Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sërish për rritjen e çmimit të çadrave në disa zona dhe kjo është reflektuar me një ulje të pushuesve duke lënë bregdetin bosh. Rama iu propozoi kryebashkaikëve të qyteteve bregdetare gjatë një takimi me ta ditën e sotme, të marrin shembull nga Lezha, që ka vënë një çmim tavan për çadrat. “Ndikohet nga marrëzia e vendosjes së çmimeve që e bëjnë më të lehtë të shkosh në Greqi, Turqi apo Mal të Zi sesa të rrish në Dhërmi. Me të vërtetë është i mrekullueshëm por jemi akoma larg për garantim shërbimesh dhe ata që e garantoj të kenë çmime të ulëta. Është më e lehtë, sesa dikush që hap një derë dhe i kërcet 200-300 euro natën është e palogjikshme.
Ka kontradikta të forta përgjatë vijës. Nuk ka pse Dhërmiu të jetë në situatën që është dhe Himara në situatë pozitive. Nuk është faji dhe kompetenca juaj. Një rol duhet ta merrni përsipër. Bashkia e Lezhës ka vendos çmime tavan për bizneset, ku nuk mund të rritet çmimi mbi këtë tavan. Sepse është stërplot dhe po të shikosh dhe flamujt e vendeve të ndryshme që janë shtuar grupit të turistëve në Shëngjin, e kupton që gjëja shkon si duhet, sepse ka balancë mes asaj që ofrohet dhe paguhet. Pikëpamja kulturore dhe artistike është e rëndësishme. Pavarësisht ndryshmeve, jemi në mangësi për ofertën për fëmijët dhe për orët që janë mes perëndimit dhe gjumit. Ndërkohë që në Vlorë, po fillojmë punën për transformimin e pallatit të Sulos në qendër inovacioni dhe kulture që do të jetë më e madhja në rajon për atë natyrë pune që do të bëjë”, tha Rama.