Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 udhëtarë, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët po ktheheshin nga Stambolli ku kishin qëndruar disa ditë.
Kjo zi ka përmasa edhe të zisë kombëtare, e cila ndihet njësoj te të gjithë shqiptarët, pavarësisht se jetojmë në pesë shtete të Ballkanit. Ditët e zisë dhe të pikëllimit kombëtar nuk njohin kufij, aq më pak këta kufij të dhunshëm midis shqiptarëve, që i ka vendosur Evropa e Rusia 110 vjet më parë.
Natyrisht se këtë mbase nuk e lejojnë protokollet shtetërore, por dhembja e fati tragjik kurdoherë kanë qenë e do të jenë më të forta se protokollet, apo kryetarë që venë e vinë.
Shqiptarët kudo ku jetojnë në Ballkan, në raste të tilla të zisë duhet të solidarizohen si komb, pavarësisht shteteve ku jetojnë, sepse populli, kombi, vëllazëria, gjaku gjuha, historia. kultura janë të njëjta kudo në shtetet ku jetojnë shqiptarët, në trojet e tyre historike. (Radio Kosova e Lirë)