Do të duhen vite derisa CDU të rifreskohet dhe ta rikthejë fuqinë politike të Gjermaninë në Bashkim Evropian e në botë, pra edhe në Ballkanin Perëndimor, e ndërkohë BE-ja duhet të mendoj me kokën e Angela Merkelit për të frenuar ata që kërcënojnë destabilizimin e rajonit, ndërsa qeveria dhe opozita e Kosovës përmes parlamentit, pikërisht këtyre ditëve, duhet treguar derën të gjithë atyre që synojnë tkurrjen e territorit të vendit.
Largimi i Merkelit nga kreu i partisë në pushtet dhe vendimi i saj se mandati i tashëm (deri në 2021) si kryeministre e Gjermanisë do të jetë i fundit, pritet që të ketë ndikim jo të mirë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu kufijtë e tashëm të Kosovës të cilët po vihen në pikëpyetje nga kryetarët e Serbisë dhe të Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi, dhe po aq edhe të ardhmen e Bosnjës të rrezikuar nga kërcënimet e serbit tjetër pro-rus Milorad Dodik.
E natyrisht, njoftimeve nga Berlini se Merkel do të largohet përfundimisht nga skena politike do t’i gëzohet edhe i pari i Rusisë, Putini, i cili përmes aleatëve të tij në Serbi dhe Bosnjë synon dobësimin e ndikimit të BE-së në Ballkan dhe me këtë edhe destabilizimin e tij, duke shfrytëzuar armiqësitë ndër-etnike gjithandej nëpër rajon.
Është pikërisht Merkel dhe kabineti i saj qeveritar që muajve të fundit ia ndalën vrapin Vuçiçit dhe Thaçit për të rrudhur tokën e Kosovës.
Por që nga e hëna, njoftimi i Merkelit për largim i ringjallë përsëri apetitet e Vuçiçit ndaj territorit të Kosovës, ndërkohë që edhe Thaçi tash do t’i fërkojë duart për të rritur presionin ndaj partive politike të Kosovës për rrudhjen e territorit të Kosovës, duke shpresuar se Vuçiçi dhe ndihmësit e Kryetarit të SHBA-ve Donald Trump, përmes prokurorit amerikan Jack Smith do t’i ndihmojnë atij që t’iu shpëtojë akuzave në pritje nga Gjykata Speciale në Hagë për krime të luftës.
Kjo situatë e ndërlikuar tash për Kosovën bëhet edhe me potencial më të dëmshëm kur largimit të Merkelit i gëzohen edhe njerëzit e kabinetit të Donald Trump, siç është Këshilltari për Siguri Nacionale John Bolton, i cili tash me Merkelin në largim e sipër do ta ketë më të lehtë që negociatave midis Vuçiçit dhe Thaçit t’iu jap shtytje të re që do të çonin në dëm të kufijve të Kosovës, dhe dobësim të stabilitetit të tërë rajonit, pra edhe vet të BE-së.
Trump nuk e do një BE të fortë dhe njerëzit si Bolton nuk do të ngurrojnë që të përdorin disponimin e Vuçiçit dhe Thaçit për të trembur BE-në deri sa ajo do t’i bashkëngjitet qasjes së kësaj Shtëpie të Bardhë për Iranin dhe Lindjen e Mesme.
Por ky skenar i rrezikshëm për kufijtë e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit nuk ka garanci se do të ketë sukses krejtësisht ashtu siç mund ta ketë projektuar dikush.
Janë partitë politike në Kosovë, ato në pushtet dhe opozitë që mund të kenë fjalën kryesore për bisedimet tashmë të suspenduara midis Vuçiçit dhe Thaçit.
Thaçi nuk mund të ketë sukses në planet e tij me Vuçiçin, kur parlamenti i Kosovës do t’ia ndalonte atij këto lloj bisedimesh apo edhe ta detyronte atë që të largohet nga ky proces i turbullt dhe i rrezikshëm i bisedimeve.
Qeveria e Kosovës dhe partitë opozitare pikërisht përmes parlamentit tash do të duhej të marrin përsipër vendimet për tërë procesin e këtyre negociatave dhe thënë STOP njëzëri të gjithë atyre, në Kosovë, Serbi dhe gjetiu, që synojnë që të tkurrin tokën e Kosovës pér çfarëdo qëllimesh personale apo gjeo-strategjike që mund të kenë përtej rajonit ballkanik.
Largimi i Merkeli duhet që të tingëllojë edhe si alarm tek qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, të cilat tashmë nuk do ta kenë një personalitet të fortë dhe me ndikim frenues ndaj krerëve të vendeve të Ballkanit, sidomos atyre në Serbi, që rrugën drejt BE-së duan ta hapin përmes kërcënimeve me destabilizim të rajonit me mbështetjen e vjetër të Rusisë dhe tash të re edhe të administratës destruktive të Donald Trumpit.
Mungesën e Merkelit vendet e BE-së mund ta kompensojnë me qëndrim unik dhe te prerë se kufijtë e tashëm të vendeve të rajonit janë të paprekshëm.
E kundërta do t’i detyrojë që të gjithë liderët e vendeve të BE-së që t’i gjunjëzohen Putinit dhe Trumpit për të ndalur gjakderdhjen e re në rajon duke bërë kompromise të tjera me njërin prej tyre në Lindje të Mesme dhe Iran.