Edi Rama: Edhe ne mund ta ndihmojmë Evropën

Ky ishte një moment i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Nëse kthejmë kokën pas te historitë (e vendeve tona), jo vetëm te roli i Ballkanit në luftën që filloi 100 vjet më parë, apo te urrejtja dhe gjakderdhja, të cilat qysh atëherë kanë shënjuar vendet tona, duhet të ndalemi një çast për të reflektuar se pse ky takim është kaq i rëndësishëm për Ballkanin dhe situatën gjeopolitike të këtij rajoni. Ky takim thekson rolin e Europës si një forcë për ruajtjen e paqes dhe rritjen e prosperitetit, dhe askush nuk meriton më tepër merita për këtë sesa Angela Merkel. Dhe në emër të të gjithë Ballkanit Perëndimor, këtu i pranishëm, dëshiroj të shpreh vlerësimin më të madh ndaj Kancelares dhe për angazhimin e saj me vendet tona, që synon përmirësimin e situatës dhe dhënien e shpresës për gjeneratat e reja të europianëve. Jam i lumtur që sot (dje) arritëm dakordësinë që këto takime të bëhen të rregullta, në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë t’i thellojmë lidhjet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, teksa ne në vendet tona vazhdojmë të ndërmarrim hapa për t’iu bashkuar atij që ka qenë dhe është një bashkim jashtëzakonisht i suksesshëm politik i demokracive. Brenda BE-së, jam i vetëdijshëm se ka dyshime, zhgënjime, madje edhe zemërim dhe fryma antieuropiane është e fortë në disa pjesë të Europës. Por ne që gjendemi jashtë BE-së e shohim atë jo vetëm si sukses, por si frymëzim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Edhe në ndërmarrjen e hapave të nevojshme për t’u konsideruar si një vend kandidat, ne kemi qenë në gjendje për të sjellë zhvillim te popujt tanë: kjo tregon fuqinë e Europës dhe BE-së si një ide e madhe reformimi dhe transformimi. Sot, ne bashkë me të gjithë vendet e Ballkanit, angazhohemi për të vazhduar në rrugën e reformave, në mënyrë që një ditë të mund t’ju bashkohemi si pjesë e familjes së kombeve europiane.

 

Ka ende mjaft rrugë përpara. Por nuk duhet harruar se këtë vit, ndërsa përvjetori njëqindvjeçar i Luftës së Parë Botërore afrohej, nuk kishte asnjë konflikt ndërmjet asnjërit prej vendeve të Ballkanit. Një rajon i njohur për luftë, gjenocid, spastrim etnik, tashmë është duke marrë hapat e nevojshëm për një të ardhme më të mirë dhe më të begatë. Anembanë botës shohim se çfarë konfliktesh lindin kur njerëz me pikëpamje, vlera dhe fe të ndryshme, rrokin shpatat dhe armët për t’i përdorur kundër njëri-tjetrit. Jemi të vetëdijshëm për rrezikun dhe dëmin që sjell diçka e tillë. Më mirë të punojmë së bashku se sa të shpërbëhemi. Vlerat e tolerancës dhe të respektit të ndërsjellë midis vendeve, besimeve dhe feve. sot nevojiten më shumë se kurrë dhe sërish Europa mund të veprojë si fanar në botë në këtë kontekst, duke u mbështetur te pësimet e dhimbshme të së kaluarës dhe duke udhëhequr nëpërmjet shembullit të saj në të tashmen. Është pikërisht harmonia fetare që gjendet në rajonin tonë një nga arsyet pse Papa Françesku zgjodhi për të vizituar Tiranën më 21 shtator, si destinacionin e parë europian. Kryeqyteti i një vendi europian ku myslimanët dhe të krishterët jetojnë në paqe dhe prosperitet. Harmonia jonë fetare është një vlerë thelbësore që të gjithë ne si europianë duhet ta çmojmë. Ne së bashku po përballemi me sfidën për ta mbrojtur këtë harmoni fetare në zemër të Europës nga kërcënime të qarta në dyert e Europës. Shumë është arritur deri tani, por nuk ka vend për vetëkënaqësi. Ne e dimë se nuk mjafton të themi se çfarë duhet të bëhet, por ta bëjmë atë, dhe të vazhdojmë ta bëjmë së bashku, me ndryshimet e nevojshme për t’u siguruar se ju na shihni si partnerë dhe si aleatë të besueshëm. Si vende që udhëhiqen nga shteti i së drejtës, me institucione politike, ekonomike dhe demokratike të besueshme. Si vende që mund t’i zgjidhin çështjet dypalëshe në mënyrë paqësore dhe të udhëhequra nga qëllimi i mirë. Dhe si vende që u ofrojnë njerëzve mundësinë e anëtarësimit në BE, me kusht që ata, ashtu si ne, të tregojnë se janë gati për këtë.

 

Në këtë proces nuk do të mungojnë vështirësitë edhe për ju, dhe kjo është arsyeja pse udhëheqja që ju keni treguar, znj. Kancelare, ka qenë aq e rëndësishme për ne. Por ne besojmë se, ashtu sikurse Europa mund të na ndihmojë, edhe ne mund ta ndihmojmë Europën. Ne jemi një rajon i rëndësishëm gjeopolitikisht dhe gjeoekonomikisht. Ne jemi një rajon që e ka të qartë se ku shtrihet e ardhmja jonë. Dhe besoj se kjo siguri mund të ndihmojë në stimulimin dhe rigjallërimin e idealit europian, në një kohë kur bota po përjeton kaq shumë turbullira. Ajo që unë shpresoj se kemi qenë në gjendje të bëjmë, është të tregojmë se kjo nuk është një marrëdhënie njëkahëshe, ku ne kërkojmë, dhe BE-ja thotë po ose jo; por një marrëdhënie ku ne kemi shumë për të dhënë: kapital të madh njerëzor dhe potencial ekonomik në fusha si turizmi, energjia dhe infrastruktura. Ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë në fushën e transportit dhe ndërlidhjes, dhe së bashku duhet dhe pa dyshim që do ta bëjmë. Si Kryetare e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), Shqipëria ka qarkulluar një dokument pune, i cili parashtron ide për nisma të përbashkëta në shkallë të gjerë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në katër fusha të mundshme: në projektet e infrastrukturës; në sigurimin i energjisë; në mbështetjen për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme; në financimin dhe edukimin e kapitalit njerëzor; në projektet turistike rajonale. Duke punuar mbi këto nisma, ne do të përmirësojmë gjendjen e ekonomive tona dhe do të bëhemi më konkurrues e më të gatshëm për t’u bërë anëtarë produktivë të BE-së. Këto nisma do të jenë me dobi të ndërsjellë dhe unë jam entuziast që kemi ndërmarrë hapat e parë në këtë rrugë bashkëpunimi të madh ekonomik, edhe pse të vetëdijshëm se puna e vështirë për ta bërë realitet fillon tani. Faleminderit sërish, znj. Kancelare, që na ndihmuat për ta realizuar këtë. Faleminderit për mbështetjen dhe udhëheqjen që keni treguar. Faleminderit që e patë dhe e vlerësuat rëndësinë e rajonit tonë. Nga ana jonë, ne dimë se do të ketë nevojë për udhëheqje të mëtejshme, për më shumë ndryshime, nganjëherë të vështira, në vendet tona. Por ne e dimë gjithashtu që edhe çmimi është i madh, dhe jemi të gatshëm për të punuar pa pushim dhe për të udhëhequr me vendosmëri, në mënyrë që kjo të arrihet. ( Shekulli)

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …