Elife Luzha

Elife Luzha: Gruaja shqiptare dje dhe sot

Njeriu nga natyra lind me të drejtën për të jetuar i lirë dhe i barabartë me të tjerët. Këto të drejta bazë janë artikuluar edhe në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, ku thuhet: “Të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet dhe në të drejta”. Respektimi i këtyre të drejtave gjithsesi do të sillte barasvlerë dhe mundësi të barabarta për të gjithë, por femra, apo gjysma e njerëzimit, me mijëra vjet u privua nga të drejtat e patjetërsueshme.

Në Greqinë e lashtë respektivisht në Athinë, ku demokracia kishte lëshuar rrënjët e para, gratë nuk u lejuan të votonin. Madje sipas tyre gratë dhe robërit jo vetëm se ishin të njëjtë, por dhe natyrshëm të nënshtruar. Nga lashtësia e deri në Revolucionit Francez, thuaja të gjitha shoqëritë patën një trajtim çnjerëzor ndaj grave, pa përjashtuar këtu as besimet monoteiste si: krishterimi, hebraizmi dhe islami që synonin ta ruanin patriarkalizmin. Në këtë vijë gjykimi edhe Papa Gjon Pali ll më 1988, pati deklaruar se “gruaja duhet vetëm të dëgjojë dhe se asnjë gruaje nuk i lejohet mësimi mbi burrin”. Ishte po kisha fajtore për djegien të gjalla të tetë milionë grave në Anglinë e shek. të 16-të. Madje edhe sot, mbi katër milionë gra nëpër botë janë viktima të dhunës në familje. Në Kosovë, vetëm gjatë vitit 2017, kishte 1200 raste të dhunës ndaj gruas. Këto fakte tmerruese ma kujtojnë Hannah Arendt, e cila urrejtjen e mashkullit ndaj femrës e krahason me urrejtjen për çifutët. E femrat e çifutët, thotë ajo “nuk kanë mundur ta ndryshojnë këtë gjendje për mijëra vjet”.

Një përmirësim të lehtë të raportit mes gruas dhe burrit e vërejmë tek në shek. XVIII, kur filloi demistifikimi i gruas. Por, duhej të ndodhte Revolucioni Francez që të drejtat e grave të merrnin kahen e duhur, me Olympe de Gourges, e cila më 1791 formuloi Deklaratën për të Drejtat e Femrës dhe Qytetares, ku shkruan: “Gruaja lind e lirë dhe gëzon të drejta të barabarta me mashkullin në çdo aspekt”. Një vit më vonë Mary Wollstonecraft mbron të drejtën e gruas për pagë të barabartë me burrin. Britania, në janar të këtij viti (2018), e ka miratuar ligjin për pagë të barabartë, i njohur si ligji i parë i këtij lloji në botë. Megjithatë mbi 15 për qind e grave paguhen më pak se burrat për vendin e njëjtë të punës. Ishte kjo arsyeja që redaktorja Keri Grejsi nga rrjeti televiziv i BBC-së, pas 30 viteve të punës, në janar të po këtij viti dha dorëheqje.

Që nga lëvizjet e para feministe të vitit 1848, janë realizuar disa konventa për të drejtat e grave, por Deklarata e Përgjithshme e OKB-së, e miratuar më 10 dhjetor të vitit 1948 dhe Konventa e OKB-së për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave më 1979, janë ndër dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat bënë të mundur që të drejtat e grave të pranohen si pjesë integrale e të drejtave të njeriut. Përkundër kësaj “të drejtat e grave dhunohen ditë për ditë në të gjitha vendet dhe askush nuk merr ndonjë vendim për t’i ndalur këto padrejtësi”- thotë autorja, Tina Rocha në librin e saj “Grua e lumtur”.

GRUAJA SHQIPTARE DJE DHE SOT

Gjatë rrugëtimit të popullit tonë nëpër histori, gruaja shqiptare ishte pjesë aktive e të gjitha proceseve në mbrojtje të vendit dhe identitetit kombëtar. Heroizmi i mbretëreshës Teutë është shëmbëlltyra më e përsosur  e gruas shqiptare ndër shekuj. Femrat si: Donika, Bubulina, Tringë Smajli, Shotë Galica, Marie Shllaku, Xhevë Lladrovci etj, janë vetëm disa nga mijëra gratë shqiptare që u sakrifikuan për lirinë e atdheut. “Ato kanë qenë pjesëmarrëse në demonstrata, kanë protestuar në rrugë, kanë luftuar në radhët e UÇK-së, kanë qenë në politikë, por ato nuk i ka ditur Perëndimi dhe askush nuk i ka treguar”, thotë Anna di Lellio. Dhe jo vetëm kaq. Edhe 18 vjet pas përfundimit të Luftës në Kosovë, askush nuk u kujtua të përkujdeset për 20 mijë femra shqiptare të përdhunuara nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë. “Duhet të jesh tepër mizor për t’ua kthyer shpinën këtyre grave”, thotë një gazetare. Përderisa autorja Anna Kim, në librin e saj “Kohë e ngrirë”, gjendjen e grave të përdhunuara e përshkruan si një “cak kur dhembja gërryen tërë qenien”.

E kaluara e gjatë nën robëri, por edhe dominimi i patriarkalizmit tradicional, jo pak e kishin rënduar gjendjen e gruas kosovare. Ne besuam se me fitoren e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, edhe roli i gruas në shoqërinë tonë do të ndryshonte. Por që kjo të ndodhte, duheshin reforma të ngutshme, sidomos në arsim, me qëllim të emancipimit cilësor të shoqërisë, ku prioritet do të kishte femra, sepse siç thoshte Sami Frashëri “arsimimi i femrës sjell si rrjedhojë arsimimin e përgjithshëm të shoqërisë”. Shumë shtete para nesh kishin aprovuar ligje të veçanta që garantojnë arsimimin e barabartë të femrës me mashkullin. Ndër prioritetet tjera pritej të ishte edhe zhvillimi i politikave që duhej ta nxisnin pjesëmarrjen e gruas në politikë.

Por, për fat të keq, institucionet e Kosovës së lirë, që në formim u dominuan nga burrat. Në anën tjetër, shumë gra të guximshme dhe ato që tani më kishin dëshmuar kulturë intelektuale e atdhetare, u zëvendësuan me gra të zakonshme, të cilat kishin për t’u dukur vetëm si dekor. Dëgjoheshin zëra se “nëse kësaj bote mashkullore nuk i nënshtroheshe, nuk kishe asnjë shans për sukses”. Këto lëvizje të mbrapshta ma kujtojnë Gandin kur thoshte: “Në qoftë se në shoqëri prania e femrës nuk shërben për gjë tjetër, por vetëm për të kënaqur pasionet e burrave, ne të gjithë në emër të burrave duhet ta ulim kokën nga turpi”.

Duke parë këto zhvillime, të krijohej bindja sikur sistemi i demokracisë në Kosovë ishte instaluar vetëm për burrat, prandaj me të drejtë  përsëritej pyetja: “A duhet edhe gratë ta ndjenë demokracinë”? Imponimi i rolit dytësor të gruas edhe në shoqërinë e re demokratike ishte i papranueshëm. Para së gjithash është e drejtë njerëzore që gruaja të jetë pjesë e proceseve vendimmarrëse e jo numër apo “kukull për argëtimin e politikanëve”, siç thotë Flutura Açka në librin e saj “Kukullat nuk kanë atdhe”. Jo, as për t’i “zbutur burrat ”, siç flitej në Parlamentin shqiptar. Por në viset shqiptare, si edhe në Ballkanin e dominuar nga burrat, “gratë lejohen të merren me politikë vetëm atëherë kur u duhet atyre”. Gruaja me çdo kusht duhet ta marrë timonin e udhëheqjes me veten dhe sikur burrat, të ketë rol drejtues në shoqëri. Për të dëshmuar potencialin e gruas në këtë rol, po i përmend vetëm disa shembuj domethënës.

Në Kroaci, Jadranka Kos, qeverisjen e vendit e mori në një kohë krize që vinte si pasojë e skandalit për korrupsion nga paraardhësi i saj Ivo Sanader. Ajo realizoi disa ndryshime pozitive, duke i përshpejtuar edhe negociatat për anëtarësimin e Kroacisë në BE. Ngjashëm kishte ndodhur edhe në Slloveni, kur 43 vjeçja, Alenka Bratushka, qeverisjen e vendit e mori në kohë krize të rëndë ekonomike dhe politike, madje e kërcënuar nga rivalët politikë se “mandati i saj do të jetë po aq i gjatë sa edhe fundi i saj”. Edhe ish-Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, Presidente e parë grua në rajon, në krye të vendit ishte zgjedhur, siç thuhej “për t’i fashitur” grindjet politike. Janë edhe disa personalitete gra të shquara nëpër botë, që vendet e tyre i kanë udhëhequr nëpër kohë krizash të rënda si: Indira Gandi, Benazir Buto, Golda Mair, Margaret Thatcher, Ellen Jonson, Angela Merkel etj. Por, gruaja më e fuqishme që sipas gazetës “International Herald Tribune” “i ka mundur të gjithë në aftësinë e kalimit të katastrofave” është ish-sekretarja e SHBA, znj. Hillary Clinton. Ja përse thuhet: “Aty ku burrat bëjnë luftë, gratë vendosin paqe”.

Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, në shumë vende të botës u hapën debate rreth pjesëmarrjes së gruas në politikë. Si rrjedhojë pati një ngritje të lehtë të pjesëmarrjes së gruas në këtë fushë. Kurse sot, me zë apo nën zë, flitet se femrat janë bërë forcë e fuqishme e ndryshimit. Megjithatë, faktet na dëshmojnë se “segregimi vertikal dhe horizontal ndaj saj vazhdon, e “për këtë Zoti nuk është fajtor”, thoshte John Locke. Në Kosovë kultura e dominimit të mashkullit apo patriarkalizmi tradicional, janë ende shumë të fuqishme. Burri, apo “kjo qenie kaq e adhuruar prej vetvetes”, është shkaktari kryesor i kufizimit të drejtës së gruas tek ne. Me aplikimin e kuotës gjinore për promovimin e femrës në politikë, vetëm sa është dëshmuar gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhet gruaja sot. Kuota aspak nuk e ka zbehur diskriminimin, përkundrazi, ka favorizuar gratë me më pak aftësi dhe ngjanë “me intervenimin e kirurgjisë estetike, që mund të jetë kundërproduktive, sepse pjesa e shëndoshë e trupit mund të pësojë deformim, apo helmatisje”, thotë një gazetare. Nuk mund të ketë barazi gjinore pa pjesëmarrjen e gruas në politikë dhe kjo duhet të rregullohet me ligje, sepse “ligji nuk mund ta detyrojë një tjetër njeri të më dojë, por ama mund ta pengojë që të mos më linçojë”, thoshte M.L.King. Shqiptarët në mileniumin e ri, duhet ta zhbëjnë nga mendësia e tyre trajtimin tradicional të gruas. “Është nevojë e ngutshme për përmirësimin e gjendjes së gruas”, thoshte Sami Frashëri. E vlerësuar si qenia më aktive e njerëzimit, gruaja sidomos viteve të fundit ka dëshmuar se është e zonja për ta drejtuar shtetin dhe t’i çojë proceset përpara. Prania e gruas në politikë, para së gjithash do të krijonte një ambient më paqësor dhe të pakorruptuar. Tanimë ka mbërritur koha kur gratë, duke dëshmuar vlerat më të përkryera, energjinë dhe kreativitetin, ta përdorin për të mirën e tyre dhe të gjithë shoqërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …