Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë së Shqipëria do të mbetet vend pelegrinazhi për të gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe të shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare “U prehsh i qetë në tokën ku le pas një mal të lartë përjetësie, i cili do të mbetet vend pelegrinazhi për gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe, brez pas brezi…”, ka shkruar Rama në një postim të rij me rastin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli.
Edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se me pikëllim e ka marrë lajmin për vdekjen e Dritëro Agollit. “Para disa muajve pata një takim të ngrohtë me Dritëron në Tiranë, me shkrimtarin, poetin dhe intelektualin e shquar kombëtar që pas vete la një trashëgimi të madhe shpirtërore. Kultura shqiptare mbeti pa njërin nga titanët e mëdhenj. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Agolli!”, ka shkuar Thaçi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se vdekja e shkrimtarit Dritëro Agollit është një humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai ishte mjeshtër i rrallë i poezisë dhe prozës letrare, por edhe një intelektual që në angazhimin e tij politik transmetonte gjithmonë urtësi, humanizëm dhe mendime vizionare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe kudo që ata jetojnë”, ka shkruar Veseli.