Tensionet në veri të Kosovës nuk janë kapërcyer në mënyrën që mund të sigurojë stabilitet, por përkundrazi ato hapin rrugë drejt paqëndrueshmërisë së vazhdueshme, thotë për Radion Evropa e Lirë, Eduard Josef, ligjërues në Universitetin Xhon Hopkins në Uashington dhe ish-zëvendës i shefit të misionit të OSBE-së, në Kosovë. “Mund të presim qetësi për një kohë, derisa Aleksandar Vuçiq të vendosë se i duhet sërish një krizë në Kosovë. Mbi të gjitha, ai dëshiron të ruajë levën që ka mbi Kosovën, sepse kjo e ruan pushtetin e tij, thotë Joseph, duke shtuar se përderisa një gjë e tillë nuk do të kuptohet, nuk do të ketë përparim as për Kosovën, as për vetë Serbinë dhe demokracinë e saj, si dhe për mbarë rajonin. Njëkohësisht, këto ‘barrikada’ shërbejnë si ‘urë’ ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Jozef konsideron se ka mënyra për t’i hequr ato barrikada, por se Amerika dhe BE-ja nuk duan t’i shqyrtojnë ato opsione dhe se i janë nënshtruar manipulimit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Pas 19 ditësh bllokimi të rrugëve, grupet e serbëve nga veriu i Kosovës i hoqën barrikadat, të cilat ishin ngritur pas arrestimit të njërit prej ish-policëve serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Kërkesat e serbëve u plotësuan, duke përfshirë lirimin e Pantiqit, si i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, të cilit masa e paraburgimit iu ndryshua në arrest shtëpiak.
