Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se “sot në Korçë u krye një tjetër faj i shëmtuar infektimi masiv, ndërkohë që në Tiranë vijon vaksinimi masiv”. Kryeministri ndau dy foto nga takimi elektoral i kreut të PD-së, Lulzim Basha në Korçë, dhe nga procesi i vaksinimit masiv në kryeqytet. “Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore’, thoshin latinët”, tha Rama. “Kjo këmbëngulje prej shejtanbudallai në fajin e kërcënimit të shëndetit të njerëzve për interesin mizerabël të një fushate edhe më mizerabël, me makina, bori, zhurmë e turmë, duke bërë përshesh në çdo shesh, është një djallëzi prej njerëzish pa vizion, pa karakter, pa përgjegjësi e as fije njerzillëku”, tha Rama. Lus Zotin, tha Kryeministri, “që për dy a tre javë që i duhen virusit të kapë rrugët e frymëmarrjes, këta njerëz të verbër e të keqpërdorur, të mos përfundojnë spitaleve për mullaqet e Lulëzimit e për mustaqet e Saliut”.