Kryeministri, Edi Rama, mbërriti në Spanjë për të takuar homoloun e tij atje dhe më pas ka udhëtuar drejt Sllovenisë për të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, por theksoi se nuk pret asgjë nga unioni. Para takimit me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, Rama ka dhënë një intervistë “EL PAÍS”. “Ne kemi mësuar rrugën e vështirë për të mos pritur asgjë, sepse kemi parë që Evropa nuk është në një moment shumë të mirë, ka shumë probleme të brendshme dhe zgjerimi nuk pritet me entuziazëm“, tha Rama për samitin. “Kemi dëgjuar për shumë vite të njëjtën gjë dhe asgjë nuk ka ndryshuar“, thotë kryeministri. “Von der Leyen flet në emër të Komisionit, por Komisioni është një gjë, Këshilli është një tjetër; fjalët e bukura janë një gjë; faktet, një tjetër … Në këtë proces ka pasur gjithmonë një, dy, tre shtete anëtare që janë kundër. Tani është Bullgaria, kështu që për ne është më mirë të mos presim, sepse kur pret duhet të ndjesh turpin e refuzimit”.
Gazetari Antonio Pita shkruan se është e vështirë të përcaktosh nëse është lodhja nga udhëtimi, humori i keq apo thjesht i ka ardhur në majë të hundës duke dëgjuar ato që ai i quan “fjalë të bukura”, të cilat nuk shoqërohen me fakte për të ardhmen e vendit në BE që e bëjnë Ramën të shprehet kështu. “Në ato pak çaste ku ai buzëqesh, Rama tregon, karizmën që e ka ndihmuar të bëhet kreu i parë i qeverisë muajin e kaluar për të tretën herë radhazi. Për mbështetësit e tij, ai është një udhëheqës socialdemokrat i cili po modernizon një nga vendet më të varfra të Europës, me më shumë korrupsion dhe krim të organizuar dhe sapo ka formuar një qeveri me më shumë ministre femra se në çdo vend të botës. “Nuk e kam bërë për të përcjell një mesazh, por për të pasur njerëzit e duhur në vendin e duhur,” thotë ai. Kritikët e tij e akuzojnë atë për autoritarizëm dhe se mbështetet tek rrjetet klienteliste. Por nëse ka diçka që bien dakord të gjithë është ekstravaganca e tij…..
Në vitin 2017 fotografia në të cilën ai u shfaq në një samit evropian i veshur me një kostum të zi dhe Adidas të bardha me vija të kuqe u bë virale. Këtë të hënë, në Madrid, vetëm maska me trëndafila të kuq, e dizenjuar nga vetë ai, tërhoqi vëmendjen”, shkruan El pais.