-Profesor Ahmet, duke qenë se keni qenë njëri ndër shokët e burgut dhe kolegët më të ngushtë me profesorin e ndjerë, historianin e mirënjohur, Muhamet Tërnava, të cilin ju e quani edhe Ainshtajni shqiptar i historisë së Mesjetës, na tregoni për fillim kur dhe ku e keni njohur profesor Tërnavën?
Ahmet Qeriqi: Në radhë të parë të përshëndes për interesimin që po tregon dhe angazhimet që ke marrë përsipër, për të ndriçuar segmente të jetës dhe krijimtarisë historike, studimore, shkencore, të Muhamet Tërnavës. E di se ke qenë student i tij se e ke respektuar e ndihmuar me aq sa ke mundur, por edhe ai të ka dashur shumë, këtë ma ka thënë sa e sa herë.
Për babanë e Muhametit, mulla Ademin, një hoxhë i ditur dhe i respektuar kam dëgjuar për herë të parë nga gjyshi im, mulla Emin Miftari, të cilët janë njohur dhe kanë komunikuar me njëri tjetrin. Emri i Muhamet Tërnvës më ka rënë në sy gjatë leximit të Studimeve Albanologjike dhe shkrime e studime të tjera, ku ai ka trajtuar periudha të ndryshme të historisë shqiptare. Edhe ai kishte dëgjuar për mua, por për herë të parë jemi njohur gjatë burgut në vitet 80-të të shekullit të kaluar. Gjatë kohës sa isha në arrati, në vitin 1981, kisha dëgjuar se veç qindra studentëve, regjimi jugosllav i kohës, veç tjerësh, kishte burgosur tre intelektualë: Muhamet Tërnavën, Shaqir Shaqirin dhe Kadri Rexhën.
Një ditë vjeshtë të viti 1982, kur isha në qelin numër 27 të Burgut të Prishtinës, papritmas kishin filluar trokitjet e forta nëpër mure, që ishte një alarm, të cilin në raste të veçanta e praktikonin të burgosurit politikë.
Në raste të tilla të burgosuri kapeshin në grillat e dritareve për të mësuar se çka po ndodhte.
Një zë kishte dhënë lajmin se dy gardianë e kishin torturuar mizorisht doktorin e historisë, Muhamet Tërnava. Ishte kërkuar po ashtu që në shenj solidariteti sipas maksimës, “një për të gjithë, të gjithë për një”, të mos merrej ushqimi i darkës, në shenjë revolte.
Fillimisht nuk dinim më shumë por më vonë u bë e ditur se gardiani Shyq apo edhe një Tara, të njohur për ndëshkimin e të burgosurve politikë, ia kishin përplasur kokën për radiatori, në qelinë e burgut. Më vonë, pas burgut, Muhameti më ka treguar të vërtetën e asaj ndodhie.
Ai thoshte se një ditë më parë, e kishin sjellë në dhomë një shofer serb të kamionit, për gjoja aksident me pasoja në komunikacion. Ai, duke qenë fizikisht shumë më i fortë e kishte provokuar për kërkesën Kosova Republikë dhe e kishte fyer mbi baza kombëtare. “Në moment e kisha goditur por ai ishte më i fortë fizikisht, më pezulloi dhe me shtypi pjesën e prapme të kokës për radiatorin e qelisë. Duke u ndier veten shumë keq, kam bërtitur dhe në atë rast kanë ardhur dy gardianë, të cilët e larguan të burgosurin serb nga dhoma ndërsa mua më goditën pse i pari e kisha sulmuar, “shoferin”, për të cilin mendoj se ishte një instruktuar i regjimit, që e kishin sjellë në qeli për të më ndëshkuar.
Në dimër të vitit 1983, Muhamet Tërnavën e kam takuar në Burgun e Gjurakovcit…
Për dallim nga të burgosurit të tjerë politikë, që ishim rreth 50, Muhameti sillej ndryshme dhe kishte një rezervë të shprehur, mbase te të gjithë. Meqë nuk shoqërohej me disa “krerë” që paraqiteshin si liderë, si puro marksistë-leninistë dhe që pretendonin të ushtronin ndikim dhe pushtet te të burgosurit, ai ishte tërhequr në vetminë e tij domethënëse, meqë thjesht nuk besonte në dijen dhe sinqeritetin e shumicës së të burgosurve, që ishim mjaft heterogjenë në pikëpamje të bindjeve politike, meqë shumica ishin të rinj dhe të papërvojë.
Me mua mbante një qëndrim ndryshe, shumë më shoqëror, por nuk hapej, nuk tregonte çka e brengoste.
“Shpërfillja” e tij kishte bërë që edhe shumica e të burgosurve ta shikonin me mosbesim dhe të mos i afroheshin, por nuk e urrenin. Nganjëherë, kur e provokonin, Muhameti sillej edhe me arrogancë e mos durim.
Të gjithë të burgosurit përveç meje, nuk kishin ndonjë konsideratë për të, meqë në radhë të parë nuk i njihnin kapacitetet e tij krijuese si shkencëtar, nuk e kuponin mbylljen e tij dhe rezervën që ai shprehte ndaj shumicës së të burgosurve, por jo me asnjë qëllim të keq.
Ditën kur e liruan nga burgu, diku në prill të vitit 1983, përveç meje, nuk kishte dalë askush të përshëndetej me të, sikur ishte në traditë.
Elhami Qeriqi: Çfarë lidhje kishte Muhamet Tërnava me patriotët Jusuf Gërvalla dhe Ukshin Hoti?
Ahmet Qeriqi: Në kohën kur ai ka vepruar dhe ka bashkëpunuar, sidomos me veprimtarin më të paepur të Lëvizjes Kombëtare të kohës, Jusuf Gërvalla, në gjysmën e dytë të viteve 70-të, të shekullit XX, unë nuk e kam njohur Muhametin. Më vonë nga ai dhe të tjerët kam mësuar se Muhameti dhe Jusufi kishin qenë shokë të ngushtë të idealit dhe kishin bashkëvepruar. Ai edhe ishte dënuar sepse kishte lexuar, “Lajmëtarin e Lirisë”, dhe se kishte mbajtur kontakte me Jusuf Gërvallën, Shaqir Shaqirin, Kadri Rexhën e të tjerë. Muhameti dhe Sheqiri ishin dënuar me nga një vit e gjysmë burg, ndërsa Kadri Rexha ishte dënuar me dy vite e gjysmë.
Shumë kohë më vonë, nga Kadri Rexha kam mësuar se Jusuf Gërvalla ka pasur një konsideratë të jashtëzakonshme për Muhametin. “Ai më thoshte, ti Kadri nuk e njeh Muhametin, nuk e di se kush është ky historian, që ka bërë kthesë në historinë e mesjetës dhe është një burrë shumë i vendosur”.
Tetë muaj pasi kam dalë nga burgu, diku në vjeshtë të vitit 1988 e kam vizituar Muhamet Tërnavën në shtëpinë e tij dydhomëshe, në Lagjen e Muhaxhirëve, në Prishtinë. Nga ajo kohë deri në vdekjen e tij më 6 shtator të vitit 2917 kam mbajtur kontakte të kohëpaskohshme me të dhe kemi biseduar për shumë gjera.
Muhameti ka ndier dhembje të madhe për vrasjen nga UDB-ja të Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, e Bardhosh Gërvallës. Kur përmendej Jusufi ndiente shqetësim dhe dukej sikur e ke prekur në plagë.
Për kontaktet e raportet që mund të ketë pasur me atdhetarin, profesorin e diplomatin e mirënjohur të Kosovës, Ukshin Hoti, nuk më ka folur, pasi as e kam pyetur veçanërisht.
Thjesht, Muhameti prej viti 1983 kur ka dalë nga burgu e deri në vitin 2017 kur ka ndërruar jetë, ka jetuar pothuajse i izoluar në gjendje jo të mirë ekonomike dhe gjendje shumë të rënduar shëndetësore. Goditja fizike në kokë, që ia kishin shkaktuar inspektorët e UDB-së, në Burgun e Prishtinës, e kishte përcjellë gjatë tërë jetës, me humbje të ekuilibrit dhe me trauma e pasoja të tjera mjaft të rënda fizike e mendore, për të cilat dinë familjarët, të afërmit e pak nga shokët e tij.
Elhami Qeriqi: Cili ishte opinioni i të burgosurve politikë për profesorin, Muhamet Tërnava?
Ahmet Qeriqi: Kjo është një pyetje jo e këndshme për mua, por meqë kam pasur dhe kam respekt të veçantë për Muhamet Tërnavën dhe veprat e tij shkencore, do të përgjigjem.
Fillimisht pas lirimit nga burgu, ai ishte i izoluar, i diferencuar si armik i regjimit, si të gjithë të liruarit e tjerë, kush më shumë e kush më pak. Nuk ishte pranuar në punë, madje edhe ishte përzënë nga drejtues të caktuar institucionesh, duke e refuzuar si armik të Jugosllavisë dhe të politikës së bashkim vëllazërimit. Ai më ka treguar për dy kolegë të tij, me emër e mbiemër, që e kishin përzënë atë, kur kishte kërkuar të takohej me ta. Ashtu kishte ndodhur më vonë edhe me Ali Hadrin. Duke mos qenë hakmarrës, nuk i ka denoncuar pas luftës.
Gjendja e rëndë ekonomike, pas daljes nga burgu, e kishte detyruar që merrej me blegtori në fshatin e tij, Lismir, afër Fushë Kosovës. Kishte blerë disa dele dhe i kishte ruajtur nëpër kullosa, me qëllim që familjes t’ ia siguronte mjetet elementare për ekzistencë. Në familje kishte bashkëshorten dhe katër bija, asokohe të mitura.
Duke qenë se ka jetuar i izoluar me problemet e tij, nuk kishte komunikim të gjerë, as me të burgosurit politikë, shumica e të cilëve mbanin rezerva ndaj tij. Për një kategori fanatikësh nga radhët e të burgosurve, ka mjaftuar që ai ishte bir hoxhe dhe që praktikonte fenë, edhe pse jo rregullisht, por ishte parë nëpër xhami. Ata jo vetëm që e kishin izoluar por as pranonin të flisnin për të. Madje kishin përhapur edhe fjalë se ai ishte “thyer”, se nuk ishte marksist leninist, thjesht ishte “fshirë”, madje edhe për faktin se ishte në LDK.
Mbaj mend ditën kur vdiq, më 6 shtator të vitin 2017, nuk ka marrë pjesë në varrim SHBP, sikur ka praktikuar, as është dhënë lajm, as iu ka dërguar telegram ngushëllimi familjes. Tre të burgosur, të cilët i kam ftuar të shkojmë në varrim nuk kanë ardhur, mjerisht me jusftifikime për të mos thënë edhe banale.
Atë ditë përmes Radios-Kosova e Lirë kam reaguar publikisht kundër përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, tre prej të cilëve i kishte ftuar në Tiranë në një “maskenball” përurimi, nipi i Esad Pashës, Bledi Fevziu, sepse “celebronte” njëzet vjetorin e punës si gazetar. Të tre kishin shkuar dhe kishin marrë pjesë në “manifestim”, por asnjë nga këshilltarët e tyre nuk i kishin dërguar telegram ngushëllimi familjes së Muhamet Tërnavës dhe asnjë prej tyre nuk kishte marrë pjesë në varrim, as në pamjen tradicionale prej tre ditësh.
Kolegët e tij përveç njërit që e njoh, i kanë xhelozuar për zbulimet që ka bërë në historinë e Mesjetës, dhe shumica dërrmuese e tyre, nuk duan as ta përmendin emrin e tij, duke mos pranuar as zbulimet, që unë i cilësoj epokale…
Elhami Qeriqi: Cilat kanë qenë ato zbulime, profesor Ahmet, edhe pse ju keni folur dhe keni shkruar shumë për to, në kohën ku ishte gjallë, profesor Tërnava por edhe pas vdekjes?.
Ahmet Qeriqi: Fillimisht duhet shpjeguar fakti se Muhamet Tërnava, Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë, ka kryer në Universitetin e Prishtinës, ka magjistruar në Zarë të Dalmacisë, ndërsa ka doktoruar në Zagreb të Kroacisë, meqë në Prishtinë dhe në Beograd nuk ishte pranuar zbulimi i tij shkencor, lidhur me praninë e popullsisë shqiptare në shekujt 14-16-të, në Kosovë e më gjerë.
Ai me punën studimore dhe njohuritë e thella prej shkencëtari arriti t’i thyejë tezat e akademikëve serbë rreth përkatësisë së popullsisë së Kosovës gjatë periudhës mesjetare. Vepra shkencore e Profesor Tërnavës “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” e shkruar qysh në fund të viteve 70-të dhe e botuar në Prishtinë, në vitin 1996, mbetet bazament i fortë i argumentimit të vazhdimësisë së pranisë të territorit të Kosovës e shumë më gjerë me popullsi arbëreshe-shqiptare, gjatë gjithë periudhës mesjetare e më vonë, deri në ditët tona.
Zbulimi i tij shkencor ka të bëjë me klasifikimin e emrave të njerëzve në mesjetë, në defterët e shkruar turqisht të Vilajetit Vëllk, (Vilajeti i Vuk Brankoviqit) duke u mbështetur në mbaresat gramatikore të emrave e mbiemrave. Ky është zbulimi më i madh, zbulimi historik i kohës sonë dhe thyerja përfundimtare e manipulimeve sllave lidhur me përkatësinë etnike të Kosovës. Duke u mbështetur në këtë zbulim gjuhësor, ai iu përmbajt analizës shkencore, duke konkluduar se trajtat:
Dimiter Dimitri, apo Janko Mati, Andrea Mihali e mijëra të tjerë janë emra e mbiemra të pajisur me mbaresa gramatikore të gjuhës shqipe.
Dimitar Dimitriq apo Dimitrijeviq ishte trajtë sllave-serbe.
Dimitar Dimitrov, trajtë e vjetër sllave e bullgare.
Dimitris Dimitraqis trajta grek-folëse.
Dimitre Dimitrul trajta vllahe e kështu me radhë me të gjithë emrat e pranishëm në defterët e kohës, të evidentuar në vitin 1455, në kohën kur Perandoria Osmane kishte vendosur pushtetin administrativ në këto anë, pas luftës së dytë të Kosovës të vitit 1448, kur i kishte mundur forcat e krishtera evropiane në krye me komandantin hungarez, Janosh Hunjadi.
Sipas një analize të tillë, ai prezantoi tërë materialin e antroponimisë, përkthyer në gjuhën shqipe nga origjinali, në turqisht, me rreth 12.000 emra. Duke u mbështetur në këtë metodologji shkencore arriti në përfundim se 80 për qind e popullatës së përgjithshme gjatë mesjetës, në Kosovë, ishte shqiptare e krishterë, në shumicë dërmuese ortodokse, 20 për qind sllave, vllahe, hebraike, turke, sase (gjermane), etj.
Në botimin sllavisht, “Oblast Brankoviça”, të Adem Hanxhiqit dhe historianëve të shkollës sllave, merret për bazë emri dhe jo trajta gramatikore. Ky nuk ishte lëshim i rastësishëm por falsifikim, pretendim deri edhe naiv, sepse emrat e mbiemrat që, pretendohen se janë serbë e sllavë, janë emra bazikë grekë, romakë, arbërorë. Sllavët kanë emrat e tyre popullorë, ndërsa morën emra të krishterë në shekujt shtatë e tetë të Epokës, me rastin e dyndjeve të tyre dhe vendosjes së dhunshme në vendet e Ballkanit.
Iliro-arbëreshët kanë kontaktuar me krishterimin që në kohën apostolike, këtë e thotë edhe Shën Pali në Ungjillin e tij, duke shpjeguar se e ka përhapur krishterim nga Azia dhe në Iliri.
Emrat grek0-romakë në Ballkan por edhe kudo ku kishin depërtuar misionarët e krishterë ishin përhapur përmes pranimit të krishterimit që nga periudha apostolike e pas apostolike, në shekujt e parë të Epokës së Re. Si të tillë emrat bazë janë edhe biblikë, por të modifikuar në kushte dhe rrethana historike, sipas natyrës në gjuhëve.
Elhami Qeriqi: Si e vlerësoni veprën shkencore të dr. Muhamet Tërnavës, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”?
Ahmet Qeriqi: Vepra studimore, hulumtuese e shkencore, “Popullsia e Kosovës gjatë shek. XIV-XVI” e profesor Muhamet Tërnavës është një kapital i madh dhe i pashtershëm, në radhë të parë për historinë dhe historiografinë shqiptare, po ashtu edhe për albanologjinë: onomastikën, toponiminë, antroponiminë, patroniminë, por edhe lëndë ndihmëse e segmenteve të tjera studimore.
Duke qenë njohës i metodologjisë së punës shkencore dhe duke iu përmbajtur asaj në çdo segment, njohës i thellë i historisë së mesjetës në përgjithësi dhe jo vetëm i asaj, njohës i albanologjisë, i historisë së përgjithshme dhe veçmas i asaj shqiptare, Muhamet Tërnava ishte një shkencëtar i kompletuar dhe i përgatitur në çdo segment për t’ u ballafaquar me faktet shkencore, në shkrimet e studimet e tij, për të arritur në zbulime shkencore, si pak kush para tij.
Ai me gjuhën e fakteve e argumenteve shkencore, duke u mbështetur në defterët turq të Vilajetit Vëllk në vitit 1455, arriti të zbulojë faktin numër një lidhur me praninë historike, autoktone, shqiptare në viset e Kosovës dhe më gjerë, që nuk e kishte vërejtur asnjë historian apo albanolog para tij.
Gjatë punës së tij hulumtuese në “defterët” kishte vërejtur dallimet mes origjinalit turqisht dhe atij të botuar në serbokratisht, në librin “Oblast Brankoviça” ( Vilajeti Vëllk). Duke qenë se e njihte shkrim leximin e gjuhës arabe, të cilën ia kishte mësuar babai më pas duke ua dhënë lëndën disa orientalistëve të njohur, për ta deshifruar duke u mbështetur edhe në librin “Oblast Brankoviça” botuar në Sarajevë në vitin 1972, ai kishte arritur ta kompletonte lëndën bazë, së cilës pastaj iu kishte qasur për ta mbarështruar metodologjikisht.
Duke iu përmbajtur lëndës, ai e kishte segmentuar atë me qëllim për ta bërë më të kuptueshme për lexuesin, në radhë të parë duke iu përmbajtur rezultateve deri ku kishte arritur.
Ndarjen e kishte bërë me krahasime, fillimisht shqiptarët nëpër fshatra e qytetet të Kosovës, meqë kishin qenë dhe vazhdojnë të jenë popullata dërrmuese, gjithnjë shumicë, pastaj serbët në fshatra e qytete si dhe etnoset e tjera, vllahët, hebrenjtë, sasët, raguzianët e të tjerë. Po ashtu kishte bërë edhe ndarjen rajonale apo krahinore.
Të sistemin tabular të regjistrimit, evidentimit të popullsisë, kishte vendosur emrin e fshatit, emrat e mbiemrat e lagjeve dhe vëllazërive, sasinë e shtëpive dhe në fund numrin e defterit të caktuar. Në veçanti ka prezantuar edhe etnoset e tjera të kohës, si vllahët që kanë pasur shtrirje në disa vise të Kosovës, pastaj sasët, gjermanë që nxirrnin dhe përpunonin metalet, hebrenj, raguzianë, e të tjerë…
– Elhami Qeriqi: Profesor Ahmet, cili është vendi i Muhamet Tërnavës në historiografinë shqiptare?
Ahmet Qeriqi: Muhamet Tërnava ishte studiues i veçantë. Ai bëri hulumtime dhe zbulime të veçanta, shumë meritore, por kanë mbetur në margjina të interesimi të të historianëve, sidomos të atyre të kohës së Titos, të cilët e kanë shpërfillur dhe injoruar, ndërsa historianët e rinj nuk e dinë se kush ka qenë ai dhe çfarë zbulimesh ka bërë.
Muhamet Tërnavën e kam krahasuar me Ainshtajnin, në nivelin tonë pasi ai ka bërë një zbulim të rëndësishëm, në historinë tonë, dhe jo me dimensionin që ka Ainshtajni me zbulimet e tij e tij epokale. Sa kohë ia ka dashur Albert Ainshtajnit për të ardhur te ekuacioni: E=mc2 (Energjia është e barabartë me masën herë shpejtësia e ditës në katror). Tani zbulimi i tij na duket tepër i thjeshtë, sepse e dimë, e kemi mësuar dhe na duket krejt i rëndomtë.
Nuk ka shqiptar madje edhe nga ata me krejt pak arsim, që nuk dinë ta zbulojnë si cili është shqiptar e cili serb, nëse u vënë përpara dy emra e mbiemra: Dimiter Dimitri dhe Dimitar Dimitrijeviq. Por janë krejt të pakët, madje edhe studiuesit e historisë dhe të albanologjisë, që e dinë se historiografia serbe për mesjetën këta dhe mijëra emra të tjerë të krishterë i trajton si emra sllavë, grerë e serbë. Për ta vetëm emrat turko arab dhe ndonjë emër katolikë janë të shqiptarëve, edhe pse në mesjetën e hershme kishte krejt pak, për të mos thënë aspak emra të tillë.
Meritat për zbulimin, Muhamet Tërnavës nuk iu kanë njohur për së gjalli, nuk di si do të ndodh në të ardhmen. Me rendësi është që ai ka lënë vepra, dokumente, dëshmi, fakte dhe at0 nuk asgjësohen dot.
10.12.2023