Shërbëtori vendosi që t’ia qante hallet një shoku të tij. I tregojë se si po punonte shumë ditë e natë dhe krejt çka merrte shpërblim nga punëdhënësi i tij ishte një vend për të fjetur dhe pak ushqim për të ngrënë. Shoku i tij i sugjeroi që të shkojnë tek gjyqtari. Shërbëtori filloi t’i rrëfehet gjyqtarit për hallet e tij.
Kur e përfundoi rrëfimin tek gjyqtari, ky e pyeti : Sa kohë ke që trajtohesh kështu ?
-14 vjet, u përgjigj shërbëtori.
– Qenke mësuar tashmë. Nuk kam çfarë të bëjë për ty. Kthehu atje nga ke ardhur, ia preu shkurt gjyqtari.
Dhe kështu ndodhi, thotë tregimi. Shërbëtori i vuajtur e i poshtëruar u kthye për të vazhduar jetën e tij tek i njëjti punëdhënës.
Ankesat e shqiptarëve në Maqedoni i ngjajnë ankesave të shërbëtorit të këtij tregimi. Fati i të drejtave të tij po ashtu.
Së fundi, pas krizës 2 vjeçare në Maqedoni, të betejës midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, na thuhet përditë se Maqedonia po ‘stabilizohet’, se Maqedonia po ‘reformohet’ për të mirën e qytetarëve të saj, se Maqedonia ndodhet në « rrugë të mirë » drejt Bashkimit Evropian…
Këto janë disa cilësimet që bëhen brenda dhe jashtë Maqedonisë që nga 31 Maji, kur u formua qeveria e re në Maqedoni.
Por a është kështu ? çfarë do të thotë stabilitet ? çfarë do të thotë reformë ? çfarë do të thotë e mira për qytetarët e saj ? çfarë do të thotë rrugë e mirë drejt Bashkimit Evropian ?
Përfaqësuesit, përkatësisht partitë politike shqiptare dhe bashkë me ta edhe krejt votuesit shqiptarë, vazhdojnë të trajtohen si votë rezervë nga partitë politike maqedonase, e nga perëndimi janë bërë adresa e vetme për të ruajtur Maqedoninë e brishtë.
Dhe partitë politike shqiptare po e luajnë këtë valle, plot 16 vite. Tash njëjtë edhe që nga 31 Maji.
Zoran Zaev ua mori shqiptarëve afro 70,000 vota në zgjedhje të Dhjetorit. LSDM i futi në xhep edhe dy parti politike për të formuar qeverinë dhe dërguar në opozitë VMRO-DPMNE-në.
Të gjithë votuesit shqiptarë janë në pritje të premtimeve të LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët se çdo të bëhet me votën e tyre, të cilën ata e dhanë me shpresën së kësaj here gënjeshtrat ndaj tyre do të marrin fund e premtimet e bëra do të realizohen.
Por e kaluara e afërt e premtimeve të partive politike shqiptare sinjalizon ndryshe.
Kërkesa kryesore e Platformës/Deklarata e 7 janarit, është harruar nga të njëjtat parti. Kërkesa e madhe për ndryshime kushtetuese për të bërë gjuhën shqipe të barabartë dhe zyrtare aq sa edhe maqedonishtja i takon të së kaluarës.
Premtimet për ndryshime kushtetuese për gjuhën shqipe u degraduan në një projekt-ligj.
Kjo nuk është risi. Kështu ndodhi prej vitit 2001. Kushtetuta e Maqedonisë për shqiptarët tashmë është e paprekshme. Ligjet mbeten lojë taktike maqedonase për negociata. Kështu ndodhi plot 16 vite e kështu po ndodhë edhe tash, e pritet se do të ndodhë edhe shumë vite të tjera.
Sepse shovinizmi maqedonas është më i fortë sesa patriotizmi i shqiptarëve. Këtu është fjala për partitë shqiptare, jo për votuesit e tyre.
I njëjti shovinizëm ka forma të ndryshme varësisht se për cilën parti politike maqedonase flasim.
Afro pesë muaj, VMRO-DPME e bëri lëmsh Maqedoninë duke mbushur rrugët e qyteteve nën pretekstin kundër gjuhës shqipe. Por kërcënimet e kësaj partie e kishin kufirin e përcaktuar më parë. Kjo parti e kërcënoi deri në skaj por nuk e prishi Maqedoninë. Ajo u tërhoq dhe shkoi në opozitë.
Tërheqja e VMRO-DPMNE nga rrugët krijoi shpresë tek shqiptarët se mund të hap rrugë për përmirësime të reja për pozitën dhe të drejtat e munguara të tyre.
Krejt shpresat u drejtuan tek qeveria LSDM-BDI-Aleanca për Shqiptarët të udhëhequr nga Zaevi. Në krye të listës së shpresave tash ndodhet projekt-ligji për gjuhën shqipe.
Por, Kryeministri Zaev po dëshmon se është mjeshtër dinakërie dhe taktizimesh. Ai duke e frikësuar Bashkimin Evropian se Gruevski dhe klani i tij do të egërsohen përsëri kundër gjuhës shqipe dhe do ta destabilizojnë Maqedoninë i ka bindur perëndimorët që ta ndihmojnë mjeshtërinë e tij për të lënë anash këtë premtim edhe për një kohë të pacaktuar.
BE prioritet kyç në rajon ka stabilitetin. Pra edhe në Maqedoni. Kur maqedonasit ankohen tek perëndimorët për rrezikun për destabilizim, ata drejtojnë gishtin ndaj kërkesave të shqiptarëve.
Kjo është formula e gatshme e tyre se si t’iu mbyllet goja shqiptarëve të cilët janë të dëgjueshëm ndaj perëndimorëve, në kurriz të të drejtave të tyre.
Zaev po frikëson BE-në se miratimi i projekt-ligjit për gjuhën shqipe do të destabilizojë përsëri Maqedoninë, përkatësisht se VMRO-DPMNE do ta dërmoi atë. Dhe perëndimorët po e besojnë këtë dhe janë vënë në shërbim të pushtetit të Zaevit.
Me ketë frikësim në mënyrë kaq dinake, Zaev, në rend të parë synon që para maqedonasve të të fitojë titullin e të fortit i cili nuk u dorëzohet kërkesave të shqiptarëve tash kur po afrohen zgjedhjet lokale.
Dhe BE po e luan lojën e tij, aq sa edhe partitë politike të shqiptarëve në pushtet me Zaevin, sidomos BDI.
Idea e Komisionit Evropian për dërgimin e projekt-ligjit në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës, nuk është gjë tjetër vetëm një që BE po ia bënë Zaevit.
Se kur do të kthejë përgjigje ky komision prognozat mbeten të hapura. Por këtu dëshmohet loja e vjetër e maqedonasve dhe e perëndimit ndaj kërkesave të shqiptarëve.
Shqiptarët në Maqedoni po trajtohen si rezervë e artë sa herë që kanë nevojë partitë maqedonase për pushtet dhe atë nën petkun e ‘stabilitetit’ të Maqedonisë. Po trajtohen të këtillë sepse partitë e tyre politike janë bërë të dëgjueshme pa asnjë kufi.
Këtu tash për tash një përjashtim i vogël mund të bëhet për LR-PDSH e Ziadin Selës i cili thotë se do të largohet nga qeveria nëse premtimi për gjuhën shqipe nuk miratohet nga parlamenti deri në fund të gushtit.
Por si duket LSDM, BDI dhe perëndimorët e kanë rezervën tjetër: PDSH-në e Menduh Thaçit për t’ia zgjatur jetën qeverisë së Zaevit nëse Sela do e mbajë premtimin për t’u larguar nga qeveria.
Ky është test i MADH për Selën dhe patriotizmin e tij.
Selën e rrahu rëndë VMRO-DPMNE-ja. Krejt shqiptarët e Maqedonisë po diskriminohen rëndë dhe janë të lënduar nga krejt maqedonasit tash 16 vite, e pastaj atyre u ofrohen bonbone për t’i pajtuar.
Këto bonbone e kanë emrin: pushtet. Këto bonbone shpërndahen nga maqedonasit të ndihmuar nga perëndimorët, në emër të ‘stabilitetit’ të Maqedonisë.
Është lehtë të kërkohet fajtori tek pala tjetër. Fajtorë janë pikërisht vet shqiptarët, përkatësisht janë partitë e shqiptarëve ato të cilat i kanë shndërruar shqiptarët në fëmijën që mashtrohet me këso lloj bonbonesh.
Kësaj i thonë poshtërim deri në skaj. Më këtë poshtërim ndaj shqiptarëve Maqedonia nuk është gjë tjetër veç një vend përplot gënjeshtra të mëdha. Me këtë poshtërim Maqedonia nuk po reformohet. Me këtë poshtërim Maqedonia nuk meriton që të jetë anëtare e BE-së.
Krejt kjo maskë e krijuar në Maqedoni është pasojë e servilizmit të politikanëve shqiptarë. Me fajin e tyre krejt shqiptarët po e gëlltisin këtë poshtërim në emër të stabilitetit të Maqedonisë.
Shërbëtori i nënshtruar dhe dorëzuar nuk tërheq dot vëmendjen e kujt. Atij i mjafton një copë gjumë dhe një copë bukë për të mbajtur gjallë trupin e tij.
Kjo është gjendja e shqiptarëve sot në Maqedoni. Kjo është Maqedonia e cila synon të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo është gënjeshtra e madhe shumë-etnike e quajtur Maqedoni.