Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 21 qershorit 2013, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, iu kishte premtuar shqiptarëve se do të bënte kthesa në qeverisje, se do ta luftonte korrupsionin, do të forconte lidhjet me Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në rajon e më gjerë. Premtimet gjatë fushatës zgjedhore, asnjëherë nuk janë marrë, as merren gjithaq me seriozitet për shkak se të gjithë premtojnë, por pasi fituesit ta marrin pushtetin fillon periudha e mbajtjes së fjalës apo e anashkalimit të saj.
Pas krijimit të Qeverisë, kryeministri Rama po vonuar filloi luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar, kundër kumarit e bixhozit, kundër mafies së drogës në Llazarat dhe në Malësi të Madhe, kundër korrupsionit në Polici, në të gjitha organet e drejtësisë dhe në shumë institucione, ku krimi i organizuar, korrupsioni, abuzimet, keqpërdorimet ishin trashur e majmur për 25 vjet rresht.
Qysh në fillim të Qeverisjes, Rama paralajmëroi një takim të përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, në Prizren. Ishte hapi i parë, sado që simbolik për nga përmbajtja, që iu dha zemër shqiptarëve liridashës, jo vetëm në Kosovë, ku aspirata e bashkimit kombëtar është e gjallë dhe e fuqishme, por edhe gjithandej ku shqiptarët jetojnë ende jashtë dy shteteve tona. Dhe, hapërimi strategjik kombëtar i tij nuk u ndal vetëm në retorikë boshe politike, sikur zakonisht kanë bërë dhe bëjnë shumica e liderëve tanë politikë, këndej e andej kufirit. I sfiduar nga krerët e opozitës, të cilët nuk lënë gur pa përdorur kundër çdo paraqitjeje, veprimi apo aksioni të tij politik, social, ekonomik, diplomatik, Rama deri tani ka përballuar me shumë sukses të gjitha sfidat dhe nuk ka ndaluar asnjëherë, madje duket se nuk e ka ndërmend të ndalojë, i vetëdijshëm se çdo zmbrapsje nga presioni i opozitës dëmton programin e tij, të cilin tash për tash, pavarësisht të gjitha pengesave po e realizon me shumë sukses.
Qeveria reformatore e tij në luftë kundër krimit të organizuar kundër gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, kundër deputetëve me dosje të rënda penale dhe kundër të gjithë shkelësve të ligjit, ka ecur me shumë vështirësi por edhe me një vendosmëri të paparë deri tani në 25 vitet e fundit të qeverisjeve, në Shqipëri.
I ballafaquar me një opozitë të vrazhdë, cinike, goditëse, hakmarrëse, arrogante, shantazhuese dhe kurdoherë e gatshme për ta marrë pushtetin, qoftë edhe me dhunë, ashtu sikur ka provuar shpeshherë dhe ka bërë disa herë, Qeveria Rama, deri tani ka treguar tolerancë maksimale, kulturë të fortë politike, durim deri në shkallën sipërore, por edhe veprim të fortë institucional në realizimin fillestar të programit e reformave, të cilat tashmë kanë filluar të prekin të gjitha segmentet e jetës, sepse 20 e më shumë vjet keqqeverisje, korrupsion, plaçkitje bizare të gjithçkaje, ndërtime pa leje, dëmtim të pasurisë publike, vjedhje e energjisë elektrike, vjedhje madje edhe të Thesarit të Shtetit, arsim dhe shëndetësi të korruptuar e të manipuluar. 20 vjet anarki, nuk kalohen dot me tri-katër vjet qeverisje të mirë dhe në dobi të qytetarit shqiptar, apo të shqiptarëve përgjithësisht.
Hapat konkretë që deri tani ka marrë Qeveria e Kabinetit Rama, janë për çdo lëvdatë, në të gjitha segmentet. Këta hapa i vërejnë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe i përcjellin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, sepse vetëm një Shqipëri e fortë, stabile, një Shqipëri perspektive është në dobi të kombit të katandisur në pesë shtete, kombit, të cilit iu ka kërkuar në të kaluarën dhe i kërkohet aktualisht të jetojë i ndarë për hir të paqes në rajon dhe për hir të interesave të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, e mbi të gjitha edhe për hir të BE-së, e cila ekskluzivisht kërkon paqe në rajon, pavarësisht se sa dëmtohet zhvillimi dhe perspektiva e shqiptarëve në këtë drejtim.
Në një gjendje të tillë, ku Shqipëria po lufton për të vendosur ligjin, rendin, sigurinë dhe funksionimin e shtetit në të gjithë sektorët, ku Kosova po ballafaqohet me presionin gjithnjë në rritje të Serbisë, për t’ ia deformuar pavarësinë dhe perspektivën e saj, ( vazhdimisht e përkrahur edhe nga Brukseli zyrtar) ku shqiptarët në Maqedoni nuk po arrijnë të realizojnë as minimumin e marrëveshjes minimale të Ohrit të vitit 2001, ku shqiptarët e Kosovës Lindore nuk gëzojnë madje as të drejtat elementare njerëzore e kombëtare, ku shqiptarët në Mal të Zi janë shumë larg realizimit të një niveli normal të të drejtave të tyre elementare, është vështirë të bëhet ndonjë kthesë për dy tri vjet. Megjithatë, në të gjitha këto segmente të jetës kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Ballkan ka një lëvizje, të paktën një qëndrim më unifikues të Qeverisë së Tiranës, në mbrojtje të interesit kombëtar të shqiptarëve, që tani po artikulohet me një gjuhë më realiste, jo më me atë gjuhën e dhjamosur diplomatike, të ndrydhur dhe të frikshme për ta thënë troç të vërtetën.
Edi Rama, të vërtetën faktike të shqiptarëve dhe të aspiratave të tyre e tha në Beograd, pa u frikësuar fare, e kumtoi burrërisht atje ku nuk e kishte thënë asnjë politikan shqiptar i derisotëm, e tha edhe në Prishtinë e në Tiranë dhe pa asnjë mëdyshje do ta thotë edhe në BE dhe në OKB, sepse nuk mund të shtyhet më tej padrejtësia historike shumë shekullore që iu ka bërë dhe po iu bëhet 7 milionë shqiptarëve të shkapërderdhur në pesë shtete të Ballkanit.
Duke gjalluar ndër shekuj me ndjenjën e inferioritetit, të skllavit, të pacifistit, politikani shqiptar i së kaluarës, në një masë të madhe edhe ai i së sotmes, mbi të gjitha ka qenë një servil i neveritshëm në qasje e sjellje ndaj çdo të huaji. Vetëm në raste të veçanta ai ka shprehur qartë identitetin, kërkesën e tij të ligjshme dhe të natyrshme dhe ka mbrojtur interesin e kombit e Atdheut. Në këtë drejtim nuk mund të krenohemi aspak me atë që quhet “klasë politike” në dy tri deceniet e fundit, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetkë. Kryeministri Rama ka shkëlqyer në këtë drejtim, jo me retorikë false, jo me ekuivoke e servilizëm sikur bënte Sali Berisha apo sikur bëjnë: Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Isa Mustafa e shumë të tjerë, por me një qëndrim dhe veprim të pjekur politik, të moderuar në kuptimin realist të fjalës.
Ta mbrosh të drejtën tënde, të kombit e të popullit tënd të ndarë e të copëtuar padrejtësisht, nuk është asgjë tjetër, nuk është asgjë më shumë pos një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme, është detyrë mbi të gjitha detyrat, sepse kështu bëjnë qeveritarët e vërtetë kudo në botë.
Edi Rama nuk ka nevojë për lavde as elozhe, madje ai duket krejt indiferent ndaj tyre, por ka nevojë për përkrahje e mbështetje nga të gjithë shqiptarët liridashës, jo sepse vjen nga radhët e Partisë Socialiste, jo sepse është i majtë, por sepse po tregon me vepër atë që nuk e treguan si duhet e sa duhet pararendësit e tij në Qeverinë e Tiranës, të paktën jo në nivelin e tij.
Edi Ramës i duhet përkrahje jo vetëm nga kabineti i tij qeveritar, por nga të gjithë ata shqiptarë, që angazhim dhe synim primar të jetës dhe aktivitetit politik e patriotik kanë Shqipërinë, përparimin e saj, jo vetëm për hir të Evropës, por për hir të brezit të tashëm e brazave të ardhshëm, për domosdonë e marrjes në dorë të fatit të kombit të nëpërkëmbur. Përkrahja e të tillëve i duhet jo vetëm nga radhët e zyrtarëve të tij, politikanëve e intelektualëve që jetojnë në Shqipëri, por i duhet nga të gjithë ne dhe gjithandej ku bukës i thuhet bukë, kripës kripë e zemrës zemër.
Ahmet Qeriqi