Eksponent të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje në rast të dështimit të përpjekjeve për të krijuar qeverinë. Duke komentuar dështimin e zgjedhjes së Albulena Haxhiut në postin e kryetares së Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se dalja nga kjo situatë mund të jenë zgjedhjet e reja, pasi partia Vetëvendosje nuk po arrin me i siguruar votat e mjaftueshme për zgjedhjen e institucioneve të reja, kryetarin e Kuvendit e as Qeverinë. Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar e propozuara për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo ka deklaruar se partia Vetëvendosje është e gatshme për të shkuar në zgjedhje. Njohësit e rrethanave politike kanë theksuar se partia Vetëvendosje duhet ta kuptoj se qytetarët nuk i kanë dhënë mbështetje aq të madhe sa për ta krijuar e vetme qeverinë ose kryetari i saj, Albin Kurti është duke blerë kohë që ta dërgoj vendin në zgjedhje të përgjithshme në kohën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
