Sot zyrtarisht miku ynë Gjeneral Ralph Hammerstein, Drejtor i deritanishëm i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ia dorëzoi detyrën drejtorit të ri, Gjeneral Brigade Christian Nawrat.
Në vijim gjeni fjalimin tim adresuar të pranishmëve në ceremoninë e organizuar me këtë rast:
I nderuar Kryeministër,
I nderuar Komandant i KFOR-it, gjeneral Ulutaş
I dashur gjeneral Hammerstein,
I dashur gjeneral Nawrat,
I nderuar ambasadorë,
Të nderuar atashe të mbrojtjes
Të dashur zonja dhe zotërinj,
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës u formuan, u ndërtuan dhe tani po zhvillohen me mbështetjen e paçmim të aleatëve tanë, anëtarëve të NATO-s dhe partnerëve tanë.
Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s, në fillimet e punës së Ministrisë dhe Forcës në vazhdimësi rëndësi të veçantë ka pasur dhe vazhdon të ketë mbështetja përmes Ekipit Këshillimor dhe Ndërlidhës të NATO-s.
Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO. Prandaj, prioriteti ynë kryesor është ndërtimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s.
Kam nderin dhe privilegjin që të flas sot para jush për Drejtorin e Zyrës së Ekipit Këshilluese dhe Ndërlidhëse të NATO-s në Kosovë, gjeneralin Ralf Hammerstein. Gjenerali Hammerstein ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përmes angazhimit të tij, gjenerali ka ofruar kontribut të rëndësishëm në rritjen e efektivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke dhënë input në çdo proces që ndihmon në përmbushjen e standardeve të larta të kërkuara për anëtarësimin në NATO.
Dua të shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj Gjeneralin Hammerstein për lehtësimin e komunikimit, koordinimin dhe bashkëpunimin jo vetëm me vendin e tij, Republikën Federale të Gjermanisë, por edhe me vende të tjera.
Do të na mungosh Gjeneral Hammerstein por jam i bindur që edhe pasardhësi juaj Gjeneral Nawrat do të vazhdojë të udhëheqë NALT-in me të njejtin shembull dhe dedikim.
Gjeneral Hammerstein, ju dëshiroj fat në angazhimin tuaj të ardhshëm. Jam i bindur që kudo që do të shërbeni ju do të mbeteni një mik i Kosovës dhe i popullit të saj, prandaj jeni gjithmonë i mirëseardhur që të na vizitoni.
Vielen danke!