leoni

BE-ja do të marrë qëndrim këmbëngulës në raport me Serbinë, e cila duhet të vendos mes Brukselit apo Kremlinit

DW: Bashkimi Evropian përkrah idenë e Serbisë për krijimin e një Jugosllave të re me popujt e Ballkanit

Në kuadër të samitit të Triestes ku krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit takohen me kancelaren Angela Merkel e presidentin francez, Emmanuel Macron, shtypi gjerman drejton vëmendjen tek Ballkani. Gazeta gjermane “Die Welt” nën titullin “Pse Brukseli do të krijojë një Jugosllavi të re”, shkruan se një sërë shtetesh në Ballkan duan të jenë pjesë e BE-së, por për shkak se Bashkimi Europian nuk ia del dot aktualisht të bëjë pranime të reja, ai kërkon që të fitojë kohë, përmes një ideje të lindur më parë në Ballkan. “Kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq e kishte formuluar: nuk do të ishte më praktike të lidheshin vendet e Ballkanit në një zonë ekonomike të përbashkët? Ky do të ishte hapi i parë për anëtarësim në BE. BE e pranoi me falënderim këtë ide”, shkruan gazeta gjermane duke e cilësuar unionin doganor si një instrument të mirë për BE që të fitojë kohë. “BE-së nuk i duhet të pranojë anëtarë të rinj, por në të njëjtën kohë ruan influencën e saj në Ballkan.”

“Die Welt” thekson se Ballkani nga ana ekonomike është për europianët i parëndësishëm, por ai ka rëndësi në kontekstin e historisë europiane. Kohët e mëdha të zgjerimit kanë kaluar, prandaj prej vitesh po diskutohet si një instrument unioni doganor, një instrument që e çaktivizon fuçinë e barutit me emrin Ballkan dhe nga ana tjetër nuk e detyron BE të zgjerohet. “Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn ka sjellë formulën “Varësi pozitive”, e cila mund të ndikojë në çtensionimin e konflikteve etnike në rajon. Por në fakt kjo do të ishte një rilindje e Jugosllavisë së vjetër, sigurisht vetëm si union doganor dhe transporti. Pa Kroacinë e Slloveninë që janë pjesë e BE. Por këtë herë bashkë me Shqipërinë. Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia -do të kishim pra një union të shteteve pasuese më të varfra të Jugosllavisë. Mund ta kuptosh pse Beogradit i pëlqen një gjë e tillë. Në një konstelacion të tillë, Serbia do të ishte një peshë e rëndë.”

Gazeta gjermane kujton se Jugosllavia e vjetër u shpërbë e sëmurë nga konfliktet e brendshme, sidomos nga rivaliteti mes serbëve dhe kroatëve. “Një union i ri i Ballkanit Perëndimor do të ishte po ashtu bipolar. Atë do ta dominonin 8 milionë serbë në Serbi dhe Bosnje, si edhe 5 milionë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, që do të konkurronin me dhe kundër njëri-tjetrit.”

Vlerat e BE: Nuk ka lëshime për Ballkanin

Ndërsa gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nën titullin “E ardhmja e Ballkanit është në BE” boton një artikull të zëdhënësit për politikën e Jashtme të Partisë Socialdemokrate, Niels Annen. “Në Ballkanin Perëndimor elitat kombëtare rrezikojnë paqen e brishtë, për të hequr vëmendjen nga dështimet e qeverisjeve të tyre”, shkruan Annen dhe kërkon që BE në samitin e Triestes të mërkurën të reagojë ndaj kësaj politike të papërgjegjshme.

Zëdhënësi i socialdemokratëve për politikën e Jashtme, Niels Annen thekson se Ballkani Perëndimor është rikthyer në axhendën e ditës, por me lajme të politikës së brendshme që vijnë nga rajoni – si provokimet e dyanshme mes Serbisë dhe Kosovës, retorika shqiptaromadhe e politikanëve kosovarë, mësymja e dhunshme e parlamentit maqedonas.

“Këto të sjellin ndërmend vitet 90-të, por paralelja historike është e gabuar. Sepse motori i këtyre tensionimeve nuk janë tensionet etnike, por interesat e elitave kombëtare, që duan të sigurojnë pushtetin e tyre e të pengojnë reformat demokratike.”

Niels Annen shkruan në artikullin e “FAZ” se zhvillimeve aktuale në rajon, BE nuk duhet t’i përgjigjet me lirimin e kushteve të anëtarësimit. “Një ‘rabat gjeopolitik’ shkatërron besueshmërinë e BE-së. Qeveritë në Ballkan duhet të pranojnë, se vlerat e BE, respekti për institucionet demokratike, të drejtat e opozitës dhe liria e shtypit nuk janë në dispozicion./DW/

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …