologjinë (e detyruar) ideologjike nga ato tekste, shohim që historianët e asaj kohe që kanë shkruar për këtë periudhë, si Aleksandër Buda, Kasem Biçoku, Injac Zamputi, Kristo Frashëri, Selami Pulaha, Ferit Duka etj., jo vetëm që nuk kanë përdorur të shara, por kanë bërë një punë mjaft serioze dhe profesionale, e cila ende nuk është tejkaluar nga historiografia postkomuniste.

 

I. Salihu: “Më 1389 kur kanë ardhur osmanlinjtë, kanë luftuar kundër hungarezëve dhe Car Llazarit, serbëve. E kanë marrë prej serbëve.“

Osmanët nuk kanë ardhur më 1389. Luftimet e para fare të shqiptarëve me selxhukët e turkmenët, i kemi në kuadër të luftërave bizantine që më 1278 kundër Ymer beut nga Menteshja, dhe më 1282 kundër komandantëve të Sulltan Izedin Kjekavusit II, Ishak beut dhe Halil beut në Maqedoni. Kurse pushtimet e para të territoreve shqiptare nga osmanët, i kemi 1385 pas betejës së Savrës (afër fshatit Karbunarë), ku osmanët nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë, pasi ishin ftuar në ndihmë nga Karl Topia, mposhtën një ushtri të përbashkët të Balshës II, Zahariajve dhe Muzakajve. Kështu osmanët morën tërë Myzeqenë, Beratin dhe shkuan deri afër Durrësit. Po ashtu, nuk është e saktë që më 1389 osmanët luftuna vetëm kundër hungarezëve dhe serbëve, pasi që ata luftuan kundër një koalicionin të gjerë ballkanik në të cilin bënin pjesë edhe boshnjakët (nën mbretin Stefan Tvrtko I), si dhe shqiptarët. Kronisti osman Shukrullahu (1386-1459) shkruan se thirrjes së Llazarit iu përgjigjën shumë popuj, duke përfshirë edhe shqiptarët. Kurse bashkëkohësi i tij Oruç ben Adili, thotë se shumë ushtarë erdhën nga „vendi i shqiptarëve“ (Arnavud ilinden). Kronisti i shek.XV Mehmet Neshriu shkruan në veprën e tij „Cihan numa“ (Treguesi i botës) që në shtabin e koaliconit ballkanik, Gjergj II Balsha që kishte ardhur me 90 mijë ushtarë (shifër e fryrë prej tij) kundërshtoi idenë për një sulm të befasishëm gjatë natës. Po ashtu, Neshriu përmend edhe zotin e Pedhanës (krahina midis Lezhës e Milotit), Dhimitër Jonimën – të cilin ai e quan “Biri i Jundit“ (Jund-ogllu). Pjesëmarrja e shqiptarëve në Betejën e Kosovës dëshmohet edhe nga abati benediktin i Manastirit të Shën Andreas dhe Shën Jakobit në Vishnjicë, Alovsius Cervinus Tubero, i cili në veprën e tij „Commentariorum de rebus, que temporibus eius in illa Europae parte,..“ përmend si pjesëmarrës “dardanët, ilirët dhe maqedonasit“. Edhe një burim tjetër i mëvonshëm që mbështetet në dëshmi veneciane mbi betejën e vitit 1389, ndër pjesëmarrësit përmend shprehimisht edhe zotërit shqiptarë “e Signori d’Albania” (Alfonso Loschi, Compendi historici, 1669, f. 157). Kurse referimi ndaj Llazar Hrebeljanoviçit si “Car Llazar“ është i pasaktë, pasi ai nuk mbante titullin e “Carit“ (Perandorit), sepse ai ishte vetëm princ (në burimet e kohës cilësohet si ‘despot’, term bizantin që është i barasvlefshëm me princ).

 

I. Salihu: “Në atë kohë (1389), cila dinasti shqiptare ka qenë në Kosovë? Asnjë. Në jug të Kosovës kanë qenë Nemanjiçët: Car Dushan Nemanja…Në veri kanë qenë Brankoviçët, me qendër në Novobërdë”.


Car Dushan Nemanja ka vdekur më 1355, dhe shumë shpejtë pas kësaj mbretëria e tij u shpërbë. Në vitin 1389, kishte 34 vite që Dushan Nemanja kishte vdekur dhe rrjedhimisht Nemanjët – siç duhet t’i referohemi kësaj dinastie në shqip – nuk sundonin më në Kosovë. Kosova ishte kryesisht nën sundimin e Vuk Brankoviqit, përjashto një pjesë në veri-lindje që ishte nën Princ Llazar Hrebeljanoviçin, por kryeqendra e Brankoviqëve nuk ishte në Novobërdë por në Prishtinë. Vlen të kujtohet këtu periudha afatshkurter kur Balshajt kanë sunduar në pjesën më të madhe te Kosovës.

 

I.Salihu:“250 vjet serbët e patën pushtuar Kosovën. Me shekuj kemi ndenjur nën serbë. ”

 

Kosova nuk është pushtuar 250 vjet, por është sunduar apo ka qenë pjesë e zotërimeve të dinastive serbe Nemanja, Brankoviq dhe Llazareviq, për rreth 180 vjet, nga fundi i shek. XII e deri në fund të shek. XIV. Këto dinasti ishin pjesë e „Commonwealthit bizantin“ përkatësisht e botës kulturore bizantine jashtë kufijve të Bizantit (O.Schmitt). Ato kanë zotëruar edhe territore shumë më të gjera se Kosova si dhe jo gjithmonë kanë qenë të pavarura, pasi që në periudhat e mëvonshme, pranuan vasalitetin osman. Edhe në zenithin e zgjerimit serb që kulmoi me Stefan Uroshin IV, i njohur si Car Dushani, burimet e kohës qofshin ato të provenancës kishtare apo të tjera, përmendin shqiptarët. Vetë Zakoniku i Car Dushanit, një përmbledhje legjislative e huajtur edhe nga legjislacioni bizantin dhe ai shqiptar, përmend një element të ndjeshëm qartësisht jo-serb në Kosovë, ashtu siç përmenden sanksione të ashpra ndaj shqiptarëve dhe vllehëve.

 

I. Salihu: “…osmanlia është pritur njëjtë siç është pritur më 1999 KFOR-i, si çlirues i këtij vendi…dhe askush nuk thotë që kanë ardhur për të na çliruar prej serbëve.”


Ky krahasim transhistorik është një kapërcim abstrahues deri në kufinjë të nihilizmit. Ardhja e osmanëve në terrioret e ballkanasve nuk ka qenë e menjëhershme dhe aq më pak nuk ka ngjasuar me fushatën ushtarake të NATO-s në Kosovë. Ardhja dhe vendosja e pushtetit osman në territoret shqiptare ka qenë një proces i gjatë, jo i njëtrajtshëm, jo i vazhdueshëm dhe me rezultate jo të gjithmonë të qëndrueshme. Ky proces ka zgjatur për më shumë se një shekull: ai fillon me Betejën e Savrës më 1385 dhe përfundon me pushtimin e Durrësit më 1501. Territoret e banuara nga shqiptarët ishin pjesë e dinastive shqiptare, e dinastive serbe dhe e Venedikut, dhe rrjedhimisht osmanët nuk u pritën njësoj në të gjitha këto vende. Dhe ndonëse sundimi osman në territoret shqiptare që zotëroheshin nga dinastitë serbe ishte më i pranueshëm për shkak se kishte një natyrë më kozmopolite, kjo nuk do të thotë se shqiptarët e përjetuan si një çlirim pushtimin osman. Aq më tepër që ata nuk e dinin saktësisht si funksiononte sistemi i një autoriteti që ende nuk e kishin provuar, por për tmerret e të cilin kishin kohë që kishin dëgjuar. Dhe përfundimisht, është absurde të mendosh që në shekujt XIV e XV, ka pasur fushata ushtarake me motive humanitare e çliruese siç ka qenë ajo e NATO-s në Kosovë.

 

I. Salihu: “…përse në shek. XVIII shqiptarët e pranuan në mënyrë masovike islamin, kur në shek. XIV është pushtuar Kosova?”


Kosova nuk është pushtuar në shek. XIV. Pushtimi i Kosovës është përmbyllur më 1455, pra në mes të shek. XV. Kurse sa i përket islamizimit, shek. XVIII nuk është periudhë e masivizimit të islamizimit, por është koha kur islami ishte përhapur deri në atë masë, sa që u bë feja e shumicës te shqiptarët. Sa i përket Kosovës, ajo del të ketë qenë nga krahinat që më së hershmi është islamizuar. Që më 1487 në Vushtrri ekzistonte “bashkësia e myslimanëve”, dhe nga 107 shtëpi sa kishte qyteti 33 ishin islamizuar. Ndërsa nga 299 shtëpitë e Prishtinës, 51 ishin islamizuar ashtu siç kishin bërë edhe sosh në Pejë dhe 41 nga 164 në Tetovë.

 

I. Salihu:”…dhe asnjë argument shkencor nuk tregon që në trojet shqiptare ka pasur dhunë të karakterit fetar.”

 

Perandoria Osmane ishte një shtet teokratik dhe sidomos në mënyrë më të theksuar pas vitit 1517, kur osmanët pushtuan edhe Mekën e Medinën dhe kështu Sulltan Selimi i Ashpër u bë edhe Khalif – prijës i myslimanëve. Fushatat e vazhdueshme të osmanëve për pushtimin e tokave të reja, nuk kishin për qëllim (parësor) përhapjen e fesë islame, e megjithatë, ishte mesjetë, dhe feja ishte në qendër të identitetit, kështu që ushtria osmane marshonte me vargjet e Kur’an-it në gojë. Vërtetë autoritet osmane nuk kanë përdorur dhunë të organizuar shtetërore për ç’rrënjosjen e krishtërimit (Duka), pork jo nuk nënkupton që shqiptarët u islamizuan krejt natyrshëm dhe me vullnetin e tyre. Procesi i islamizimit të shqiptarëve nuk ka qenë i dhunshëm drejtpërdrejt, por ka qenë i imponueshëm. Arsyet e islamizimit të shqiptarëve kanë qenë të ndryshme ndër kohëra. Së pari u islamizua fisnikëria shqiptare me qëllim ruajtjen e pozitave të tyre, qoftë dhe si vasalë të sulltanit. Pas vitit 1402 kur u vendos Devshirmea, praktika e rekrutimit të fëmijëve të krishterë në ushtrinë osmane, ku ata islamizoheshin, filloi pranimi i islamit edhe nga popullsia për t’i shpëtuar këtij detyrimi. Aplikimi i taksës së Xhizjes ndaj të krishterëve, si një shpagim për mospjesëmarrjen e tyre në luftë dhe për garantimin e jetës së tyre nga një shtet mysliman, qe një arsye shtesë për një islamizim qoftë dhe sipërfaqësor. Në një raport që arqipeshkvi  Tivarit Marin Bici i dërgonte Vatikanit më 1610, shkruhet se fshatra të tëra shqiptare u islamizuan vetëm për t’i shpëtuar pagesës së Xhizjes. Mospasja qasje në shqfrytëzimin e pronave shtetërore dhe mospasja të drejtë për të mbajtur pozita shtetërore nga të krishterët, ishin po ashtu  arsye për tu islamizuar. Para ardhjes së osmanëve, një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve nxirrnin jetesën si mercenarë të Bizantit dhe shteteve ballkanike e më gjerë; kurse pas ardhjes së osmanëve, të krishterët nuk mund të sherbenin në ushtrinë osmane, kështu që shumë burra shqiptarë pranuan islamin (në fillim sipërfaqësisht; kujto kriptokristianët) që të mund të merrnin pjesë në ushtrinë osmane dhe kështu të fitonin jetesën. Pas shtypjes përfundimtare të rezistencës shqiptare anti-osmane (të udhëhequr sidomos nga Skënderbeu) më 1479 me rënien e Shkodrës, përderisa shumë shqiptarë të krishterë migruan drejt Italisë për të shpëtuar nga ndëshkimi, shumë nga ata që mbetën brenda vendit, si një mënyrë për t’i shpëtuar ndëshkimit për pjesëmarrje në rezistencë, zgjodhën të islamizoheshin. Islamizimi i shqiptarëve u ndihmua edhe nga një sërë shkaqesh si: të krishterët ishin qytetarë të dorës së dytë; ata nuk kishin të drejtë të mbanin armë; madje nuk kishin të drejtë të kalëronin në sy të myslimanëve etj. Pra në përgjithësi, të krishterët, dhe sidomos at të ritit katolik, ishin të shtypur, të dispërfaqësuar, e të margjinalizuar në Perandorinë Osmane. teksa shkruan për pushtimin e Elbasanit më 1466, Tursun Beu – kronikan i Sulltan Mehmetit II – shkruan: “…në çdo vendqëndrim, sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, i ekzekutonin…Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katë mijë, shtatë mijë nga të pafetë.”

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete  Bajrami - Muratit: Keni dështuar në çdo sferë e kulmi i dështimit janë sanksionet ndaj Kosovës si shkak i eksperimenteve tuaja

Hykmete Bajrami: Qeveria Kurti, sa u përket investimeve kapitale të realizuara në vitin 2024, është më e ulët se në vitin 2018

Deputetja e LDK-së dhe ish-ministrja, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria Kurti sa i përket …