Inflacioni me të cilin po përballën qytetarët e Kosovës. tash e një kohë të gjatë ka rënduar – në masë të madhe – mirëqenien e tyre. Rritja e çmimeve për shportën e konsumit bazik (rritja e kostos së jetesës), rritja e pothuajse të gjitha të mirave të tjera, normalisht se është barrë e rënd për qytetarët – shto këtu pastaj edhe rritjen e tatimit në pronë me të cilën një pjesë e qytetarëve do ta paguajnë me mbi 100 për qind faturën e re. Kjo situatë me të vërtetë është shqetësuese.
Kërkesat e vazhdueshme për rritje të energjisë shpërfaqin edhe njëherë mungesën e një orientimi strategjik të Kosovës përkitazi me sigurimin e energjisë. Aprovimi i fundit i ZRRE-së për rritje të çmimit të energjisë ka një efekt dual. Te qytetarët, së pari ky shtim në faturat mujore është barrë e drejtpërdrejt dhe, së dyti, kjo rritje e çmimeve të energjisë afekton pothuajse pjesën më të madhe të sektorëve ekonomikë. Duke ndikuar në rritjen e çmimit të kostos, kjo normalisht shpie edhe në rritjen e çmimit të produkteve dhe të shërbimeve të cilin, prapë se prapë, qytetarët e paguajnë në mënyrë indirekte.
Mosveprimi me kohë nga ana e institucioneve për të ndërmarrë veprime strategjike lidhur me këtë fushë të rëndësishme, siç është energjia, do të ngulfat në masë të madhe mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve dhe do ta varfërojë çdo ditë e më tepër xhepin e qytetarëve – në të gjitha aspektet.