Investuam mbi një milion euro në ndërtimin e objektit të Akademisë së Mbrojtjes ashtu që menaxhmenti drejtues e akademik të ngritë kapacitetet profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes shkollimit të kuadrove të reja të kadetëve në Qendrën për Studime Universitare, dhe avancimin e oficerëve në Shkollën e Oficerëve.
Qendra për Studime Universitare (QSU) e ndërtuar mbi katër shtylla apo programe kryesore: Programi Profesional; Programi i Udhëheqjes; Programi Akademik dhe Programi i Përgatitjes Fizike, ka për mision që të arsimojë, edukojë, trajnojë dhe inspirojë kadetët që të bëhen oficerë të cilët do të udhëheqin me shembull dhe që qëllim kryesor kanë shërbimin ndaj atdheut.
Janë dyzet e tre kadetë të cilët aktualisht po ndjekin studimet në këtë qendër, e të cilët deri në përfundim të studimeve do të kenë mishëruar në karakterin e tyre vlerat më të rëndësishme si Besnikëria, Detyra ndaj Atdheut, Respekti, Nderi dhe Guximi Personal.
Kadetët e diplomuar në Qendrën për Studime Universitare-Akademinë e Mbrojtjes janë liderët e së ardhmes. Të përgatitur në aspektin fizik e mendor janë të gatshëm për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit.
FSK, KRENARIA JONË!