Edhe dy objekte të reja shkollore në Komunën e Kaçanikut

Tre objekte të reja shkollore dhe disa objekte të renovuara, është bilanci i investimeve në arsim nga Komuna e Kaçanikut në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2017. Në fshatin Glloboqicë janë duke vazhduar punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor. Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, i shoqëruar nga Nënkryetari Remzi Elezi dhe drejtori për Arsim dhe Kulturë Enver Kamishi, vizitoi vendpunishten ku janë duke u realizuar punimet. Kryetari Ilazi tha se përmes implementimit të prioritetit të komunës së Kaçanikut në ndërtimin e infrastrukturës shkollore, vazhdimisht është duke u investuar në fushën e arsimit, me theks të veçantë në rregullimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës arsimore. Kryetari tha se ngritja e cilësisë në arsim, mbetet njëri ndër prioritetet e komunës në vazhdimësi, pas kompletimit të infrastrukturës. Kryetari Ilazi konfirmoi se janë në përfundim të përgatitjeve administrative, për fillimin e ndërtimit të objektit të ri shkollor në fshatin Kovaqec, investim i tërësishëm i Komunës së Kaçanikut, ndërsa punimet janë duke vazhduar edhe në ndërtimin e objektit shkollor në Kaçanik të Vjetër. Ndërkohë, Drejtori për Arsim dhe Kulturë Enver Kamishi tha se objektet e reja shkollore që do të ndërtohen gjatë vitit 2017, do të jenë të ndërtuara sipas standardeve të larta të ndërtimit, ndërsa punime do të realizohen edhe në renovimin dhe fasadimin e disa objekteve të tjera shkollore.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …