Edmond Krasniqi

Edmond Ekrem Krasniqi: BDI i ka shndërruar shqiptarët në “popull rezervë” të ekipit maqedonas

   “Liria e ime fillon atëherë kur unë zgjedh çfarë unë dua për veten time pa i dëmtuar të drejtat tua dhe lirinë tënde. Liria e ime merr fund atëherë kur ti vendos për të drejtat e mia”

Liria dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni vazhdojnë që të vendosen nga maqedonasit. Në Maqedoni janë maqedonasit ata të cilët vendosin se cilat mund të jenë dhe cilat janë vijat e kuqe të të drejtave të shqiptarëve. Ky është boshti i shovinizmit maqedonas ndaj shqiptarëve mbi të cilën Maqedonia është nisur drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian me bekimin e partive pushtetare shqiptare.

Partitë shqiptare në Maqedoni, është fjala kryesisht për BDI-në, këtyre 17 viteve kanë prodhuar një krijesë të çuditshme dhe e kanë shndërruar veten, e bashkë me ta edhe shqiptarët e vendit, në një lojtar rezervë i cili shënon herë pas here kur futet në lojë në shërbim të fitores apo humbjes të ekipit maqedonas, por  i cili i gëzohet më shumë pse hyri në lojë, sesa a shënoi apo jo, apo sesa a fitoi ekipi apo jo.

E kur ekipi në të cilën gjenden ato e humbet lojën, siç është vija e kuqe ndaj gjuhës shqipe, atëherë ai po ashtu i gëzohet golit që shënoi në ndeshjen e humbur. E kur nuk ka shënuar as në golin e ndeshjeve të humbura e as të fituara, di të thotë: “Kam shënuar në lojërat e tjera…Do të shënoj në ndeshjen e ardhshme” apo edhe “Do të jem më i mirë në kampionatin e ardhshëm”.

Kështu ndodhi gjatë qeverisjes së parë pas 2001 në ekipin LSDM-BDI, pastaj VMRO-DPMNE-BDI, VMRO-DPMNE-PDSH, dhe përsëri VMRO-DPMNE-BDI. Kështu po ndodhë tash përsëri me qeverisjen e ekipit të tashëm LSDM-BDI-PDSH-Besa e Gashit.

Fakti se tash BDI në qeveri ndodhet me vetëm 10 deputetë thotë se rezerva BDI i ka mbushur mbi 30 vjet në futboll dhe ka rezerva të tjera që duhen për ekipin maqedonas. E këtë rrol përkohësisht po e bëjnë edhe PDSH dhe Besa e Afrim Gashit.

Pjesëmarrja e tyre tash në qeverinë e Zoran Zaevit nuk ka ndryshuar gjë nga përvoja e deritashme.

Këto tre parti po i gëzohen fitores së ekipit, përkatësisht sigurimit të 80 votave, për fitoren drejt hyrjes në NATO dhe BE, por po dështojnë njëjtë sikur 17 vitet e shkuara për të drejtat, pozitën dhe barazinë e shqiptarëve në ekipin e vendit në këtë rrugëtim/kampionat të gjatë.

Më ketë kushtetutë aktuale të Maqedonisë, pas 2 viteve shqiptarët do të vazhdojnë të jenë qytetarë të diskriminuar dhe të rendit të dytë të një vendi anëtarë në NATO e pas rreth 10 vitesh edhe anëtarë të BE-së.

Nuk ka standard as në vendet e NATO-s e as të BE-së për gjuhët e popujve që

janë pakicë (apo jo-shumicë siç kategorizohen shqiptarët në Maqedoni). Ato ndryshojnë nga vendi në vend. Edhe në NATO dhe BE ka diskriminim ndaj gjuhës të atyre që janë pakicë. Madje në disa prej tyre as nuk u njihet statusi i pakicës fare.

Maqedonia ndodhet diku në mes, për nga të drejtat e shqiptarëve në krahasim me vendet e Evropës, por për nga përqindja e madhe (zyrtarisht mbi 25 për qind) ajo ndodhet në krye të tabelës për diskriminimin ndaj gjuhës shqipe që në kushtetutë.

Edhe qeveria e tashme “evropiane” e Maqedonisë po vazhdon me qasjen  e atyre të 17 viteve të kaluara – që nga konflikti i vitit 2001 – dhe po rezufon që gjuha shqipe të bëhet plotësisht zyrtare që në kushtetutë ashtu siç është gjuha maqedonase.

Katër propozimet e amendamenteve kushtetuese për marrëveshjen e Prespës me Greqinë për të ndryshuar emrin e vendit në ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’ të bëra nga qeveria e udhëhequr nga LSDM dhe partnerët e saj shqiptarë BDI, PDSH dhe Lëvizja Besa – krahu i A. Gashit, i lanë jashtë kërkesat e partive opozitare, Aleanca për Shqiptarët (ASh) dhe Lëvizja Besa – krahu i Bilall Kasamit, që gjuha shqipe të futet në Kushtetutë si gjuhë e dytë e plotë zyrtare në vendin i cili po merr rrugë për hyrje në Bashkim Evropian dhe NATO.

Kryeministri Zoran Zaev dhe partnerët e tij shqiptarë e futen një fjali për Marrëveshjen e Ohrit në këto propozim-amendamente, duke tentuar kështu t’i bindin shqiptarët se kjo qeveri po bënë diçka për të drejtat e shqiptarëve në këto momente kur presioni i opozitës shqiptare është në rritje edhe pse i zbehët.

Mashtrim ky i paskrupullt nga ana e pushtetit.

Marrëveshja e Ohrit, deri më tash nuk i ka realizuar krejt të drejtat e kërkuara nga shqiptarët, dhe refuzimi i maqedonasve për të bërë ndryshimet kushtetuese e plotësuar kërkesat e shqiptarëve për gjuhën dhe bërë ata popull kushtetues është dëshmia më e mirë e qasjes shoviniste maqedonase.

Në Maqedoni shqiptarët mbeten të diskriminuar dhe qytetarë të rendit të dytë dhe trajtohen si “popull rezervë” nga maqedonasit.

Kjo është arsyeja pse këtyre ditëve, shqiptarët e Maqedonisë, por jo ata në pushtet, e nisën fushatën kundër Marrëveshjes së Ohrit e cila i ka kufizuar të drejtat e shqiptarëve në “popull 20 përqindësh”.

Argumentet e LSDM-së dhe partnerëve të saj qeveritar thonë se nuk është koha tash për të hapur kushtetutën për të drejtat e shqiptarëve sepse u dashka të përfundohen ndryshimet kushtetuese për marrëveshjen me Greqinë për të hapur dyert e NATO-s dhe BE-së.

Por, këto argumente po përdoren për të hedhur pluhur syve shqiptarëve dhe po fshehin shovinizmin edhe të LSDM-së ndaj kërkesave të drejta të barabarta të shqiptarëve me maqedonasit.

Është pikërisht tash momenti,  kur VMRO-DPMNE është drejtë shpartallimit dhe humnerës, për të siguruar dhe garantuar mbi 80 vota në parlament edhe për ndryshimet kushtetuese në të mirë të shqiptarëve.

Më pastaj do të jetë vonë. Sepse më pastaj kjo qeveri, sikur edhe qeveritë e tjera deri më tash, do t’iu hedhin pluhur në sy përsëri shqiptarëve për të zgjeruar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe përmes ligjit në pritje për t’u nënshkruar nga kryetari i ardhshëm i shtetit. Por edhe më këtë ligj, gjuha shqipe mbetet prapë e kufizuar.

Në këtë mënyrë si edhe gjatë këtyre 17 viteve dhe në të ardhmen partitë shqiptare në pushtet, në rend të parë BDI, do të vazhdojnë që të shërbejnë si rojtare e Maqedonisë me çdo kusht dhe dëmtuese e të drejtave të plota shqiptare duk u kënaqur me të drejta të kufizuara, vija  të kuqe të cilat i vendosin partitë maqedonase.

Me këto parti në pushtet shqiptarët në Maqedoni do të vazhdojnë që të mbeten ‘popull rezervë’ në shërbim të partive maqedonase dhe Maqedonisë siç e duan maqedonasit, dikur të VMRO-DPMNE e tash të LSDM-së, për fitoret e tyre për pushtet në ligën e shteteve të dobëta evropiane që diskriminojnë ata që nuk janë shumicë.

Por analogjia me ekip futbolli nuk është e qindpërqindtë. Ekipi pushtetar i Maqedonisë nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët.

Në kohën kur Zaev po shpartallon VMRO-DPMNE-në dhe partnerët e saj ai do të mund të vijë në një pozitë kur të mos ketë nevojë për votat e shqiptarëve. Por ai e asnjë parti tjetër maqedonase nuk do ta bëjnë këtë, sepse do e shembnin Maqedoninë dhe dërgonin atë drejt zhbërjes.

Partitë shqiptare shqiptarët dinë që ta tundin Maqedoninë kur nuk janë në pushtet, siç ishte rasti me BDI-në pasi që në 2007 VMRO-DPMNE e mori në pushtet PDSH-në.

Por të drejtat e një populli nuk maten me golat e shënuara të lojtarit rezervë në ndeshjet e fituara apo të humbura të ekipit apo edhe nëse ekipi do të jetë fitues i ligës.

Por për fat të keq partitë shqiptare, BDI në rend të parë, kështu po vepron dhe po i konsideron shqiptarët dhe Maqedoninë.

Kjo parti dhe të tjerat shqiptare në pushtet po kënaqen me të drejtat që shqiptarëve ua vendosin/japin maqedonasit. Kjo nuk është liri. Ky është pranim i diskriminimit dhe vet-kënaqje me liri të kufizuar, pra me shovinizmin ndaj vetvetes.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …