Edhe sot pas orës 15.00 pritet të vazhdojnë bisedimet “sekrete” ndërmjet prijësve të Vetëvendosjes e LDK-së, të cilat pasditen e mërkurë nuk sollën ndonjë marrëveshje, pos asaj që u tha se ka përafrime. Nga ana tjetër ka përfunduar afati ligjor i Presidencës së Kosovës dhe e cila pritet gjatë ditës të deklarohet për veprimet e mëtutjeshme. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri i mohoi zërat se LDK-ja po kërkon ‘shkarkimin’ e kryekuvendarit e që do duhej t’i takonte ai post LDK-së dhe mohoi fjalët që kjo parti po kërkon si këmbim Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai nuk ka treguar edhe për emrat e LDK-së për postet të cilat i takojnë, duke thënë se akoma nuk janë marr me emrat e ministrave. Nga ana tjetër zyrtar nga Vetëvendosje nuk janë deklaruar rreth vazhdimit të bisedimeve me LDK-në, kërkesave të saja dhe kalimin e afatit ligjor 48 orësh të kryetarit të shtetit.
