Në intervistën dhënë për Tv Dielli rektori i UBT-së, z. Edmond Hajrizi ka folur për punën ,angazhimet, zhvillimin e hovshëm, për sfidat e sukseset që e kanë përcjellë që nga themelimi e deri tani.
TV-Dielli: Mirë se ju gjetëm, z. Rektor?
Edmond Hajrizi: Faleminderit për ftesën
TV-Dielli: Z. Hajrizi, Ju jeni themeluesi dhe tani Rektori i institucionit privat të arsimit të lartë, në Kosovë, i cili quhet Universiteti për Biznes dhe Teknologji. Që në fillim ju keni sjellë
përvojën dhe ekspertizën që keni marrë nga studimet dhe puna e angazhimet nëpër shumë universitete dhe institucione ndërkombëtare. Cili ishte fillimi dhe si ia dolët?
Edmond Hajrizi: Ne, para se të fillojmë me UBT, kam pasur një sërë aktivitete që kam zhvilluar si në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës, pastaj në Vjenë, unë kam punuar në disa industri mjaftë prestigjioze në botë si në: Siemens, industri automobilistike e të tjera ku unë kam marr praktikat më të mira zhvillimore si në aspektin akademik, pastaj edhe përvoja mjaftë të mira praktike shkencore. Ishte edhe një vullnet që të ndihmojmë Kosovën. Unë fillova në vitin 2001, ne dolëm nga lufta, kishim gjithçka për të ndërtuar. Mendimi ishte që një dije e mirë e bazuar në teknologji të fundit kishte me i ndihmuar Kosovës. Kisha një rrjetë që mund ta sjellja në Kosovë fillimisht me disa trajnime, pastaj sollëm disa profesor nga Evropa nga Amerika, kështu që u krijua një nucleus që sot quhet UBT. Ne në fazën e parë kemi pasur 28 studentë tani në çdo vit regjistrohen deri në 5 mijë, pra është një rritje një zhvillim, është krijuar një punë mjaftë e madhe gjatë këtyre 18 viteve.
TV-Dielli: Në UBT ofrohen mbi 50 fusha të studimit, kur studentët mund të zgjedhin njërën fushë të specializimit që përshtatet me synimet e tyre, me qëllim që të zhvillojnë njohuritë e nevojshme për t’u bërë të suksesshëm në tregun e punës. Për cilat fusha të studimit ka pasur dhe ka më shumë kandidatë të interesuar?
Edmond Hajrizi: Gjatë këtyre vitve ne jemi munduar që të zhvillojmë programe të reja që i duhen dhe i kanë munguar Kosovës, që të rinjtë të gjejnë vende pune. Studentet shprehin interesime në fusha të ndryshme. Tash është bërë një gamë e madhe me dhjetëra programe studimi por mbi të gjitha edhe me dhjetëra specializime. Ne kemi një numër më të madh të studentëve që fokusohen më shumë në teknologji, mekatronikë e arkitekturë, pastaj vijnë edhe shkencat sociale, ekonomike e të tjera. Është një lidhje ideale mes studimit dhe tregut të punës. Prej 100 studentëve që studiojnë tek ne në UBT në 98 prej tyre gjejnë punë posa të përfundojnë studimet, e kjo është një gjë e mirë sepse ne kemi ofruar programe për tregun e punës, duke filluar nga pjesa e zhvillimit te softverëve, pjesa e prodhimit e energjisë etj. Studentet tonë janë gjetur mjaftë mirë edhe në botë.
TV Dielli: Do të ishte mirë që ky model të ishte prezent edhe në UP, që për studentet që zgjedhin profilin e studimit të kishin të siguruar edhe tregun e punës.
Edmond Hajrizi: Natyrisht, ne kemi dëshirë Arsimi i lartë në Kosovë të ketë një cilësi të lartë që ka një impakt të lartë ku duhet të punohet në kondita shumë të larta. Por tek ne dallon sepse jemi më të lehtë në procedura, ne ju krijojmë më lehtë mundësi studenteve tregun e punës. Ngase vetëm kështu ne mund të bëhemi konkurrent me të tjerët.
TV-Dielli: Jeni të pranishëm nëpër konferenca të ndryshme që organizohen në Tiranë, dhe vende të tjera, cili është rezultati i atyre konferencave, i bashkëpunimit dhe komunikimit të tillë në
përgjithësi?
Edmond Hajrizi: UBT- është rritur si institucion, jemi në 10 organizatat më të mdha në Kosovë. Ne marrim pjesë në shumë aktivitete shkencore, publikojmë punime shkencore, jemi anëtar të komiteteve shkencore, projekteve hulumtuese, të Zhurnaleve etj. Kosova përmes UBT-së, bëhet më e dukshme në arenën ndërkombëtare sa i përket akademisë dhe pjesës shkencore. Kosova renditet si pjesë e mekanizmave të organizatave shkencore në botë. Ky është një kontribut. Unë nuk e kam shkëputur asnjeherë relacionin e punëve akademike shkencore qoftë në UBT, qoftë si profesor në universitetin e Vjenës për teknologji , ku mundohem ta prezantoj Kosovën dhe vetën si një kompetencë akademike të njëjtë me ta. Andaj ftesat e bashkëpunimit janë të vazhdueshme dhe janë në rritje, ne duhet të eliminojmë inferioritetin që e kemi pas ndonjëherë, ne duhet të krijojmë klimë akademike, pra të ndihemi të barabartë e pse jo edhe me inovativ me institucionet tjera në botë, ngase ju po e shihni se ka shumë personalitete botërore që vijnë dhe bashkëpunojnë këtu në UBT dhe në Kosovë.
TV Dielli: A ka qenë, dhe a është e vështirë të ishit prijësi i këtyre nismave si përfaqësues i UBT qoftë në konferenca apo takime të karaktereve të ndryshme?
Edmond Hajrizi: Natyrisht është mjaftë sfiduese, mjaftë komplekse, për shkak se ne kemi filluar nga zero, si në aspektin financiar, legal, infrastrukturor. Ka pasur mungesa të kuadrove është dashur që të krijohen kuadro, të krijojmë laboratorë, librari, infrastrukturë hulumtuese. Në mënyrë që ne të jemi barabartë me laboratorët në botë, të kemi një partneritet të vazhdueshëm . Ne kemi 450 universitete partnere, është dashur që ato të kontaktohen, të vizitohen të vijmë në një moment ku të bashkëpunojmë për shkak të besueshmërisë, të sigurohen aspektet financiare që ne të zhvillohemi sepse ne vet financohemi, njëkohësisht që studentet tanë të gjejnë punë, pra bëhet një punë kolosale deri këtu ku jemi. Kjo qasje sistemore komplekse që ndikohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, faktorët politik, social, ekonomik, është dashur të ingranohen, të kemi një strategji të qartë që të mbërrijmë deri këtu, por edhe të vazhdojmë tutje.
TV-Dielli: Arsimi që ofrohet në UBT përfshin edhe ligjërata në gjuhë të huaja nga ligjërues dhe studiues të jashtëm, duke krijuar një mjedis ndërkombëtar të studimit të mjedisit për studentë vendorë dhe të huaj. Cili është niveli i pranisë së kuadrit të huaj në Universitetin Tuaj?
Edmond Hajrizi: Nga numri i përgjithshëm i stafit punues 1000 , 800 prej tyre janë të rregullt që kanë punë primare në UBT prej tyre rreth 400 kanë grada shkencore ose mbi 50% prej tyre janë me gradën doktor shkence. Pastaj këtu janë edhe profesor të huaj me renome. Pra jemi pjesë globale e edukimit ,shkencës dhe teknologjisë, ku studentet takojnë profesor nga vendet tjera e njëkohësisht krijohet një fizibilitet ndërkombëtar për UBT dhe për Kosovën. Ne jemi të pranishëm më zyrat tona edhe në Tiranë, në Budapest, në Vjenë, pra edhe në arenën botërore. Gjithherë me motivimin që Kosova të njifet si vend në fushën e akademisë dhe shkencë në përgjithësi.
TV Dielli: Është një e arritur e madhe për Kosovën që të jemi pikë referuese nga një vend i dijës për shtet tjera?
Edmond Hajrizi: Po ky është motivimi. Ne mundemi por duhet punë konkrete, që të na vlerësojnë edhe të tjerët, ne veç po e konfirmojmë edhe me rezultate konkrete. Ne jemi vlerësuar me 5 Yje të ekselencës nga komuniteti evropian. Asnjë institucion nuk ka arritur këtë deri tani. Ju e dini se studentet tanë kanë marrë shumë çmime për vendet e para, andaj kjo na shtyn të punojmë më tutje, pra nuk kemi nevojë të lëmë vendin, ngase edhe këtu punohet dhe bëhet ambient i përshtatshëm për punë. Kosova i ka parakushtet për një gjë të tillë.
TV-Dielli: Në Kosovë ka shumë familje të dëshmorëve e martirëve, invalidë e veteranë të luftës, familje që kanë pësuar shumë nga lufta. A keni ndonjë lehtësim për këtë kategori të studentëve, me rastin e regjistrimit dhe gjatë shkollimit, kuptohet në raste të veçanta?
Edmond Hajrizi: Patjetër, prej themelimit kemi filluar të mbështesim fëmijët e kategorive të dala nga lufta. Ne ju japim bursa që ata të kenë më të lehtë studimin, dhe të gjenerojnë vende pune dhe të mos jenë të varur nga askush. Inicimi i parë me akademinë e TMK së, patëm ofruar një mbështetje me bursa totale, që të filloj edhe Akademia Ushtarake në Kosovë. Studentet janë mbuluar me bursa 100% , dhe janë dal kadetët e parë të Kosovës falë bashkëpunimit që kemi pasur. Kjo edhe sot është për ne prioritet, ne duam që çdo anëtar i familjeve të tilla që kanë kontribuar që ne sot të kemi universitet, patjetër duhet tu ndihmojmë që të kenë përgatitje meritore shkollore.
TV-Dielli: Zotëri Rektor, për fund të intervistës, a do të veçonit diçka?
Edmond Hajrizi: Unë ju falënderoj shumë për kohën për intervistën që e zhvilluam për bashkëbisedimin e mirë që e patëm, ju dëshiroj shumë suksese në punë. Koncepti dhe roli i medieve është shumë i rëndësishëm për shoqërinë, mediet kanë rolin kyç në shoqëri. Mendoj se duhet të bashkëpunojmë ngushtë me medien. Roli i medieve është edhe sfidues. Për këtë arsye edhe ne në UBT kemi një fakultet të gazetarisë sepse konsiderojmë si kompetencë të rëndësishme. Andaj Faleminderit, ju dëshiroj shumë suksese.