Sot po shënojmë pesë vjetorin e transformimit ligjor të FSK-së nga forcë me kapacitete të kufizuara në ushtri profesionale.
Ky ndryshim është arritur falë punës së jashtëzakonshme të ushtarëve, oficerëve dhe stafit civilë përmes një angazhimi të palodhshëm e të pandërprerë frymëzuar nga amaneti i dëshmorëve e vullneti i hekurt për të ardhmen e brezave të rinj, por sigurisht dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, aleatët tanë strategjik, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Partnerë këta kyç, me të cilët do të vazhdojmë të punojmë me synim rritjen e bashkëpunimit dhe realizimin e objektivave tona të përbashkëta.
Do të vazhdojmë tranzicionin e FSK-së në ushtri me kapacitete të plota, e gatshme për të përmbushur misionin e saj vital të garantimit të sigurisë për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit të territorit të saj, me synim ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe ofrimin e kontributit përtej kufirit gjeografik të shtetit tonë, integrimin në strukturat euro-atlantike si aleat me peshë i partnerëve tanë duke kaluar nga konsumues të sigurisë në ofrues të saj.