Edukimi i ushtarakëve vazhdon të jetë prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes. Njëqind e katër kadetë të FSK-së aktualisht janë duke studiuar në akademitë më të njohura ushtarake brenda dhe jashtë vendit, si në ShBA, Turqi, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, Kroaci dhe Shqipëri.
Krahas shkollimit akademik, Ministria e Mbrojtjes është duke investuar në ngritjen profesionale të ushtarakëve të FSK-së përmes financimit të shkollimit dhe trajnimeve.
Gjashtëdhjetë e gjashtë ushtarakë janë duke ndjekur edukim profesional ushtarak dhe trajnime specialistike në programe të rëndësishme në akademi, shkolla dhe qendra trajnuese për ndërtimin e lidershipit ushtarak. Një pjesëtar është duke studiuar në Kolegjin e Luftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (US Army War College), ndërsa gjashtëdhjetë e pesë të tjerë po ndjekin kurse bazike dhe të avancuara të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale specialistike të mbështetjes luftarake të FSK-së.
Forca jonë po ndërtohet, zhvillohet e avancohet në vazhdimësi në forcë me standarde të NATO-s, maksimalisht të ndërveprueshme për operacione të përbashkëta me forcat e vendeve partnere dhe aleate të NATO-s.
Vazhdojmë me vendosmëri të plotë, angazhim vetëmohues dhe përkushtim maksimal drejt përmbushjes së objektivit tonë.