Ekrem Krasniqi:

Edmond Ekrem Krasniqi: DEMOS-CRATOS, populli dhe “filozofët” e PDK-së dhe VV-së

Zvicra është një shembull modest se çfarë mekanizmi duhet krijuar që qytetarët/populli të ketë të drejtën e kontrollit të pushtetarëve, pra vendimeve të institucioneve. Modeli zviceran për referendume të shpeshta është një shembull që duhet instaluar në Kosovë, madje edhe më rreptë dhe mé shpesh,  në mënyrë që votuesi/populli të kontrollojë të deleguarit e tij të cilët shndërrohen në sundues ndaj votuesve/popullit menjëherë pas zgjedhjeve.

Të renditur pas dy partive politike kundërshtare, dy « filozofë », njëri nga Kosova e tjetri nga Shqipëria, këtyre ditëve po kacafyten gabimisht përmes interpretimeve të tyre rreth mendimeve e thënieve të të tjerëve për të deshifruar «demokracinë» në shërbim të së mirës së qytetarëve-popullit.

Shkrimet e tyre devijojnë skajshmërisht në personalizim partiak dhe nuk tentojnë që të merren drejtpërdrejt me mënyrën se si populli duhet të udhëheq veten. Ata nuk janë kreativ dhe nuk kanë ide origjinale se me çfarë mekanizmave të vërtetë demokratik populli të sundojë/qeverisë veten. Por, ata harxhojnë energji dhe ofendojnë njëri-tjetrin. Ata merren tutje edhe mbrojtjen e partive të tyre, se a është partia në të cilën gjenden ata më e mira për të udhëhequr popullin.

Sa do që Blerim Latifi i PDK-së dhe Elvis Hoxha i Vetëvendosjes mund në ndonjë cep të mendjes së tyre të kenë të njëjtin synim, pra për të mirën e popullit, perceptimet e tyre ndaj njëri-tjetrit dhe partive të tyre në të shkruar sikur krijojnë dy popuj: popullin e PDK-së dhe popullin e VV-së dhe po aq rrëshqasin dhe trumbetojnë të kundërtën e Demokracisë së vërtetë.

Kacafytjet e tyre bëhen jashtëzakonisht të zbehta dhe të turbullta meqë që të dy, siç edhe partitë e tyre, pretendojnë se sistemi aktual në Kosovë (dhe gjetiu nëpër botë) për t’u ngjitur deri në institucione qenka krejtësisht demokratik, pra, sipas tyre, edhe në 3 zgjedhjet e fundit në Kosovë.

 

«Filozofët » e të deleguarve jo-legjitim

Latifi dhe Hoxha në këto kacafytje harrojnë se viteve të fundit, as PDK e as VV, dhe asnjë parti tjetër në Kosovë që ka arritur të kualifikohet në parlament përmes votës së pakicës së popullit nuk është përfaqësuese legjitime e shumicës së popullit dhe si të tilla ato në sistemin aktual ndodhen në institucione pikërisht jo-legjitime.

Ata harrojnë të zbërthejnë kuptimin e vërtetë të fjalës Demokraci (DEMOS-CRATOS).

 Këta « filozofë » që « filozofinë » e tyre për popullin apo popujt (sipas animit partiak), përkatësisht të drejtën e popullit për të « PDK-kasur » apo « Vetë-vendosur » e spërkasin me thënie dhe mendime të të tjerëve dhe i stolisin me versionet e tyre që burojnë nga trumbetimet e mëhershme partiake, nuk janë në pozitë për të hedhur para publikut lirshëm ndonjë ide të tyre origjinale dhe kreative se në çfarë mënyre populli duhet që të marrë të drejtën në duar të tij për të arritur pikërisht të drejtat e tij për mirëqenien e tij.

Dikur, në feudalizëm e mbretëri, pastaj në socializëm e »komunizëm » (sistem njëpartiak, pra diktaturë) e tash kapitalizëm (sistem shumëpartiak, kinse Demokraci, pra sundim modern), sundimi me popullin apo popujt në thelb mbetet i njëjtë, ka ndryshuar vetëm forma .

E drejta e popullit për të vendosur, pra qeverisur veten e tij edhe në sistemin e sotëm është jashtëzakonisht e kufizuar dhe me përplot pabarazi e shkelje të rënda të të drejtave, kërkesave dhe interesave të qytetarëve, popullit/popujve.

 Kjo kështu, sepse fjala « Demokraci » është shtrembëruar dhe ajo e ka humbur kuptimin e saj thelbësor, nga pikërisht atë që marrin pushtetin, kush më pak e kush më shumë, këtu në Kosovë e gjetiu nëpër botë.

 Kjo kështu për shkak se janë injoruar mekanizmat e kontrollit që duhet të jenë në duart e vet popullit ndaj pushtetarëve, përkatësisht ndaj institucioneve qendrore dhe lokale.

Nëse i mbesim besnik kuptimit të fjalës DEMOS- CRATOS, lehtë do të konkludojmë se sot askund në botë, në asnjë shtet në botë, nuk ka pra demokraci të vërtetë.

Me fjalë të tjera, as sot askund nëpër botë, pra as edhe në « demokracitë » dhe vendet më të përparuara, nuk është populli ai që vendos krejtësisht për veten e vet, për jetën e tij, por vetëm pjesërisht dhe atë në një minimum jashtëzakonisht të kufizuar.

Qytetarët, populli dhe popujt, pra në këtë rast votuesit me të drejtë vote, dalin në zgjedhje për t’ua dhënë besimin kandidatëve me shpresë se të deleguarit e tyre do të vendosin mirë dhe realizojnë kërkesat e popullit për jetë më të mirë, pra përmbushjen e kërkesave, interesave dhe të drejtave të votuesve.

Latifi dhe Hoxha sikur « harrojnë » faktin se demokracia e vërtetë kërkon vendimin, vullnetin e  shumicës, pra shumicës së popullit.

Ata “harrojnë” se demokracia e vertetë kërkon që edhe pas zgjedhjeve mekanizmat e kontrollit ndaj pushtetarëve duhet që të ekzistojnë më shpesh e jo vetëm të priten zgjedhjet e reja.

 Që të dy « harrojnë » se ku pikërisht fillon DEMOCRACIA e cila në sistemet aktuale më vonë – pra pas krijimit të institucioneve – deformohet për të sunduar për interesat e vet atyre që gjenden në pushtet dhe interesat e qytetarëve/popullit hedhen tutje në një skutë.

Demokracia e vërtetë kërkon mekanizma shtesë kontrolli  ndaj pushtetarëve/institucioneve

Por, që të dy kacafyten pakuptueshëm dhe dalin krejtësisht nga thelbi i të drejtës së popullit që të vendos për veten e tij, pra që ta qeverisë vetveten dhe të kontrollojë të deleguarit e tij, pra të kontrollojë institucionet, vendimet e tyre.

Meqë, Kosova është terreni i përplasjes banale të këtyre dy « filozofëve » që nuk dinë tjetër të shkruajnë pos duke u thirr e përdorë citate të filozofëve të huaj ( të vdekur e të gjallë) atëherë do i përmbahem këtij përcaktimi gjeografik dhe do të tentoj të shpreh mendimet e mia se a është populli i Kosovës ai që po vendos për veten e vet, për jetën e tij. Por, jo vetëm ai i Kosovës. I njëjti ilustrim, vlen edhe për gjetiu nëpër botë.

 

 Liria e ime fillon nga e drejta për të zgjedhur, them unë.

Nëse unë zgjedh dikë që më vonë do të të më dëshpëroj, askush tjetër pos meje nuk e ka fajin, sepse unë e kam zgjedhur me votën time.

 Nëse unë zgjedh dikë që më ka plotësuar një pjesë të kërkesave, e të drejtave e interesave të mia, merita përsëri bie tek unë.

Por unë kam të drejtën edhe të mos zgjedh fare asnjë nga partitë dhe kandidatët, pra në këtë rast të mos votoj fare.

 Sundim i shumicës me mandatin e marrë nga pakica

 Në zgjedhjet e fundit, me 11 Qershor, 59 % e qytetarëve (popullit) me të drejtë vote, pra shumica e popullit e zgjodhi të tretën, pra vendosi që të mos të zgjedhë këta kandidatë, dhe nuk votojë fare.

 Vetëm 41 %, pra pakica doli në zgjedhje për këto parti dhe kandidatë.

Prandaj, cila është shumica këtu? Cili është vendimi i shumicës në zgjedhjet e 11 Qershorit ? Për kë vendosi shumica e popullit në këto zgjedhje ? Shifrat e pjesëmarrjes  në zgjedhje thonë qartë se shumica e popullit ishte kundër këtyre partive dhe kandidatëve.

 Këto janë pra zgjedhjet e treta me radhë që shumica e popullit është kundër këtyre partive dhe kandidatëve të tyre.

 Po e respektuam dhe i mbetëm besnik kuptimit të pastër të fjalës DEMOS-CRATOS, populli i Kosovës me rregullën e shumicës të po kësaj fjale (demokraci), vendosi që këta njerëz, këto parti të mos e qeverisin pra popullin, pra as Kosovën.

A ka këtu DEMOKRACI ? JO, nuk ka aspak.

Ja pra se nuk ka “demokraci” në Kosove e as në ato vende ku në zgjedhje apo referendume dalin më pak se 50 % e votuesve.

 41% nuk ka te drejte legjitime që të delegojë dikë për të udhëhequr edhe pjesën tjetër 59%, pra edhe shumicën. Kjo është grabitje e të drejtës për të qeverisur, dhe shndërrohet në votë të përvetësuar për të sunduar. Këtu fillon zhvatja dhe dëmi ndaj Demokracisë.

 Prandaj, meqë në tre zgjedhjet e fundit në Kosovë shumica e popullit nuk doli në zgjedhje, pikërisht i njëjti nuk gëzon lirinë e vërtetë, sepse të njëjtën ua morën ata që u deleguan nga pakica.

Por, edhe sikur të kishte 100 % dalje në zgjedhje, legjitimiteti i tyre përsëri nuk garanton, dhe nuk do ta garantojë kurrë, që përmes institucioneve (pra legale), se këta të deleguar do të marrin vendime ashtu siç duan qytetarët, pra populli shumicë, të paktën jo me sistemin aktual në Kosovë, ku e drejta për referendum është injoruar.

 Uzurpim vote e pushteti për të vetëvendosur në dëm të popullit

 Do e marrë një shembull shumë të thjeshtë për ilustrim për shkëputjen e vrazhdët të të deleguarve nga votuesit, populli.

 A është pyetur ndonjëherë populli i Kosovës (apo ndonjë popull nëpër botë) se sa duhet të jetë paga e qeveritarëve, parlamentarëve dhe njerëzve të tjerë nëpër institucionet publike qendrore dhe komunale ? JO, nuk është pyetur.

 E ku qenka këtu pra Demokracia ? Ku mbeti vendimi/konsultimi i popullit ? Ku mbeti e drejta e popullit për të vendosur për jetën e tij të përditshme dhe të ardhmen, kur i njëjti popull pagën mesatare në subjekte/institucione publike dhe private e ka 360-370 euro, e të deleguarit e tyre, pra uzurpuesit e votës dhe pushtetit, vendosin vet për pagat e tyre deri në 5 e më shumë herë më të mëdha. Shto edhe privilegjet e tjera, uzurpimi, keqpërdorimi dhe shkelja ndaj vullnetit të popullit (pakicë dhe shumicë) bëhet edhe më i vrazhdët.

 Ja pra sa shpejt shembet kuptimi i zërit dhe së drejtës të popullit për të vendosur. Ja pra se sa herët shkelet dhe përfundon demokracia në Kosovë dhe në vende të tjera nëpër botë.

Pse po i njëjti popull nuk e ka të drejtën që të vendos se sa duhet të jetë paga e qeveritarëve, parlamentarëve, e zyrtarëve të tjerë në institucionet dhe agjencitë e bordet qendrore e komunale ?

E zgjodha këtë çështje për pagat, sepse sot paraja është ajo që dominon mendjen e qenies njerëzore, fatkeqësisht, dhe kjo është e stërtheksuar sidomos tek vendet e pazhvilluara, në këtë rast siç po flasim për Kosovën.

Shembuj të këtillë se si populli nuk është ai që vendos për veten e tij, por janë uzurpuesit e votës së tij, pra të deleguarit e tij, ka sa ta duash.

 

Të deleguarit jo-legjitim shpëtojnë nga kontrolli popullor

Në Kosovë « legjitimiteti » i partive politike dhe kandidatëve të tyre e ka shifrën 41%. Legjitimiteti (pa thonjëza), pra ai i vërteti ndodhet në shtëpitë e 59 % të votuesve, pra popullit shumicë.

 As PDK, as VV , as LDK, as AAK, as Nisma, as Akr, as Alternativa dhe asnjë parti politike tjetër nëpër botë nuk ka të drejtë që të thirren në legjitimitet nëse në zgjedhje marrin pjesë më pak se 50 %, edhe pse aty këtu ndonjë shtet mund të ketë përcaktuar një kufi të poshtëm kushtetues për pjesëmarrje nën 50 %.

 Këto institucione në Kosovë për herë të tretë nuk janë legjitime, pra të deleguarit nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës së popullit të Kosovës.

Këta të deleguar bëjnë jetë më të mirë se sa populli (pakica që voton dhe shumica që nuk po voton).

Këta të deleguar janë përfaqësues të pakicës dhe bëjnë jetë luksi.

 Këta të deleguar i bëjnë pagat si të duan vet, e bashkë me rrjetet e tyre të sektorit privat edhe koston e rëndë të jetës për qytetarët votues dhe jo votues, pra popullin.

 Këta uzurpues marrin paga nga buxheti i taksapaguesve, pra populli, deri në 5 herë më të mëdha sesa mesatarja e atyre që i deleguan (41%) dhe atyre që nuk i deleguan (59 %) pa e pyetur hiç aspak atë, pra popullin.

 Këta uzurpues vendosin për pronën e përbashkët të popullit, dhe nuk është populli ai që vendos për pronën e përbashkët të tij.

Kësaj i thonë gjithçka tjetër, por Demokraci nuk i thonë dhe nuk është e tillë, sepse shumica e popullit që nuk votoi është kundër të gjithëve që u kandiduan.

 Kësaj i thonë : Në emër të popullit kundër popullit. Kësaj i thonë sundim dhe nënshtrim modren i popullit.

 Prandaj « filozofët » Latifi e Hoxha nuk kanë asnjë të drejtë të thirren në legjitimitetin e partive të tyre dhe hiç fare nuk kanë të drejtë të flasin për demokraci në Kosovë dhe gjetiu nëpër botë, ku në zgjedhje dalin më pak se 50 % e popullit.

Ata mund të flasin dhe të vazhdojnë të kacafyten për garën për pushtet, pra sundim të popullit në emër të popullit, nga partitë dhe kandidatët e tyre në emër të evitimit të anarkisë klasike për të instaluar secila prej këtyre partive një anarki të kontrolluar nën petkun e fjalës së deformuar kudo nëpër botë: DEMOS-CRATOS.

«Filozofët » e këtillë partiak, do të duhej të aktivizojnë mendjen e tyre e të jenë kreativ se çfarë mekanizma duhet krijuar për të respektuar vullnetin e shumicës ; të japin ide se çfarë mekanizmash duhet krijuar nëpër kushtetutat e vendeve, shteteve për të eliminuar kufizimet e ashpra ndaj fjalës demokraci ; për të dalë nga përmbytja e vullnetit të shumicës ; për të zvogëluar e deri në pamundësuar uzurpimin e votës, keqpërdorimin e saj ; për të rritur mekanizmat e kontrollit ndaj këtyre të deleguarve jo-legjitim, pra edhe shefave të partive të tyre; për të krijuar mekanizma të rregullt dhe të fortë që pushteti dhe shteti të kontrollohen nga pikërisht shumica/populli.

Shefat e Blerim Latifit dhe Elvis Hoxhës, nuk do të duhej të jenë tema dhe çështje për debatesh të kota dhe kacafytjesh nëpër media, por mekanizmat që duhet krijuar për pikërisht popullin që këta lloj të deleguarë jo-legjitim të kontrollohen nga vet populli (shumica).

As në BE nuk ka Demokraci (DEMOS-CRATOS) ashtu siç trumbetohet

 

Në BE flitet për ditë për demokraci dhe taksa-paguesit, pra për qeverisje nga vet populli/ qytetaret , por shih si u anuluan të drejtat dhe rezultatet e referendumeve për Traktin e Mastrichtit, apo më vonë e drejta për referendum për Traktin e Lisbonës (në përjashtim të Irlandës).

As nëpër pjesët e botës me mirëqenie ekonomike-sociale më të mirë, nuk është populli ai i cili vendos për jetën e tij. As atje nuk është populli ai që vendos se sa taksa do të paguajë; se sa duhet të jetë paga e të deleguarve të tij në institucione, as se a duhet të shitet/privatizohen pronat shoqërore, shtetërore… Por, janë të deleguarit, pra uzurpuesit e votës së tij që marrin vendime pa e pyetur popullin, pra pa referendume.

Në Britani të Madhe pati një përjashtim së fundi për një çështje madhore. Atje shumica me referendum vendosi që të dalë nga BE. Kjo është demokracia e vërtetë, meqë pra u konsultua dhe u respektua mendimi i pikërisht popullit. Por, a do të jetë vendim i mirë për britanikët, kjo mbetet që të shihet në të ardhmen.

Të paktën britanikët e gëzuan të drejtën për të vetëvendosur, e mira dhe e keqja do të mbetet meritë apo faji i shumicës që votoi për dalje nga BE, në këtë rast.

 Por bartja/zhvendosja e të drejtës për vendimmarrje tek pakica / të deleguarit në emër të edhe të shumicës, nuk ka të bëjë hiç fare me demokraci të vërtetë – pra qeverisjen nga populli, pra nga shumica.

 Referendumet e shpeshta formë e mirë për të kontrolluar institucionet, pushtetarët

 Të gjithë ne pajtohemi se duhet të evitohet anarkia që të ketë një lloj rendi normal minimal.

Por, për të evituar sundimin nga kjo pakicë individësh që shkeputet edhe nga pakica apo shumica që ia jep votën/besimin, atëherë një formë konsultimi popullor të shpeshtë, si në Zvicër duhet instaluar për çështje kyçe për interesat e përbashkëta të të gjithëve – qytetarëve/ popullit.

Të drejtë dhe të mirë absolute nuk ka pasur dhe nuk do të ketë përderisa “drejtësia” është në duart e qenies njerëzore.

Në Kosovë bastardimi më ekstrem i kuptimit të vërtetë të Demokracisë ka arritur kulmin. Dhe këtë e bëjnë pikërisht të deleguarit të cilët në emër të institucioneve ku janë deleguar i sundojnë pikërisht ata që ua dhanë votën (pakica) por dhe ata që nuk dolën fare në zgjedhje (shumica).

 Nëse do të respektohej fjala e vërtetë Demokraci, askush nga këta të deleguarë ( në 3 zgjedhjet e fundit në Kosovë) nuk e ka të drejtën legjitime për të krijuar institucione, meqë shumica e popullit nuk doli fare në zgjedhje.

 Edhe me pjesëmarrje të shumicës në zgjedhje, apo vetëm edhe të pakicës,  vendimet e institucioneve (qeveri e parlament) merren pa konsultim paraprak të votuesve, pra popullit, për tema/çështje veç e veç, pra pa referendume.

 Zvicra është një përjashtim.

Ky shtet është një shembull modest për respektim të pjesshëm të kuptimit të fjalës DEMOS-CRATOS, sepse atje ka referendume të shpeshta për çeshtje që askund tjetër në botë nuk ka.

 Me apo pa pjesmarrje të shumicës së popullit në zgjedhje Kosova dhe vendet e tjera do të duhej të ndjekin shembullin e Zvicrës, për të respektuar fjalën Demokraci për të mirën e popullit.

 Referendumet e shpeshta janë forma më e mirë e kthimit të kontrollit në duar të vet popullit ndaj të deleguarve të tij.

 Kosova, si asnjë vend tjetër në kontinentin tonë, ka nevojë për referendume të këtilla, sepse problemet e saj ekonomike dhe sociale vetëm se po thellohen gjithnjë e më shumë.

 Ftesa për debat mbetet e hapur. Përvojat e këqija dhe problemet nxisin idetë për rrugëdalje.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …