Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama u kujtoi sot demokratëve të Kukësit se ata asnjëherë më parë nuk e kanë negociuar simpatinë për Amerikën. Në një takim elektoral nga Kukësi, Rama tha se, nuk mund të kuptohet se si demokratët mund të votojnë një njeri që SHBA e ka shpallur, non grata. Është bërë komplet karagjoz rrugësh që bredh nëpër Shqipëri dhe flet për ambasadoren amerikane si fallxhoret e rrugëve që flasin për komshien. Flet për zyrtarët e lartë amerikanë sikur po flet me karagjozët e tij tek oborri i partisë. Si mund të pranohet ky lloj karagjozllëku? Kjo quhet shkarje ledhi, rrëshqitje e fortë. Të shkosh pas një individi të tillë do të thotë të rrëshqasësh bashkë me të. Shqipëria sot respektohet në arenën ndërkombëtare si asnjëherë më parë. Jemi në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kemi zërin dhe flamurin tonë dhe pozicionin tonë të barabartë mes të barabartësh. Jemi vendi që pritëm BE-në, që doli për herë të parë në histori jashtë kufijve të vetë. Sapo kemi lënë Presidencën e OSBE-së dhe presim në tetor Samitin e Berlinit. Kjo, sepse kemi fituar respekt dhe aleatët e miqtë tanë na mbështesin”, tha Edi Rama, në Kukës.
