Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, nënkryetari Safet Kamberi, me bashkëpunëtorë të tjerë, kanë bërë homazhe pranë varrit të atdhetarit të shoqëruar Latif Berishës, në Smrekonicë, në 17 vjetorin e vrasjes së tij nga policia serbe.
Më këtë rast Kryetari Bahtiri ka vlerësuar lartë figurën e Latif Berishës. “Figura e profesor Latif Berishës është një figurë shumë e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë. Ai në kohën e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia, u shqua për angazhim dhe përkushtim të palodhshëm për çështjen kombëtare, për organizimin e jetës së përditshme dhe institucionale të qytetarëve të Mitrovicës, jashtë institucioneve të okupatorit “.
Në veçanti ishte angazhuar për organizimin e ndihmave për pjesëtarët e UÇK-së. Ai ishte institucion në vete dhe pa mendimin e tij, asgjë asokohe nuk bëhej në Mitrovicë, as nga qytetarët e as nga partitë politike”, tha ai.
Përveç kësaj, kryetari Bahtiri tha se Latif Berisha është intelektuali i parë shqiptarë që u vra nga policia serbe menjëherë pas fillimi të bombardimeve të caqeve serbe nga NATO-ja.
Më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë profesor Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij, në pjesën veriore të qytetit, prej nga qëllimisht nuk ishte larguar, edhe pse të gjithë i kishin sugjeruar që të largohej nga atje, për shkak se për veprimtarinë e tij patriotike ishte bërë halë në sy të policisë serbe.
Kontributi i Latif Berishës për çështjen kombëtare, në fushën e arsimit, shkencës, kulturës etj, ka qenë shumë i madh. Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare.