Ekrem Krasniqi: Ndërtesa e bukur me xhama e Jahir Igrishtës, në krye të sheshit të Prishtinës

Ekrem Krasniqi: Ndërtesa e bukur me xhama e Jahir Igrishtës, në krye të sheshit të Prishtinës

Bisedë, Nëntor 2011, Prishtinë :

“Çka është kjo ndërtesë kaq e mirë kështu o Ekrem ?” më pyeti. 

“Cila ndërtesë o Jahir ?”, e pyeta. 

“Kjo e madhja përballë, me xhama të kaltër de ?”, ma ktheu. 

Pak më vonë e kuptova se si është puna me këtë pyetje të tij. 

“Ndërtesa kryesore e qeverisë o Jahir….e ke maru ti me duartë e tua, bashkë me Lutin e me 2300 shokë të tjerë, vëllezër e motra që janë vra në luftë e të tjerët që janë gjallë, o Jahir », ia ktheva me zërin tim që po dridhej. 

Nuk foli për pak sekonda, dhe kur e kuptoi se unë e kuptova se ai nuk paska qenë në sheshin kryesor të Prishtinës, “Nënë Tereza”, edhe pas 12 vjet lirie… heshti pakëz… Pastaj filloi të më rrëfehet. 

“Unë kur vij në Prishtinë, e veç nja 3-4 herë kam ardhë atje ku ishim pak më herët në zyret në hyrje të Prishtinës, kam ardhë për me i rregullu dokumentat për pension invalidor, e si  t’kry punë kthehem menjëherë në Stanofc … veç me ty qetash që po vij këtu… mbasi je dhëndër i Menxhiqëve », ma sqaroi me pakës humor. 

Bisedë, Maj 2021: 

“Ekrem, nuk kam dashtë me të tregu….se e di që mërzitesh…”, filloi Luti të më flas përmes telefonit. 

“Çka ka ndodhë o Lut ?”, e pyeta. 

“Jahiri ka vdekë… shkoi i ngrati….”, vazhdoi Luti… 

“….   e kur o Lut ?”, e pyeta. 

“Në nëntor… edhe nuk kam mujt bre Ekrem as një ceremoni të FSK-së me ia organizu në varrim…m’shkoi Jahiri… e varrosëm qashtu…. », po më sqaronte, miku i im, Lutfi Menxhiqi. 

Jahir Igrishta deri në 2012 ka jetuar me 61 Euro pension invalidor të luftës. 

Ishte ushtar i UCK-së, i plagosur lufte. Vuante nga ITHATI edhe pas lufte. 

Më vonë pata dëgjuar se i ishte rritur edhe atij pensioni mbi në 120 euro.. 

Jahiri, Luti dhe një i treti që nuk ia di emrin, në vitin 1993 ishin sëmurë nga Tuberkulozi nëpër malet e veriut të Shqipërisë. 

Kishin shkuar, sikur edhe të tjerët për të ushtruar për t’u bërë gati për luftën që po vinte për lirinë e sotme tonë dhe të Kosovës. 

Ishin shëruar në Gjermani, dhe prapë janë kthyer më pastaj, edhe plot dy vite (1998-1999) ishin ushtarë të UÇK-së në front. 

Jahiri e Luti … e kanë pasur fatin ta “shijojnë” lirinë e Kosovës dhe të tyre secili në mënyrën e tyre, edhe Jahiri që nuk është më me ne, edhe Luti i cili është me ne ende. 

Vazhdim bisede, Nëntor 2011 : 

“E kam kry unë o dhëndëri i Lutit… skam nevojë ma shumë o Ekrem, veç erdha në Prishtinë mos me ta prish ty”, më thoshte Jahir Igrishta, përderisa po i afroheshim ndërtesës së bukur të lartë e me xhama të kaltër në krye të sheshit të Prishtinës. 

“Çka po thu o Jahir, se s’po të marrë vesh…çka e ke kry ?”, ia ktheva. 

“Boll i kam qato 61 Euro pension… E kam mas shpie një bahçe, e nganjëherë shes patate nëpër Vushtrri… Mirë jam o Ekrem… Jena çliru prej Serbisë tash… nuk m’vyen ma shumë…”, ma sqaroi. 

 

Vazhdim bisede, Maj 2021: 

 

“Edhe gjatë luftës Jahiri shumë shpesh më thoshte ‘edhe nëse vritemi o Lut boll e kam që familja jote po e ndanë bukën e gojës me familjen time”, më tregon Luti tash disa biseda të të tij të viteve të luftës 1998/99 me Jahirin nëpër front. 

 

“E kanë pas gjendjen ekonomike e dobët familja e tij edhe para luftës. Të varfër para lufte , të varfër pas lufte…”, vazhdon Luti…në bisedë telefonike. 

 

“Shumë herë kur ishte smut pas lufte e mbante fshehtë prej meje, si arsye që jam kujdes shumë për të e për mos t’më bënte merak mua ma mbante fshehtë edhe kur i prishej gjendja…,” rrëfehet Luti. 

 

“…Kam trokit shumë herë nëpër shumë dyer të institucioneve për një vend pune për të, por kurrë nuk hasa në mirëkuptim nga askush për nji vend pune për Jahirin…,” më rrëfen Luti për satën herë edhe kësaj here. 

 

Jahir Igrishta nuk ka la trashëgues biologjik pas vetes…e ka një trashëgues të falur pas vetes dhe bashkëshorten. 

 

Bashkëshortja e tij është e verbër, por kafen më të mirë (me shumë sheqer), në jetën time e kam pirë prej dorës së saj, në ballkonin e shtëpisë pa kulm të Jahirit në 2011, bashkë me Lutin. 

 

Jahir miku, sa shumë borxh të kam, e të kemi borxh unë, bashkëshortja e ime Miradije Menxhiqi, binjakët e tanë, Petriti e Atdheu, dhe vajza e jonë Ema… , ty, Lutit e edhe 2300 shokëve tuaj të UÇK-së që janë atje me ty, e të  tjerëve që sot janë gjallë e që ishin në luftë me ju. 

 

FLM për lirinë time, të familjes sime, tonën e të krejt Kosovës, ooo Jahir Trimi. 

 

Më fal, Jahir pash Perëndinë, nëse ajo eksiton diku, sepse edhe pas 23 vitesh nuk po di çka të besoj e çka të mos besoj kur shoh se çka po shoh nëpër Kosovën e sotme tënden, të Lutit, timen… në Kosovën e të gjithë neve. 

 

Ti je i lirë tash atje… 

 

Do të shihemi së shpejti Jahir miku… 

 

Të përkulem e të fala !!!

 

Ekremi, gazetari i Brukselit, dhëndëri i Lutfi Menxhiqit. 

 

(FUND…) 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …