Elife Luzha: Dëshmori, Arif Seferi (1938 – 1992) një jetë për Atdheun

Elife Luzha: Dëshmori, Arif Seferi (1938 – 1992) një jetë për Atdheun

Në historinë e përpjekjeve për liri të shqiptarëve, vend të merituar zë njëri nga veprimtarët e shquar të çështjes sonë kombëtare, dëshmori Arif Seferi.

Arif Seferi u lind më 22 gusht të vitit 1938, në Kumanovë. Familja e tij ishte me traditë patriotike e lidhje të afërta gjaku me heroin legjendar, Idriz Seferi. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, kurse të mesmen (drejtimi i tekstilit) në Beograd. Më vonë e mbaroi edhe shkollën normale në Kumanovë, për të filluar punën si mësues, më 1964.

Që nga viti 1960 Arif Seferi në vazhdimësi angazhohet për lirinë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Në demonstratat e njohura të shqiptarëve më 1968, Arif Seferi ishte pjesëmarrës aktiv, duke u vënë në ballë të aksionit për ta ngritur flamurin kombëtar në Kumanovë. Ishin këto ngjarje të rinisë studentore, të rinisë së Arifit me shokë, që si pararojë e agimeve, guximshëm i prinë popullit drejt lirisë së munguar.

Më 1982, pasi refuzoi stërvitjet ushtarake në Vrajë, arrestohet dhe dënohet me 40 ditë burgim. Megjithatë mosbindjen ndaj regjimit shovinist, patrioti Arif Seferi e vazhdoi deri në çastin e fundit të jetës. I ndërgjegjshëm se për lirinë e shqiptarëve të robëruar duhej veprimtari e organizuar, Arifi aderoi në lëvizjen klandestine të viteve ’80, në LPRK (Lëvizja për Republikën e Kosovës), në kuadër të së cilës dha kontribut të veçantë.

Gjatë më se tri dekadave, sa punoi si pedagog në Kumanovë, u shqua si zë i fuqishëm në mbrojtje të gjuhës dhe arsimit shqip. Ai nuk pranoi që administrata dhe evidenca pedagogjike të mbaheshin në gjuhën maqedone. “Ne me atë gjuhë që flasim dhe i edukojmë nxënësit, duhet ta mbajmë edhe administratën”, thoshte ai. Ky qëndrim u bë shkas për largimin nga puna dhe arrestimin e Arif Seferit bashkë me shokët: Bajram Ademi, Musa Jonuzi, Qamil Osmani, e Rexhep Ahmeti. Ishin këto përpjekje të Arifit me shokë për të mos lejuar diskriminimin e mëtejmë të shqiptarëve dhe mohimin e  gjuhës së tyre në Maqedoni. Megjithatë politika shovene dhe raciste, i mbylli të gjitha 36 paralelet e arsimit të mesëm në gjuhën shqipe. Ministri i Arsimit në atë kohë Dimitar Dimitrov, këmbëngulte të mos hapeshin paralelet për nxënësit shqiptarë.

Veprimtari Arif Seferi përpiloi disa peticione të cilat ua drejtonte jo vetëm organeve pushtuese, por edhe atyre ndërkombëtare, si OKB-së etj. Në Peticionin e datës 9 shtator 1989, duke shpjeguar me hollësi pozitën e pabarabartë e segreguese të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, u bënte thirrje të gjitha organeve të kësaj organizate që të marrin në shqyrtim pozitën e popullit shqiptar, pasi siç thoshte ai “tash e sa vite çdo vendim që ka të bëjë me shqiptarët merret pa prezencën e tyre.

Si atdhetar i paepur, i përkushtuar dhe i dashur e i afërt me të gjithë, Arif Seferi gëzonte respekt dhe besim te bashkatdhetarët e tij.

Zhvillimet “demokratike” e paqësore në vitet ’90, Arif Seferi i shihte me skepticizëm, sepse nuk besonte në zgjidhjen pa luftë të çështjes shqiptare. Ai e parashihte si të pashmangshme rezistencën e armatosur, prandaj thoshte: “Shqiptarët duhet të luftojnë për realizimin e interesave të tyre, si sllovenët e kroatët që tanimë po i vendosin  themelet e shteteve të tyre.” Arifi ishte kategorik kundër daljes së shqiptarëve në referendum për mëvetësinë e Maqedonisë. “Shqiptarët duhet ta bëjnë referendumin për vete e jo me dorën e tyre ta nënshkruajnë vazhdimin e robërisë”, thoshte ai.

Deklarata për pavarësinë nacionale të maqedonasve nuk i definoi të drejtat e shqiptarëve. Të drejtat e aspiruara të popullit shqiptar, u zëvendësuan me të drejta individuale, duke u ofruar poste dhe privilegje elitës. Secila parti politike maqedone, synonte sundimin e shqiptarëve. Arif Seferi një kohë nuk pranoi të anëtarësohej në asnjë parti politike shqiptare, sepse sipas tij “ato mund të bëjnë aq sa u lejon pushtuesi”. Më vonë u angazhua në kryesinë e degës PPD në Kumanovë “për të qenë vazhdimisht në popull dhe me popullin” siç thoshte ai. Zgjerimi i aktivitetit të tij politik kishte rënë në sy të armikut, prandaj u morën masa për ta likuiduar.

Më 18 qershor 1992, nën pretekstin e kërkimit të armëve, më se 100 policë maqedonas e rrethojnë shtëpinë e tij në Kumanovë, e bastisin dhe e arrestojnë Arifin. Gjithçka kishte ndodhur në shpejtësi. Edhe gjykimi i tij ishte bërë me procedurë të përshpejtuar, duke e dënuar me 30 ditë burgim. Por, vetëm pas 5 ditësh, më 23 qershor, autoritetet e burgut në Shkup ia kthyen familjes Arif Seferin të vdekur. Askush nuk u besoi trillimeve shovene se Arif Seferi kishte pasur gjoja atak në zemër. Populli i indinjuar nga vrasja mizore e Arifit, ishte mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit birit të tij. Ai jetoi dhe vdiq vetëm për një qëllim, bashkimin e kombit shqiptar. Shokët e jetës e të idealit, si Reshat Latifi, Bezat Ismaili etj., u betuan para varrit të Arifit se do ta vazhdojnë rrugën e idealit të tij e të dëshmorëve tjerë.

Ashtu siç ndriçojnë rrezet e diellit cep më cep mbi atdheun, e që s’mund kush t’i ndalë, ashtu do të jetojë e ndriçojë vepra dhe ideali i Arif Seferit deri sa të ketë shqiptarë mbi këtë dhe. I përjetshëm do të jetë kujtimi për dëshmorin, Arif Seferi.

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …