Rënia e Kabulit në duart e talebanëve ka rihapur debatet për emigracionin mes vendeve evropiane, ndërsa krerët e qeverive janë në pritje për një fluks të paevitueshëm emigrantësh, shkruan “The Gardian”, që ka marrë një prononcim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me këtë çështje. Rama ka vlerësuar se shqiptarët e dinë çfarë do të thotë të jetosh në diktaturë dhe si është të jesh një i huaj që kërkon strehë. “Jam i shokuar të shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën një mundësi për të marrë frymë sërish. Ne e dimë çfarë do të thotë të jetosh në diktaturë dhe si është të jesh një i huaj që kërkon strehë diku. Ka të bëjë me atë që jemi ne: Është nder dhe detyrë ta bëjmë këtë!”, ka deklaruar Rama, duke kritikuar shtetet më të pasura që po kthejnë shpinën ndaj afganëve që kërkojnë ndihmë në këtë moment.
