leoni

Elife Luzha

ELIFE LUZHA: TE KËSHTJELLA E HAMLETIT- KRONBORG

 

(Gjatë një vizite në Danimarkë)

 

Rrugicave të kalldremta nga eci puhizë e detit më pluskon

Nën togje reshë erë e përlotur mureve vigane përthyhet

Një dënesë të vagullt si kumt të pa fikur sikur e dëgjoj

Për pasionet e shthurura e të ankthshme të njerëzisë

 

 

Vorbull i shekujve si mjegull misteri kështjellën e mbulonë

Mbi kohërat e praptisura dihat dilemë e vjetër hamletiane

„Të rrosh a mos rrosh“

Si ëndrra për dashurinë e papërfillur e Ofelisë

 

 

Elife Luzha: Vrojtim

 Ndër thirrma ezanesh e kambanash gufmojnë bestytnitë

Qielli bujtinë e agimeve  nga re të plumbëta zijohet

Bukuri femërore nën shami mbulesë errtane shëmtohet

Mbetje të lindjes me pupla engjëlli mbështillen dyzohen

 

Vullnete të pështirura përtëriten  dizajnojnë fate

Si lumenjë akujsh ligatinat  vërshojnë rrëke

Ëndrrat flatrathyera mbetur nën bar myshku vdiren

Duke u përimtësuar deri në grimca të pakuptimit

 

 

Elife Luzha: Me gjithë disa përpjekje për emancipimin e femrës, gjendja e saj në shoqërinë tonë mbetet e rëndë

(Fjala e mbajtur me rastin e prezentimit të librit me Poezi “Mos ma vrisni lotin” në Qendrën Kulturore të Kosovës në Malmo të Suedisë)

Të dashur bashkatdhetarë!

Jam e nderuar që ndodhem sot midis jush, për ta promovuar librit tim më të ri „Mos ma vrisni lotin“. Natyrisht unë nuk do të flas për librin, sepse flet lexuesi dhe kritika, por dua t’i them disa fjalë për femrën si krijuese.

Në Kosovën e pushtuar nga Serbia, breza të tërë u  desh të flijohen për lirinë e saj. Janë të njohura sidomos vitet ’80-të, me kthesën e madhe që bënë në historinë e përpjekjeve për lirinë e Kosovës, e cila u finalizua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare.

 Në ato kohë unë kisha vuajtur dënimin me burg, përjashtimin nga shkolla, por edhe izolimin në shtëpi. Kisha përjetuar edhe tragjedinë e poezive të mia të para, të cilat gjatë një bastisjeje policia pushtuese m’i mori për të mos m’i kthyer kurrë. Gjithsesi katrahura nëpër të cilën po kalonin shqiptarët e robëruar, linte vragë të pashlyeshme, sidomos te krijuesit e letërsisë, apo te bota më e ndjeshme e kombit, siç thuhet për poetët. Poeti i shquar danez, Niels Hav, në një poezi të tij, poetët i quan „paraprijës të agimeve“. Kjo shtresë e popullit të Kosovës, goditej sipas një strategjie të mirëplanifikuar nga pushtuesit serbë, edhe për shkakun se, siç thotë një mendimtar anglo-amerikan, „Letërsia është shpirti i kombit, kurse shkrimtari antena e racës.”

Me gjithë disa përpjekje për emancipimin e femrës, gjendja e saj në shoqërinë tonë vazhdon të mbetet e rëndë. Pabarazia në familje, niveli i ulët i shkollimit dhe punësimit, varësia ekonomike dhe privimi nga vendimmarrja në politikë, janë vetëm disa nga aspektet e shëmtuara të kësaj gjendjeje. Kur përmendim arsimimin e femrës, dua të kujtoj Indira Gandin, udhëheqësen e parë femër në Indi, e cila në një nga fjalimet e saj historike kishte thënë se: „Arsimimi i femrës është më i rëndësishëm se sa arsimimi i djemve“. Është kështu, jo vetëm pse femrat bëjnë gjysmën e shoqërisë njerëzore, por edhe për faktin që ato kanë rol të veçantë në edukimin e brezave.

Gjendjen e rëndë të femrës shqiptare në përgjithësi, e asaj krijuese në veçanti, shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, e ka përshkruar gjer në detaje që nga antikiteti e deri në ditët tona. Ai kujton përpjekjet e femrës krijuese, si të poeteshës Safo, për një vend midis familjes të të mëdhenjve. Kadare krijueset e

letërsisë shqipe i quan „zonja të vogla të letërsisë“, për arsye se ato nuk mund të bëhen të „mëdha“ nga bërrylat e burrave. „Ato”, thotë Kadare „nuk ankohen për mosvëmendjen e shtypit e as për ndihmën që nuk iu vjen nga asnjë drejtim“, duke shtruar edhe pyetjen „ po si e përballojnë vallë, vetëm, ndikimin e botës letrare, të voglat“? Femrën krijuese shqiptare Kadare e krahason me xixëllonjat. Sepse sipas mjedisorëve thotë ai „xixëllonjat paraqiten brenda një kohe shumë të shkurtër midis pranverës dhe verës, dëshmi kjo për pastërtinë dhe harmoninë e një mjedisi. Ndryshe „po të zotëronte ndotja përreth, xixëllonjat nuk shfaqen“. Kështu ndodh edhe në stinët letrare thotë Kadare. „Kur helmet dhe urrejtjet shtohen në stinët letrare, është e kotë të shpresosh për zonjat e vogla të letrave, ato ikin“.

Po të analizojmë gjendjen e femrës shqiptare, në veçanti të asaj krijuese në Kosovën e pasluftës, konkluzioni do të na dalë tepër i dhembshëm. Nuk është këtu vendi që të ndalem në hollësitë e kësaj gjendjeje, as t’i rendis të gjitha  pengesat e sfidat në rrugën e emancipimit dhe të avancimit të femrës në shoqërinë tonë, por duhet inkurajuar edhe disa përpjekje shpresëdhënëse në ndryshimet pozitive që po ndodhin në procesin e barazisë gjinore te ne. Nevoja për këto ndryshime nuk është vetëm në vetëdije, por edhe në legjislacion dhe nuk duhet kuptuar si një dhuratë, por si e drejtë e patjetërsueshme.

Roli i vetë femrave në këtë proces jetik, është i pazëvendësueshëm dhe vendimtar. “Ne mundemi”, thoshte Barak Obama në fushatën e tij zgjedhore për president të SHBA-së. Barazia e gruas dhe fuqizimi i pozitës së saj në shoqërinë tonë, është nevojë, jo vetëm e grave, është mundësi që duhet bërë realitet dhe sa më parë aq më mirë. Mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë. Mos të lejojmë hipokrizinë që, siç thotë Kadare, femra „në art të himnizohet ndërsa në jetë të keqtrajtohet“.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …