Kryeministri i Shqipërisë dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me shqiptarët në Milano, deklaroi se për herë të parë në histori, fati evropian i Shqipërisë është realisht në duart e qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Takimi me diasporën është pjesë e një turi më të gjerë që Rama po zhvillon në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme dhe angazhimit për integrimin evropian të Shqipërisë. Ai vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme kanë një karakter historik, pasi për herë të parë shqiptarët jashtë vendit do të mund të votojnë pa qenë të detyruar të udhëtojnë drejt Shqipërisë. Në vend që ju të vini në Shqipëri, ne po vijmë tek ju – dhe këtë premtim e kemi bërë realitet. Çdo shqiptar tani ka mundësi të votojë aty ku jeton, theksoi Rama, duke e cilësuar këtë si një akt demokratik që forcon lidhjet e diasporës me vendin. Këto zgjedhje janë një “udhëkryq mes një votimi politik dhe një votimi historik”, i cili, sipas tij, mund të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda katër viteve të ardhshme. Ai theksoi se është hera e parë që vendet anëtare të BE-së janë të gatshme ta mirëpresin Shqipërinë, përderisa vendi plotëson kushtet dhe mbyll kapitujt e negociatave deri në vitin 2027.
