Me rastin e Inaugurimit të kishës katolike në Rugovë, Ipeshkvi i Kosovës, Mark Sopi ka thënë:“Ndërtimi i kësaj kishe katolike është vetëm hapi i parë drejt identitetit të mirëfilltë kombëtar dhe fetar të shqiptarëve”.
“Islami ka rrënjë të thella në trojet shqiptare dhe ato rrënjë nuk mund të shkulen”, ka shkruar Milazim Krasniqi, për të konstatuar pak më vonë se “Islami nuk ka qenë i plotë as në periudhën më të ndritshme të përhapjes ndër shqiptarë”.
Këto janë dy konstatimet e dy kaheve më ekstreme, të cilët i kanë tërhequr segmentet fanatike të animeve fetare, anime këto që asnjëherë më parë, përveç në raste të veçanta, nuk kanë qenë të shprehura ndër shqiptarët, të cilët në mos për tjetër, të paktën në këtë drejtim kanë krijuar një imazh të mirë në botë, i cili shquhet për tolerancë fetare, gati fenomenale. Mirëpo ja që “djalli” dhe “shejtani” janë futur në këtë mes dhe kanë filluar të gërmojnë edhe në këtë segment unifikues, fetar e kombëtar, në këto vlera që kanë qenë, e besoj se do të mbeten për lakmi edhe në të ardhmen, pavarësisht fanatikëve të mjerë të politikave të caktuara, të klaneve të caktuara që thirren në ekstremizmin fetar.
Dhe jo vetëm këta dy autorë shquhen për shkrime dhe analiza gjithsesi të paqëndrueshme, por që mund të kenë ndikim te klanet e tyre, sidomos tani kur vlerat e mirëfillta kombëtare e fetare po goditen nga të gjitha anët, tashmë jo drejtpërdrejt nga greku, italiani e turku, por tërthorazi nga argatët e tyre shpirt vasalë, të cilët për interesa të caktuara, apo për qëllime, që vetëm ata i dinë, kanë filluar të rreshtohen në fundamentalizëm fetar, si të atë puro katolik ashtu edhe në atë mysliman e ortodoks.
Ekstremet ushqehen dhe takohen në shumë pika të përbashkëta. Ata e ushqejnë njëri-tjetrin me urrejtje, ndasi, helmojnë besimtarët e paarsimuar në aspektin fetar e kombëtar dhe mundohen me çdo kusht të mbjellin farën e egjrës në grurin e pastër.
Keqinterpretimet e qëllimshme “E mos shikoni kisha xhamia, feja shqiptarit është shqiptaria” Kjo moto identifikuese kombëtare e kohës së Rilindjes Kombëtare, ka filluar të minohet nga dy ekstremet fetare. Edhe pse esenca e këtij mesazhi kombëtar, nuk ka të bëjë aspak me ateizmin, këto vargje të Vaso Pashë Shkodranit, janë bërë mollë sherri për të keqinterpretuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare dhe fetare. Dhe, kjo ndodhi sepse mendjelehtit menduan që Enver Hoxha mbi këtë mesazh e kishte ngritur luftën e tij kundër fesë dhe përmbajtjeve reaksionare. Mirëpo e vërteta qëndron krejt ndryshe. Iluministi i shkëlqyer, Vaso Pashë Shkodrani, duke hetuar ndasinë fetare të shqiptarëve në atë kohë, duke parë se përmes fesë greku turku e italiani bënin politikat e tyre antishqiptare, ai kërkonte unifikimin kombëtar, duke lënë anash ndasitë fetare të shqiptarëve, dhe duke i ftuar ata të ruajnë kombësinë mbi të gjitha, por në asnjë mënyrë duke hequr dorë nga cilado fe. Asnjë interpretim tjetër nuk mund t i vishet poezisë manifest të Vaso Pashës, “O moj Shqypni e mjera Shqypni”. Dhe kushdo që bën përpjekje për t’i shtrembëruar këto fakte, kushdo që amputon këto vargje nga tërësia e mesazhit të këtij manifesti kombëtar, ai e identifikon vetveten, jo si shqiptar tolerant fetar, por si pion të një politike të caktuar fetare, e cila mbi të gjitha sjellë përfitime të caktuara, por në esencën e vetë nuk ka të bëjë me përkushtimin e vërtetë, me përkushtimin e devotshëm fetar.
Kjo poezi programatike, ky manifest kombëtar i Rilindjes Kombëtare, është bazament i fortë i qenies kombëtare shqiptare dhe nuk ka forcë që e shkulë nga mendja dhe zemrat e shqiptarëve, që kanë ideal kombin, atdheun dhe fenë, secilën sipas radhës dhe secilën sipas vetë përcaktimit të lirë. Kultura e tolerancës fetare ndër shqiptarë është shumë e vjetër dhe është bazamenti më i fortë kombëtar, vlera më sublime që ka mbijetuar pozitivisht dhe që nuk mund të rrënohet nga përpjekjet e kota të ekstremistëve fetarë, sepse ekstremizmi i sotëm është pjellë e frustrimit të dikurshëm ateist, dhe pjesë e mungesës së theksuar të moralit fetar e një masë të konsiderueshme të shqiptarëve.
Lulëzimi i feve dhe frustrimet fetare
Tani në kohën e lulëzimit të të gjitha feve, ideologjive dhe të të gjitha shkollave fetare, është e natyrshme të nxjerrin kokën edhe ekstremet, me qëllim të caktuar, për të përfituar sa më shumë besimtarë dhe për të punuar me zell punët, që i ka caktuar padroni qoftë ai në Vatikan, në Athinë, apo në Teheran.
Në këtë përpjekje për ta dëmtuar bazamentin e kulturës së tolerancës fetare ndër shqiptarë, po marrin pjesë edhe misionarë të caktuar fetarë, por edhe analistë dhe fetarë të vonuar të konvertuar, me prejardhje nga komunizmi i dikurshëm ateist, tash fetarë të përdalë dhe fanatikë.
Në këtë mes dëgjohen e lexohen lloj-lloj shkarjesh dhe keqinterpretimesh, të cilat nuk janë vetëm antihistorike por janë edhe banale e antifetare.
Të konstatosh se shqiptarët kanë fenë e tyre dhe identitetin e tyre të vetëm fetar, “katolicizmin”, nuk është vetëm një marrëzi e llojit të vetë, por është mesazh për një kryqëzate verbale, me qëllim për të shkaktuar huti, urrejtje dhe ndasi kombëtare mbi baza fetare. Dhe aq më keq, kur këtë konstatim e thotë hapur, madje para xhematit mysliman e katolik një i parë i fesë, i cili do të duhej të ishte shumë i matur, për të mos rënë në kurthe të tilla të djallit, sepse as kanë sot, as kanë pasur ndonjëherë shumica shqiptare identitet fetar dhe kombëtar katolicizmin. Për më tepër feja katolike, ka qenë në të kaluarën, dhe ka mbetur aktualisht feja e pakicës, feja e pesë apo dhjetë përqindëshit të shqiptarëve. Dhe nuk e di pse dikush mendon aq mbrapshtë kur pretendon se vetëm përmes fesë shqiptarët u lidhkan me Evropën, e cila, shikuar nga aspekti fetar në shumicë është ateiste, pastaj protestane, ortodokse, evangjeliste, luteriste, islame e katolike.
Pastaj duhet pasur para sysh faktet e pamohueshme historike, që flasin se kalimi i shumicës dërrmuese shqiptare në islam, u bë nga feja ortodokse, si në Kosovë, ashtu edhe në trojet e Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Ky fakt mund të argumentohet në shkrimet shkencore të historianëve të mirënjohur shqiptarë si Selami Pulaha, Muhamet Tërnava e shumë të tjerë.
Thirrja naive e një segmenti të klerit katolik, drejtuar shqiptarëve myslimanë, për të ndërruar fenë dhe për të kaluar në fenë e të parëve, mbështetet në përcaktimin fetar të Ibrahim Rugovës dhe tash së fundi edhe të Ismail Kadaresë. Kjo ofertë bëhet me qëllime të propagandimit të idesë, se shqiptarët vetëm të mbështetur te Papa dhe te katolicizmi mund ta bindin Evropën se janë përcaktuar për evropianizim. Të mjera dhe të shkreta janë këto oferta, ashtu sikurse është e mjerë përpjekja për ta paraqitur Gonxhe Bojaxhiun, shenjtëreshë katolike shqiptare, ndërsa ajo realisht është shenjtëruar si misionare katolike e Vatikanit. Këtë e di tërë opinioni botëror dhe nuk kanë përse të mos e dinë shqiptarët që mendojnë esëll.
Përderisa thirrja e një segmenti të kreut katolik bëhet për qëllime të caktuara politike, duke keqpërdorur ndjenjat kombëtare dhe liridashëse të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, dhe duke vënë në spikamë se vetëm kthimi në katolicizëm e bindka Evropën për të na dhënë pavarësinë, kjo thirrje nxit ekstremin tjetër, atë islam, i cili kohëve të fundit ka filluar të paraqitet me tërë laramaninë e grupeve e mez-hebeve madje disa edhe të çoroditura, që nuk kanë të bëjnë fare me islamin e vërtetë. Ekstremi katolik ka nxjerrë në sipërfaqe ekstremin fundamental islam, jo vetëm ndër shqiptarë por kudo në botë. Edhe lufta e koalicionit ushtarak krishterë perëndimor në Irak e në Afganistan, jo vetëm në dukje, është një si rikthim i moderuar në misionin e kryqëzatave të shekullit XI dhe XII.
Disa segmente të përhapjes së islamit ndër shqiptarë
Islami ndër shqiptarë është feja e shumicës, por në historinë e vet të përhapjes, islami ka ardhur së bashku me pushtuesin, ashtu sikurse edhe krishterimi që erdhi me pushtimin romak dhe bizantin.
Pranimi i islamit ndër shqiptarë ka historinë e vet të dhembshme, por edhe të dobishme në disa aspekte. Islami nuk u përhap me dëshirë e vullnet, sikur bën përpjekje të na bind ndonjë komunist i vonuar, i konvertuar në mysliman të tespihëve, por u përhap edhe me shpatë e jatagan, me joshje ekonomike dhe me ligjin e devshirmesë, që ka qenë ligji më antinjerëzor i aplikuar ndonjëherë në historinë e qytetërimit. Kjo nuk ka pse fshihet, as nuk pse mohohet, sepse kjo çmenduri pushtuese nuk u bë mbi parimet e fesë islame, por mbi ligjet e Padishahut, që nuk ishin kurdoherë ligje të fesë islame dhe të Sheriatit. Rrëmbimi i dhunshëm i fëmijëve të krishterë, prej moshës 10 deri në12 vjeçare, konvertimi i tyre mbi parime të “evlati fatih” në kohën e perandorisë osmane kishte krijuar kastën e luftëtarëve të klonuar. Ishin këto formacionet ushtarake të jeniçerëve, ( ushtarëve të rinj), të cilët u bënë forcë, jo për ta përhapur islamin, por për të pushtuar e përgjakur kombet e popujt e shtypur, e shpeshherë duke vrarë e përdhunuar madje edhe vëllezërit e tyre të gjakut, e në shumë raste edhe familjet e të afërmit e tyre.
Nuk ishte parim i fesë islame, dhe nuk mund të jetë as sot parim rrëmbimi i fëmijëve të krishterë, konvertimi i tyre i detyrueshëm dhe getoizimi i tyre si ushtarë të përjetshëm. Jeniçerizmit dhe mercenarizmit të tillë të dhunshëm, ne shqiptarët i kemi paguar tagrin më të shtrenjtë se asnjë popull tjetër në botë, por është me interes të theksohet me këtë rast se tre ndër jeniçerët që kanë bërë emër e famë botërore në kohën e Perandorisë Otomane kanë qenë shqiptarë. I tillë ishte vetë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, kur edhe fillon ngritja e forcave të jeniçerëve, i tillë ishte revolucionari më i madh i të gjitha kohëve në Turqi, Halil Patrona, i cili organizoi me sukses Lëvizjen e madhe qytetare në Stamboll, në shtator-tetor të vitit 1730 dhe Ali Pashë Tepelena, katër vjet pas heqjes së kokës së të cilit edhe shpërbëhen forcat e jeniçerëve, në vitin 1826.
Dhe, jo vetëm shqiptarët pranuan islamin sikur thotë ndonjë analist i paditur. Islamin e kishin pranuar edhe shumica e magjarëve, e pranuan shumica dërrmuese e serbëve të Bosnjës e Hercegovinës. Islami qe pranuar edhe nga një shumicë rashjane, serbe, prej Vranjës e Kurshumlisë e deri në Nish e në Beograd. Me fillimin e dobësimit të Perandorisë Turke, me krijimin e Shtetit vasal serb në vitin 1814, filloi edhe kthimi i të konvertuarve serbë në fenë e të parëve, ndërsa shqiptarët në Serbinë e asaj kohe, të cilët nuk pranuan të rikonvertohen në ortodoksë, u dëbuan dhunshëm nga trojet e tyre nga Serbia qendrore dhe Jugore. Të tillët, “muhaxhirët” kishin identitet fetar islam dhe identitet kombëtar shqiptar, andaj edhe ata që shpëtuan gjallë të ndjekur nga hordhitë barbare serbe, u vendosen në disa vise të Kosovës, për të mbijetuar.
Islami erdhi si largim i shqiptarëve nga koncepti skizofrenik për krijuesin, thotë analisti Milazim Krasniqi. Ky konstatim gjithsesi skizofrenik nuk ka të bëjë me asnjë logjikë të arsyeshme dhe të shëndoshë, dhe nuk mund të arsyetohet me asnjë të dhënë faktografike historike, sepse nuk mund të pranohet se besimi i krishterë qenka koncept skizofrenik për Krijuesin. Islami e pranon vlerën shkrimore fetare të librave të shenjtë, të tevratit (Torja hebraike), Zeburit, (Besëlidhja e vjetër, psalmet e Davidit) dhe Ungjillit, Besëlidhja e Re. Aq më tepër, dihet mirëfilli se të gjithë shqiptarët, pa dallim ishin të krishterë deri në shekullin XV-XIV, dhe nuk u vetëdijesuan ata pa tehun e shpatës për ta pranuar me aq inteligjencë të lartë një besim tjetër, sepse as ishin aq inteligjentë, as ishin fare të arsimuar, por jetonin në hall dhe në varfëri totale, ishin buzë fatalitetit të ndeshjes së dy botëve kundërshtare, dhe e vetmja shpresë për të mbijetuar ishte mbështetja te Zoti, që asokohe mund t’iu kenë lutur edhe si Deus, edhe si Teos, edhe si Bog, edhe si Allah.
Periudha e konvertimit fetar të shqiptarëve në trojet e tyre, në Ballkan, ka zgjatur disa shekuj, dhe në këtë rast pajtohem me Milazim Krasniqin kur konstaton se Islami ndër shqiptarë nuk ka qenë i plotë as në periudhën më të ndritshme të përhapjes. Edhe pse nuk mund të saktësohet periudha më e ndritshme e përhapjes së islamit ndër shqiptarë, faktet flasin se një formë e krishterimit të fshehur, laraman, mbijetoi deri në ditët tona, qoftë përmes festave fetare, qoftë përmes veshjeve, folklorit, dokeve dhe një tradite të tërë, jo vetëm ikonografike dhe jo vetëm sipërfaqësore. Deri në gjysmën e parë të shekullit 20, shumë banorë të Drenicës por edhe të disa trevave të tjera të Kosovës kanë festuar të gjitha festat ortodokse: Shën Gjergjin, Shën Markun, Shën Mitrin, Bozhiqin, Kërshëndellat, Netët e Qirave, Netët e Mëdha, Shna Premten, ditët e krezmimit, apo kreshmet e të tjera. Nuk ka shqiptar të moshës 40-50 vjeçare e më të moshuar në Kosovë, me prejardhje nga fshati, që nuk di për këto festa, të cilat çuditërisht kanë mbijetuar deri në kohën tonë. Mirëpo, islami tradicional ndër shqiptarë, në të kaluarën nuk ka pasur asnjë ngjyrim fundamental, ai ka qenë islam shqiptar, tipik, sikurse ka qenë islami tipik ndër boshnjakë, apo në krahinën e Peshterit. Që ne nuk e kemi studiuar si duhet e sa duhet atë të kaluar, kjo tregon gjendjen e mjerë që ka mbretëruar dhe që mbretëron aktualisht në institucionet tona të kulturës, të akademive shterpe, improvizuese, statike, që nuk kanë realizuar qoftë edhe një projekt të njëmendtë në fushën e etnografisë, të etnopsikologjisë dhe etnoreligjionit konglomerat shqiptar dhe në fusha të tjera të shkencës.
Tradita fetare islame sidomos ndër shqiptarët e Kosovës, është mjaft homogjene në pikëpamje të besimit
Islami ndër shqiptarë ka ngjyrën e vet autentike, dhe është tepër e vështirë të krijosh një shqiptar islam fundamental. Ai mund të krijohet vetëm nëse nuk ka identitet kombëtar shqiptar, nëse e urren Skënderbeun, nëse verbërisht mendon se sulltanët ishin kalifë të përhapjes së islamit, çka nuk është aspak e vërtetë, apo nëse verbërisht i beson forcës së Osama Bin Ladenit dhe të fundamentalizmit ekstrem mysliman. Gjendet ndonjë i tillë që në emër të islamit bën punën e shejtanit. Por këtë e bën nga padituria, ose i shtyrë nga interesa të caktuara të klaneve të ndryshme politike e fetare. Të tillë ka, por nuk duhet alarmuar aq shumë sepse mijëra intelektualë dhe gjysmë intelektualë tanë ndodhen në kohën e shpëlarjes së trurit, në periudhën pas pushtimit, në periudhën e manifestimit të plotë të të gjitha lirive, liri këto pa asnjë fre, që mjerisht kanë filluar të degjenerojnë në shumë pikëpamje, duke sjellë një erozion rapid në degradimin e vlerave morale, fetare dhe njerëzore.
Mirëpo, për hir të dashurisë të vonuar për fenë, nuk duhet lejuar përdhosjen e traditës luftarake shqiptare, sepse atë e njeh tërë bota, nuk është aspak shkencore dhe e besueshme të thuhet se “lufta e Skënderbeut ishte luftë e fiseve”. Dihet botërisht se Skënderbeu luftoi për të mbrojtur pronat e të parëve, por edhe pronat e feudalëve shqiptarë, që iu bashkuan atij. Nuk ishte lufta e Skënderbeut, luftë për ta mbrojtur krishterimin. Është gabim i madh dhe i pafalshëm nëse pranohet kjo tezë politike dhe demagogjike, sepse tekefundit ishte e dobët Shqipëria, ishte e vogël Shqipëria e asaj kohe për ta ruajtur krishterimin evropian. Skënderbeu ishte strateg ushtarak dhe arriti të mbijetojë falë aftësive të tij organizative, njohjes së shkëlqyer të artit luftarak, luftës vetëmohuese dhe idealit për të jetuar i lirë. Ata që Skënderbeun e quajnë “Atlet të Krishtit” e kanë tepruar në paditurinë e tyre, sepse me sa dimë ne, me sa di historia jonë dhe ajo turke, Skënderbeu asnjëherë nuk hoqi dorë nga emri i tij i dytë. Ai kishte jetuar plot dyzet vjet si mysliman, dhe nuk ishte kthyer me ndonjë ceremoni të njohur për ne në fenë e të parëve. Ne nuk kemi fare dokumente që flasin se Gjergj Kastrioti lutej në kishë, se kishte dhënë urdhër për të riparuar kishat e djegura, e të tjera. Ai nuk kishte bërë luftë fetare, as për përhapjen e islamit, as kishte pretenduar fare ta mbronte krishterimin, meqë në luftë kundër Turqisë nuk pati as edhe një mbështetje të vetme, të fortë, përveç përkrahjes verbale të Vatikanit, të Napulit etj. Nuk kemi të dhëna të besueshme as për vendvarrimin e tij, meqë trupi i tij, sipas të gjitha gjasave u nxor nga varri, ose bashkëluftëtarët e kishin varrosur në një vend të fshehtë për të mos e zbuluar turqit. Mirëpo, Evropa e krishterë e ngriti në mit Skënderbeun, Gjergj Kastriotin, me qëllim të propagandimit të luftës kundër Turqisë e cila asokohe ishte futur deri në Vjenë, në Budapest e në Erdel. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Mustafë Pashë Qypërliu, Hysein Qypërliu, Mehmet Qypërliu e të tjerë, pastaj Halil Patrona, Ali Pashë Tepelena, Mehmed Ai Pasha i Misirit, Hoxhë Tahsini e të tjerë, janë personalitete të njohura shqiptare dhe botërore. Këto personalitete janë emra krenarie kombëtare e qytetëruese, që dalin jashtë përmasave kombëtare. Dhe, për asnjë çast nuk duhet harruar se këta emra i bëjnë nder kombit, racës, historisë shqiptare dhe qytetërimit njerëzor. Mirëpo a mund të mendohet kombi dhe historia shqiptare pa Lekë Dukagjinin, Pal dhe Mojsi Golemin, Naum Veqilharxhin, De Radën, Fan Nolin, Gjergj Fishtën, Çajupin, Kristo Negovanin, Migjenin e të tjerë. Do ta dallonim në këtë mes, sidomos priftin dhe poetin e madh shqiptar, Gjergj Fishta, i cili ishte kritiku më i rreptë dhe më i fortë kundër padrejtësive historike, që Evropa e krishterë, së bashku me Rusinë cariste iu bëri shqiptarëve. Fishta edhe pse shquhej në botën katolike për arsimin superior fetar, edhe pse ishte personaliteti më i njohur në radhët e klerit katolik të kohës, ai kundërshtoi fuqishëm copëtimin e Shqipërisë dhe poezia e tij u bë burim frymëzimi për të gjitha brezat e shqiptarëve liridashës.
Islami autentik shqiptar
Sesa ishte autentik besimi islam ndër shqiptarë dhe sesa nuk identifikohej besimi në pushtetin e Portës, flet fakti se të gjitha lëvizjet anti turke, në luftë për ta ruajtur identitetin kombëtar dhe fetar, i bënë pikërisht myslimanët shqiptarë. Përveç Skënderbeut, i cili lirisht mund të thuhet se ishte dualist fetar në kuptimin e fjalës, të gjithë pasuesit e luftës për liri ishin shqiptarë islamë, dhe kjo tregon më së miri se shqiptarët ruanin kombin, dhe nuk e identifikonin fenë islame me Perandorinë. Nuk mund të dyshohet në përkatësinë fetare të Halil Patronës, i cili kryengritjen e tij në Stamboll, më 28 shtator 1730, e nisë me Bismilah dhe e pason me fjalët “kush është mysliman le të na bashkohet, sepse kemi kërkesa të drejta”. Nuk mund të dyshohet në besimin islam të Misirli Mehmet Ali Pashës, as të Ali Pashë Tepelenës. Ishin myslimanë tejet të devotshëm edhe vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Haxhi Zeka, Imer Prizreni, Sylejman Vokshi, Ali Pashë Gucija, Azem Galica e qindra të tjerë. Të gjitha lëvizjeve çlirimtare në kohën e Turqisë, e më vonë në luftë kundër pushtuesve të tjerë, iu kanë pri në ballë prijësit shqiptarë të besimit islam, prej Skënderbeut deri te Adem Jashari. Nuk mund të mohohet as roli që kanë luajtur vëllezërit tanë të gjakut e të gjuhës, ortodoksë e katolikë, por roli i tyre ka qenë dytësor e tretësor me faktin se ata kanë përfaqësuar pakicën në aspektin fetare. Një pjesë prej tyre ka mbështetur lëvizjet tona kombëtare dhe ka luftuar pa asnjë dallim apo paragjykim fetar për vëllezërit e tyre me përkatësi fetare islame, sepse aspiratat për çlirimin kombëtar i kanë pasur të përbashkëta.
Mjerisht një segment i ortodoksisë dhe i katolicizmit, në periudha të caktuara historike edhe degjeneroi, duke u bërë vegël e verbër e panhelenizmit grek dhe më vonë e fashizmit italian. Mirëpo, shumica shqiptare islame, nuk ka paragjykime e urrejtje për atë segment, edhe pse faktet janë kokëforta dhe ato nuk mohohen dot. Prej periudhës së fillimit të konvertimit të shqiptarëve, katër shekuj më parë, e deri në kohën tonë, në historinë e kombit shqiptar nuk ka pasur lëvizje legale islamike apo fundamentale. Madje-madje nuk ka pasur as grupe të caktuara, të cilat me vetëdije do ta dëmtonin kombin, në përpjekje për t’ i dhënë përparësi fesë. Kjo nuk ka ndodhur me vëllezërit tanë ortodoksë e katolikë, disa prej të cilëve, mjerisht, edhe tani po ecin në rrugë të gabueshme.
Shqiptarët e besimit islam, të cilët e përbëjnë 70 ose 75 për qind të tërë popullatës, nuk kanë formuar as edhe një parti shqiptare islame. Deri tani asnjëherë nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë. Dhe kjo flet mirëfilli, jo vetëm për tolerancën maksimale, por flet në të mirë të një vetëdije tepër të lartë fetare, kulturore dhe morale, e pse jo edhe politike e kombëtare. Ndërsa, vëllezërit tanë të gjakut e të gjuhës, katolikë e ortodoksë, kanë themeluar dhjetëra shoqata, parti demokristiane e ortodokse. Në krye të kishës ortodokse në Shqipëri është postuar antishqiptari, Janullatos, në krye të Ipeshkëvisë në Shkodër prin italiani, Masakra. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në krye të një Bashkësie islame të jetë postuar ndonjë turk apo ndonjë arab, madje kjo nuk ka ndodhur as rastësisht. Dhe ky fakt flet shumë, flet për përcaktimin kombëtar fetar të shqiptarëve myslimanë, të cilët janë ndër islamët më të moderuar të botës, por janë islamë burimorë, të shumtën sunitë, të cilët sentimentin e tyre fetar nuk e kanë shfrytëzuar për arabizmin apo turqizmin e Shqipërisë, apo të Kosovës. Këto janë fakte të forta, këto janë argumente që flasin qartë se islami ndër shqiptarë ka krijuar bazamentin e vet autentik, ka krijuar kredon kombëtare fetare të lidhur në mënyrë fenomenale dhe çan përpara i sigurt se nuk do të degjenerojë në mez-hebe azapësh, tatarësh e jeniçerësh të rinj, por as në ekstremin luftënxitës fundamental.
Shqiptarët islamë përgjithësisht janë të përgjegjshëm, të matur, të durueshëm dhe mjaft tolerantë sa i përket fesë. Mirëpo, në vitet e fundit, e sidomos pas mbarimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, edhe ndër ne kanë filluar të mbijnë disa shfaqje ekstreme, të cilat vështirë se do të gjejnë vegjetacion të natyrshëm për t’u zhvilluar, por mund të zhvillohen vetëm përdhunisht dhe nëse prapa tyre qëndrojnë interesat e caktuara të mercenarizmit politik. Pikërisht për këtë, Bashkësia Islame e Kosovës, imamët me ndikim, analistët dhe njohësit e traditës fetare e kombëtare, duhet të bëjnë përpjekje për të ndikuar në përforcimin e islamit tradicional shqiptar, në ngjyrën shqiptare të islamit të vërtetë, të islamit që i ka përballuar në radhët të parë pushtuesit turk, pastaj atij serb, grek, italian e gjerman.
Sforcimi i panatyrshëm dhe i padobishëm i njërës apo tjetrës fe, nga misionarë apo individë me prapavijë të caktuar, mund të na prish punë, me faktin se zhvillimin tonë politik, kombëtar e kulturor, dashur pa dashur, e kemi lidhur me Evropën e Amerikën. Mirëpo kjo nuk do të thotë se do të amerikanizohemi në pikëpamje fetare. Ne nuk u bëmë turq në pikëpamje kombëtare për 500 vjet të sundimit turk, dhe nuk ka fare droje se shqiptarët do ta harrojnë fenë dhe do të amerikanizohen. Këtë formë të amerikanizmit nuk e preferon as Amerika. Droja se Islami shqiptar do të rrezikohet nga futja e Shqipërisë në Evropë nuk ekziston. Dihen mirëfilli përpjekjet e Turqisë për t’ u futur në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse dihet se Turqia është njëra ndër vendet më të fuqishme myslimane në botë.
Besimi islam ndër shqiptarë nuk ka shfaqur shenja të mos durimit fetar, duke përjashtuar rastet. Duhet bërë përpjekje të pareshtura, që të mos lejojmë degjenerimin e traditës tonë tradicionale shumëshekullore islame. Kurdo ku paraqiten format ekstreme, qofshin ato në pamje të jashtme, apo në mercenarizmin e bartur nga disa shtete, që nuk kanë kontroll mbi qytetarët e vet, duhet ta shtojmë vigjilencën dhe duhet ta bëjmë interpretimin e drejtë të mësimeve të Kuranit, ato mësime dhe interpretime që ruajnë bazamentin tonë kulturor, fetar e njerëzor, sepse kjo e fundit, njerëzorja, është mbi të gjitha traditat, meqë përfillet nga të gjitha fetë dhe besimet e vërteta.
Paraqitja e ekstremeve edhe pse nuk ka qenë traditë jona, tashmë po përhapet si sëmundje e rrezikshme dhe e neveritshme. Do të donim të besonim se zërat e ndasisë, të përçarjes dhe intolerancës fetare të mos përparojnë, në të kundërtën duhen ndërmarrë masa parandaluese, për të mos lejuar prishjen e baraspeshës së identiteti tonë autentik kombëtar dhe fetar.
Nuk kemi fare nevojë për misionarë ekstremë, sepse ekstremizmi i tillë na dëmton, në mos për tjetër, na dëmton për faktin se në gjirin e popullit tonë kanë gjetur shprehje dhe kanë krijuar traditat e tyre autentike pothuajse të gjitha besimet moniste.
Të mos ngatërrohet identiteti fetar me atë kombëtar
Njeriu me logjikë të shëndoshë, ai i cili rezonon arsyeshëm, nuk e ngatërron identitetin fetar me atë kombëtar. Askujt nuk i pengon të jesh shqiptar islam, dhe askush nuk ka arsye të brengoset nëse një shqiptar islam me vetëdëshirë bëhet i krishterë, apo një i krishterë bëhet mysliman. Nëse kjo e brengos dikë atëherë ku mbetet parimi demokratik i përcaktimit të lirë politik, fetar e kombëtar.
Islami është identitet fetar i shumicës së shqiptarëve, por ekziston e qartë vija dalluese e konceptit komb dhe fe. Nuk besoj se arabët do ta shuajnë identitetin e tyre kombëtar, edhe pse ata janë diga e islamit në botë, e jo disa myslimanë tanë euforikë, që krahas Bajramit festojnë edhe Shën Gjergjin edhe Shën Mitrin, Shën Markun etj.
Indonezianët malajziasit, bengalasit, indianët, kashmirasit, sirianët, libanasit, e shumë kombe të tjera janë pjesëtarë të feve islame, krishtere dhe budiste, por nuk e ngatërrojnë konceptin komb me fe.
Eshtë i mjerë dhe i paqëndrueshëm konstatimit se vetëm shqiptarët, të cilët e kanë ruajtur fenë krishtere, (krahun romano-katolik), qenkan shqiptarë autentikë me identitet kulturor dhe fetar. Po nëse shqiptaria paska mbetur në 8 apo 9 përqindësh të besimtarëve të tillë, atëherë si t’ia bëjnë këta myslimanë e ortodoksë, që përbëjnë 90 për qind të kombit shqiptar në Ballkan? A thua katolikët lindën të tillë, katolikë, apo edhe këta u ndanë dhe konvertuan pas vitit 1054 kur u nda përgjithmonë krishterimi burimor, jo sepse ishte fe e keqe apo e dobët, por sepse e ndanë perandorët, sepse e ndanë dhe e përçanë për shkak të sferave të interesit dhe të shtrirjes së sundimit, e jo për shkak të liturgjisë dhe dallimeve të tjera fare të vogla, madje shumë më pak të shprehura, sesa dallimet në mes të sunitëve dhe shiitëve.
Ekstremet puqen dhe me këtë rast edhe e ushqejnë njëri tjetrin, e ushqejnë me helm dhe përpjekje për të prishur bazamentin e vërtetë të shqiptarësisë, që ekziston në shumicë me prejardhje historike, me tolerancë të shkëlqyer fetare, me gjuhën e përbashkët, kulturën, letërsinë, artin, muzikën, traditën, doket etj. Se ka dhe do të ketë të tillë që flasin dhe shkruajnë gjuhë mushke me apostrofa me ystyna, e teshtida ka pasur dhe do të ketë, ashtu sikurse ka edhe sot trampolina të tilla degjenerike, por nuk ka kohë të tyre, nuk do të ketë kohë të tyre, por vetëm mjerim të tyre. Shtatë milionë shqiptarë në Ballkan tashmë kanë sendimentuar bazamentin e tyre kombëtar, fetar e kulturor. Ata që pretendojnë ta ndajnë, ta përçajnë dhe ta stërkeqin këtë bazament pluralist fetar, do të ndeshën në absurditetin e tyre, sepse kombi nuk është një shtëpi banimi që mund ta prishësh dhe ta rindërtosh dhe ta adaptosh sa herë të duash. Ahmet Qeriqi