Në një intervistë për gazetën britanike “The Fajnenshel Tajms” pas tensioneve në veri – ku forcat paramilitare serbe vranë një efektiv shqiptar dhe më pas morën peng Manastirin e Banjskës, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit me autoritetet ligjzbatuese mbetën të vdekur 3 terroristë Edi Rama tha se Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur. NATO-ja tha se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe tashmë kanë premtuar dislokimin e qindra ushtarëve në krye të forcës ekzistuese prej 4 500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë gjithashtu thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj ushtarake dhe të qetësojë tensionet. Kosova ka fajësuar Serbinë për sponsorizimin e sulmit dhe për lëvizjen e njësive të ushtrisë afër kufirit të Kosovës, në atë që tregonte qëllime luftarake.