Ekspozita, “Sikur Hana” vazhdon rrugëtimin në Therandë edhe me diskutim publik

Ekspozita, “Sikur Hana” vazhdon rrugëtimin në Therandë edhe me diskutim publik

Pas hapjes në Muzeun Kombëtar të Kosovës, më 4 prill, ekspozita “Sikur Hana” nga Zgjim Zyba e Die Morina ka vazhduar rrugëtimin e saj në “vendlindje”, Therandë. Kjo ekspozitë – që shpërfaq zërin e padëgjuar të grave përmes Salë Zybës, e cila tregon historinë inspiruese të Lokës Hanë (Hanë Zybës) që ishte një grua e guximshme dhe shtyllë e familjes – është hapur mbrëmë në Muzeun e Suharekës. E për këtë ekspozitë është mbajtur sot edhe diskutim publik mbi rëndësinë e gruas në shoqërinë kosovare, dikur e sot.

Zyba thotë se synimi i tyre ka qenë që kjo ekspozitë  të mos hapet vetëm në qytetet e mëdha  të Kosovës, por edhe në qytetet e vogla pasi që sipas tij ka mungesë të këtyre debateve.

“Duhet të bëjmë shumë më shumë në lidhje me rolin e gruas në Kosovë, si në të kaluarën ashtu edhe tash. Me ato që nuk janë shkruar e nuk janë thënë më herët, pasi ka tregime të jashtëzakonshme për gruan, dhe e dimë se gruaja ka qenë shtyllë kryesore e familjes dhe vazhdon të jetë. Kështu që sa më shumë që ne kontribuojmë dhe e qesim në pah rolin e saj si njeri së pari, dhe së dyti që të drejtat duhet të jenë të barabarta”, është shprehur Zyba.

Die Morina thotë se është shumë e lidhur emocionalisht me Suharekën, prej nga janë ajo dhe artisti Zyba.

“Duke e marr parasysh se historia që ne e kemi marrë si shembull për fenomenin që trajtojmë është prej rrethinës së Suharekës, e unë e Zgjimi jemi të Suharekës për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme së pari për këtë fakt. E dyta është se në Suharekë nuk ka ngjarje të ngjashme shpesh. Përveç që presim me pas ndikim në aspektin antropoligjik ose dokumentimin e ngjarjeve të ngjashme, po shpresoj se kanë me zgju njëfarë stimulimi për me organizuar çoftë ekspozita e çoftë debate”, thotë Morina.

Ajo thekson se është shumë e sigurt se, secila familje e ka dikë si Lokja Hanë, por që ndoshta nuk e kanë parë prej kësaj perspektive që ata e kanë trajtuar.

“Muhabete të ngjashme na ka ra me bë me hallën Salë, që flet në audio,  ajo i tregon si histori normale që burrat kurrë s’kanë korrur, por kanë korrë gratë, e ne po duam me qitë në pah atë që – po është e vërtetë që gratë kanë korrë, por hajde të flasim për rëndësinë e asaj se çfarë donë me thanë me korrë tërë atë vend, edhe veç gra, e jo burra. Kështu që me qitë në pah se pse ne po e shohim më ndryshe, jo pse jemi më të dijshëm, por pse ne mendojmë se vërtet është shumë e rëndësishme të flitet për këto gra”, shprehet Morina.

Si në Prishtinë, ashtu edhe në Therandë, janë paraqitur gjashtë fotografi të Prishtinës së Vjetër të digjitalizuara nga Arben Llapashtica, në të cilat shihen në formë të kufizuar me ngjyra të ndryshme gratë që janë pjesë e fotografive, të cilat tani janë në fokus.

E gjithashtu është shfaqur audioinstalimi, me zërin e Salë Zybës, dhe këpucët e burrave të vendosura në kuti të zeza.

Kjo ekspozitë është përkrahur nga Komuna e Therandës, si dhe organizata S’Bunker.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …