leoni

Edona Hajrullahu, Nue Nikolla: KATËR OPSIONET PËR STATUSIN E KOSOVËS

Kosova është pjesa e fundit e enigmës, që kur ish-Jugosllavia filloi të shkatërrohej. Prandaj, kjo është një çështje e rëndësishme për shtetet e Ballkanit, dhe gjithashtu për të gjitha shtetet e Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që, zgjidhja e statusit të Kosovës në përgjithësi shihet si çelësi për një stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm në Ballkan, përkatësisht në Evropë.
Në fakt, nuk ekzistojnë shumë opsione sa i përket zgjidhjes së statusit të ardhshëm të Kosovës, përveç katër kryesoreve të cilat merren në konsiderim nga grupe e shtresa të ndryshme qytetarësh.

1. Opsioni i bashkimit me Shqipërinë 

Për një numër të konsiderueshëm njerëzish kjo zgjidhje do ishte qasja më e mirë për lehtësimin e shumë çështjeve të ndryshme politike dhe ekonomike, të cilat i preokupojnë shqiptarët në përgjithësi. Sidoqoftë, kjo nuk është çështja kryesore; ajo çfarë është më e rëndësishme është fakti që njerëzit janë në dijeni qe Kosova gjithmonë ka qenë një territor shqiptar. Prandaj, ky opsion do të ishte zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë, duke pasur parasysh copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913, ku gjysma e territorit u la jashtë kufijve të sotëm politik të Shqipërisë. Përveç kësaj, një komb përcaktohet nga faktorët siç janë: popullsia, kultura dhe gjuha. Kur konsiderohet ky fakt, atëherë shumë lehtë mund të kuptohet që Kosova është një territor shqiptar, pasi që i përmbush të gjitha kushtet e lartpërmendura. Popullsia e Kosovës përbëhet nga 92% shqiptarë, gjë që është qartazi shumica; kultura është thelbësisht e njëjtë, ku në të njëjtën kohë ka vazhdimësi gjeografike; dhe gjuha e folur dhe e shkruar është ajo shqipe. Të gjitha këto fakte të përmendura më lart krijojnë/shkaktojnë ndjenja të forta në shumicën e shqiptarëve, për formimin e një shteti shqiptar, i cili do të përfshinte të gjitha trojet që i përkasin Shqipërisë. Bashkimi me Shqipërinë për popullin shqiptar do të ishte një mundësi që t`i drejtohen çështjeve të tyre si një komb dhe, në të njëjtën kohë, kjo gjë do të gjeneronte një paqe afatgjate në të gjithë Ballkanin dhe Evropën. 

2. Opsioni i Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran 

Më arritjen e këtij opsioni, Kosova do të ballafaqohej më kushte dhe standarde të caktuara, drejt së cilave do të punonte qeveria e re e zgjedhur. Objektivat dhe përgjegjësitë kryesore që qeveria e re dhe institucionet e tjera do të përqendroheshin do përfshinin:
a) Siguria dhe liria e të lëvizurit – dhënia e sigurisë të të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh kombësinë, religjionin, apo besimet personale. Të gjithë qytetarët duhet të jenë të lirë të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë kudo brenda kufijve të Kosovës. Me përkrahjen dhe mbështetjen e KFOR-it, në një të ardhme të afërt, Forca Mbrojtëse e re Kosovës (siç rekomandohet nga pjesë e komunitetit ndërkombëtar) duhet të jetë në gjendje t’i garantoj Kosovës një integritet territorial.
b) Sistemi ligjor – përmirësimi dhe autorizimi i sistemit ligjor. Kosova me monitorimin e afërt nga komuniteti ndërkombëtar, duhet të krijojë një sistem ligjor. Kjo do të ndihmonte në luftën kundër disa dukurive negative, siç janë korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar, etj. Bashkëpunimi më i ngushtë, mes gjykatave, SHPK-s (Shërbimi Policor i Kosovës), dhe qytetarëve është një element shumë i rëndësishëm që do kontribuonte në përmirësimin e sistemit ligjor. Thënia “Askush nuk është mbi ligjin” nuk duhet të mbetet një iluzion.
c) Integrimi në Bashkimin Evropian – duke qenë e pavarur, Kosova, do të adaptonte ligjet më shpejt në mënyrë për t`u bërë pjesëtare e BE-së dhe strukturave të tjera Euro-Atlantike.
d) Zhvillimi ekonomik – në njërën anë, qeveria e Kosovës duhet të stimulojë edhe investitorët vendorë dhe të huaj, dhe të krijojë një ambient të përshtatshëm për biznes me adoptimin e politikave fiskale dhe më fleksibile, dhe në këtë mënyrë duke përmirësuar infrastrukturën e përgjithshme. Gjatë shtatë viteve të fundit, njëri ndër faktorët kryesor që ka penguar investimet e huaja në Kosovë, pa dyshim, ka qenë mungesa e energjisë elektrike.
Sidoqoftë, kjo nuk është e vetmja gjë që i pengon investimet në përgjithësi. Pengesa të tjera shumë të rëndësishme janë gjithashtu mungesa e sigurisë për bizneset, dhe çfarë është akoma më e rëndësishme, moszgjidhja e statusit.

3. Pavarësia e “mbikëqyrur” e Kosovës 

Në fakt ky opsion është ende i paqartë jo vetëm për qytetarët, por gjithashtu për ata që e kanë propozuar këtë zgjidhje- pra në këtë rast, komuniteti ndërkombëtar. Kjo zgjidhje shkakton shumë paqartësi mes popullatës, e cila po i ndjek ngjarjet syhapur. Njerëzit janë mësuar të dëgjojnë politikanët të justifikojnë veten e tyre duke thënë që nuk kanë mandate apo mjaft kompetenca për të parandaluar probleme të ndryshme apo për të marrë vendime të caktuara. Më një pavarësi të “mbikëqyrur”, popullata nuk e kupton dot nivelin dhe autoritetin e kësaj mbikëqyrjeje.
Ajo çfarë është ironike, është fakti që për shqiptarët, historia po përsëritet! Kjo pavarësi e mbikëqyrur është shumë e ngjashme me njohjen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1913 nga Konferenca e Londrës. Një princ ( princ Vidi) u caktua nga Fuqitë e Mëdha për të qeverisur Shqipërinë.
Përveç kësaj, një komision kontrolli ndërkombëtar u caktua të mbikëqyrte qeverinë, financat dhe administratën e Shqipërisë për një periudhë dhjetëvjeçare. Kështu që, ky fakt e bën shumë të ngjashme me gjendjen momentale në Kosovë, ku ndryshimi i vetëm është ai semantik. 

4.Opsioni i riokupimit të Kosovës nga Serbia 

Kjo gjë do të thoshte rikthimin në situatën e mëparshme ku shqiptarët e Kosovës ishin pa shtet. Sipas filozofit të njohur Tomas Hobs, “Njerëzit pa shtet gjithmonë jetojnë në gjendje lufte”. Kjo do të ishte një destabilizim për Kosovën, Ballkanin, si dhe Evropën në përgjithësi.
Momentalisht, shteti serb është duke nxitur minoritetin serb në Kosovë të mos integrohet në shoqërinë kosovare, dhe në të njëjtën kohë vazhdon t’ua përkujtojë që Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë. Për më tepër, historiografia serbe ende po vazhdon me deklarimet e tyre false që trashëgimia fetare ortodokse është serbe. Sidoqoftë në fakt kjo nuk është e drejtë, pasi që feja krishtere në Dardani (Kosova e sotme) filloi të përhapej në mënyrë të drejtpërdrejtë që prej shekullit të parë te erës tonë. Ilirët kanë pranuar fenë krishtere drejtpërdrejtë nga apostujt, dhe kjo është dëshmuar vetë nga Shën Pali “…kështu që nga Jerusalemi dhe rreth e përqark deri në Iliri, kam mbaruar së përhapuri ungjillin e Krishtit.” Një tjetër fakt i rëndësishëm është fakti se sllavët kanë ardhur në Ballkan gjatë shekullit të 7, ndërkohë që shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Pellazgo-Ilirëve, të cilët mendohet të kenë jetuar në Ballkan që prej fundit të mijëvjeçarit të dytë dhe fillimi të mijëvjeçarit të parë para erës sonë.(Stipceviq,2002).
Në të njëjtën kohë, duke udhëhequr këtë lloj politike, shteti serb gjithashtu po mundohet të realizojë “ëndrrën kombëtare serbe” –Serbinë e Madhe, e cila ka prejardhjen nga “Naçertanje”, një ide që ka gjeneruar dhe do të gjenerojë luftëra të vazhdueshme në Ballkan, nëse nuk merr fund. Një artikull i botuar në revistën “Ekonomist” shkruan: “ Luftërat në Ballkan filluan si rezultat i humbjes së autonomisë së Kosovës…”.
Kur mendohen të gjitha këto fakte dhe opsione, qartazi mund të shihet se vetëm duke pasur një shtet shqiptar të bashkuar dhe të fortë, drejtësia dhe paqja mund të vendosen jo vetëm në Ballkan por gjithashtu edhe në Evropë. A nuk është kjo ajo çfarë ё gjithë bota do dhe po mundohet të arrijë?!
Sidoqoftë, duke kuptuar gjendjen momentale dhe rrethanat politike, duket që opsioni më i mundshëm dhe zgjidhja me e mirë është Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran. Pastaj, rruga e zgjedhur më pas do të varet nga populli i Kosovës; sidoqoftë, është më se e kuptueshme qe fuqitë edhe perëndimore do të kenë fjalën dhe qëndrimin e tyre sa i përket të ardhmes së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …