Qytetarët e Maqedonisë në Shtator do të gëzojnë të drejtën e shenjtë për të vendosur me mendjen dhe dorën e tyre, për ndryshimin apo mos ndryshimin e emrit kushtetues të vendit të pajtuar nga qeveria aktuale me Greqinë.
Duke qenë neutral në atë se a është kjo marrëveshje për ndryshim të emrit në ‘Republika Maqedonia e Veriut’, e mirë apo e dëmshme, sepse ka të bëjë me identitetin e popullit maqedonas dhe jo të qytetarëve të tjerë të vendit, është për t’u përshëndetur vendimi i qeverisë së koalicionit, me në krye Kryeministrin Zoran Zaev, për të mbajtur referendum mbi këtë çështje madhore për vendin fqinj të Kosovës dhe Shqipërisë.
E drejta e referendumit, është kulm i së drejtës së qytetarëve, apo popullit, për të vendosur për çështje madhore për veten e tyre dhe vendin e tyre.
Mirëpo kjo e drejtë është e « ndaluar » në Shqipëri dhe në Kosovë.
Tetë vite më parë, partia aktualisht në pushtet në Shqipëri, PS, e inicioi hedhjen poshtë në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes për kufirin detar të vitit 2009 me Greqinë të nënshkruar nga PD-ja.
Me ardhjen në pushtet të PS-së, tash gjërat duket se kanë ndryshuar. Bisedimet që tash qeveria e Edi Ramës është duke i zhvilluar me Greqinë për të njëjtën çështje do të marrin epilogun së shpejti, nën trysninë e Athinës e cila tingëllon shumë thjeshtë : « po nuk më dhe territor në det, nuk do të mund të anëtarësohesh në Bashkim Evropian ».
Të njëjtën trysni Athina e përdori edhe ndaj Maqedonisë. Por përderisa në Maqedoni do të ketë referendum popullor, në Shqipëri e drejta në referendum deri më tash po heshtet nga qeveria aktuale, dhe po aq edhe nga opozita (PD dhe LSI).
Marrëveshja e re, në pritje, midis qeverive aktuale në Shqipëri dhe Greqi për kufirin detar, dhe pa marrë parasysh se si do të paraqitet ajo para publikut shqiptar nga të dy palët kundërshtare politike në Shqipëri (qeveria dhe opozita), është populli i vendit ai i cili do të duhej thënë fjalën e fundit.
As qeveria e as opozita nuk janë ato të cilat duhet vendosin për territorin e Shqipërisë, por vet qytetarët, populli i saj.
E njëjta duhet që të vlejë edhe në Kosovë tash për planet e Serbisë për krijimin e Associacionit të Komunave Serbe (ASK), e cila në thelb, por jo edhe me emërtim, synon që të krijojë një ndarje të brendshme territoriale në vija etnike, njëjtë si edhe ndarja e brendshme territoriale administrative në Bosnjë e Hercegovinë.
Qytetarëve të Kosovës iu mohua e drejta e referendumit për kufirin me Malin e Zi. Ky gabim është i pafalshëm. Po kaq i pafalshëm do të ishte edhe nëse për herë të dytë qytetarëve të Kosovës u ndalohet e drejta në referendum për ASK-në e Serbisë, brenda territorit të Kosovës.
Përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë nuk kanë të drejtë të vendosin për këto çështje madhore kokë në vete.
Pushtetarët në Shqipëri dhe Kosovë duhet që të ndjekin shembullin e Zaevit dhe të thërrasin referendumet.
Është apo nuk është populli sovrani i vendit ?
Mohimi i të drejtës në referendum thotë se në Shqipëri dhe në Kosovë populli nuk është sovran i vendit të vet. Ky mohim në të njëjtën kohë konfirmon se pushtetarët janë « mbretër » të cilët shkelin mbi të drejtën e vendim-marrjes së qytetarëve, popullit.
(Autori është themelues i agjencisë së lajmeve në gjuhën angleze për Ballkan Perëndimor-BE dtt-net.com)