Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë lajmet e përhapura se qeveria amerikane po planifikon të dërgojë refugjatë palestinezë në Shqipëri. Gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Rama theksoi se asnjë autoritet amerikan nuk ka kontaktuar me qeverinë shqiptare për këtë çështje, dhe për aq kohë sa ai do të mbetet në krye të qeverisë, kjo nuk do të ndodhë. “Nuk jam kontaktuar nga qeveria amerikane. Por për aq kohë sa do të jem në krye të qeverisë, nuk do të pranojmë palestinezë,” tha Rama, duke shtuar se ky është qëndrimi i tij dhe i qeverisë shqiptare. Kjo deklaratë vjen pas një komenti të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili në një konferencë për shtyp ka përmendur Shqipërinë si një nga vendet që mund të konsiderohen për pranim të refugjatëve palestinezë. Në përgjigje të kësaj, Rama tha: “Asnjë nuk na ka pyetur nga administrata Trump, por edhe nëse do të na pyesin, kjo nuk është e logjikshme, pasi Shqipëria është një vend i vogël në mes të Europës dhe nuk mund të pranojë qindra-mijëra refugjatë.”
