Elife Luzha

ELIFE LUZHA: INTEGRIMI I SLLOVENISË NË BE, SHEMBULL PËR RAJONIN

Europa asnjëherë nuk do të jetonte në paqe përderisa Ballkani ziente nga politikat konfliktoze. Në përpjekjet për zgjidhjen e këtyre konflikteve, shpesh herë Evropa u tregua e padrejtë (rasti i copëtimit të tokave shqiptare). Kjo ka ndikuar në humbjen e besimit, se Europa kontribuon në zgjidhjen e drejtë të krizave (u dëshmua edhe në luftërat e fundit ). Pas Luftës së dytë Botërore, shpresohej për një paqe të qëndrueshme në këtë rajon. Por, mosrealizimi i të drejtave të popujve për vetëvendosje, sipas premtimeve të dhëna gjatë luftës së përbashkët kundër fashizmit, si dhe shkelja e këtyre të drejtave të përcaktuara edhe në Kartën e Atlantikut, bënë që krizave të mos u shihet fundi në këto pjesë Evropës Juglindore.

Gjithçka ndryshoi me përfundimin e Luftës së Ftohët. Rrymat liberale demokratike fuqishëm po ndjeheshin kudo. Shqiptarët më të prekurit nga padrejtësitë, të parët e përqafuan këtë rrymë. Demonstratat studentore më 1968, në Prishtinë, përkonin me ato të studentëve në Francë që e rrëzuan De Golin. Kurse Federata Jugosllave e krijuar me dhunë, donte të mbijetonte me dhunë. Pakënaqësitë kundrejt ish-federatës Jugosllave, i shprehën edhe republikat tjera. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ishin kulmi i pakënaqësive. Shtypja e demonstratave nga ushtria e ish-federatës Jugosllave, u gjykua nga bota demokratike edhe nga vet republikat jugosllave, si Sllovenia dhe Kroacia. Lufta për liri dhe demokraci filloi në Kosovë. Kurse Sllovenia ishte e para nga republikat e ish-Jugosllavisë që u materializua nga kjo luftë duke u shkëputur nga ish-federata, dhe shpallur shtet i pavarur.

KRIJIMI I SHTETIT SLLOVEN

Republika e Sllovenisë është një vend bregdetar pranë Alpeve në Europën Jugore. Në perëndim kufizohet me Italinë dhe detin Adriatik, që ka një vijë bregdetare prej 47 kilometrash. Në pjesën jugore dhe juglindore fillon të zgjerohet drejt Ultësirës së Panonisë, me Kroacinë. Kurse në verilindje Sllovenia kufizohet me Hungarinë. Shteti i parë slloven njihet në fillimet e shekullit VII, në Koroshkë (sot pjesë e territorit të Austrisë) Karantanija. Pas një shekulli e gjysmë i bashkëngjitet shtetit francez, duke pranuar sistemin feudal e bashkë me të edhe besimin katolik. Në shek. XIII i bashkohen parisë austriake të quajtur Mbretëria e Habsburgëve.

Fuqizimi i vetëdijes kombëtare sllovene u arrit sidomos në shek. XIX, kohë kjo e ngritjes së vetëdijes kombëtare të popujve, kur edhe populli slloven paraqiti programin për bashkim kombëtar. Por programi kombëtar slloven nuk pati sukses, sepse nuk u arrit realizimi i tij. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore, e tërheqjes së sllovenëve nga Monarkia e Habsburgëve. Sllovenët shpresonin se qëllimet e tyre do të mund t’i realizonin vetëm duke u bashkuar me shtetin e ri të sapokrijuar serbo-kroat. Asnjëherë më parë të drejtat dhe idealet sllovene nuk ishin nëpërkëmbur, sikurse në këtë bashkësi shtetesh, shprehet studiuesi slloven Janko Purnik. Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, nga viti 1929, u quajt Jugosllavi, ku sllovenët dukshëm arritën t’i përforcojnë pozitat e tyre kombëtare. Sllovenia përpos realizimit pothuajse të plotë të të drejtave të saj në ish-Jugosllavi, arriti edhe shkallën më të lartë të pjekurisë politike kombëtare për krijimin e shtetit të pavarur slloven. Në fund të shekullit XX, Sllovenia vendosi të largohet edhe nga shteti i ish-Jugosllavisë. Më 25. 06. 1991 me deklaratën për pavarësi, u shpall shtet i pavarur.

SI U INTEGRUA SLLOVENIA NË BE

Dëshirën për t’u anëtarësuar në BE Sllovenia e ka shprehur menjëherë pas shpalljes së saj si shtet i pavarur më 1991. Deri më 1992, Sllovenia është njohur nga të gjitha vendet anëtare të kësaj bashkësie. Të vetëdijshëm se bashkëpunimi me këtë organizatë është kompleks dhe i ngadalshëm, sllovenët negociatat intensive për bashkëpunimin me BE-në i kanë filluar menjëherë më 1993, deri në anëtarësim të plotë më 2004. Ky bashkëpunim kaloi në tri faza:

– Marrëveshja për bashkëpunim

– Negociatat për anëtarësim

– Statusi vëzhgues

FAZA E PARË DHE E DYTË

Faza e parë është edhe faza më e kufizuar, që ka të bëjë kryesisht me bashkëpunimin në fushën e ekonomisë. Sllovenia si fazën e parë, ashtu dhe të dytën i ka vazhduar njëkohësisht, duke bashkëpunuar krahas fushës së ekonomisë, edhe në atë të politikës.

Në këtë fazë të bisedimeve, marrëdhëniet bilaterale janë tepër të rëndësishme. Aq sa janë të rëndësishme, aq janë edhe vendimtare, në mos edhe çelësi për vazhdimin e negociatave të mëtejshme. Bashkëpunimi dhe lobimi për përkrahjen e anëtarësimit të Sllovenisë në BE, nga vendet anëtare të kësaj bashkësie, është arritur nga aktiviteti intensiv politik, si dhe qëndrimi këmbëngulës i negociatorëve sllovenë. Çdo negocim i shteteve për t’u anëtarësuar në BE përfundon me anëtarësim. Por në këtë fazë të bisedimeve, përshtatja e legjislacionit kushtetues me atë europian është me rëndësi në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.

Fillimi i reformave politike, ekonomike e sociale, si dhe realizimi i tyre në praktikë ishin prioritet për qeverinë sllovene. Delegacioni negociues slloven vazhdimisht ka mbajtur kontakte me Komisionin Europian, për të raportuar arritjen dhe sukseset, apo për të marrë sugjerime për hapat e zhvillimeve të mëtejshme. Gjatë negocimit ka pasur raste kur pala sllovene është dashur të bëjë kompromise të dhimbshme, por gjithsesi është arritur rezultati real, duke mbrojtur me këmbëngulje edhe interesin kombëtar.

FAZA E TRETË

Në këtë fazë Sllovenia nënshkruan marrëveshjen si kandidate reale për anëtarësim. Me këtë ajo e fitoi statusin e kandidates vëzhguese, që do të thotë se Sllovenia mund të jetë pjesëmarrëse në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Europës. Tanimë dialogu bilateral u zëvendësohet me atë multilateral, ku mundësia për të krijuar ‘mikun’ apo ‘armikun ‘ e përhershëm nuk ekziston. Kjo vjen nga fakti se përderisa në një pikë të programit mund të kesh përkrahjen e një shteti, në pikën e dytë mund të mos e kesh atë përkrahje nga po i njëjti shtet. Andaj kjo është faza e kërkimit të zgjidhjeve dhe kompromiseve, nëpërmjet analizave profesionale, politike, ekonomike, nacionale etj.

Arritja e qëllimit të një shteti në këtë proces është e lidhur ngushtë me përcjelljen e çdo veprimtarie në të gjitha institucionet e BE-së. Fatkeqësisht kjo për shtetet e vogla shpesh është edhe e pamundur sepse duhet pasur një numër të madh diplomatësh në Bruksel. Sllovenia me politikën e saj intensive u tregua e suksesshme, përkundër numrit të vogël të diplomatëve.

 

KUSH ISHIN NEGOCIATORËT SLLOVENË?

Ministri i jashtëm slloven ka qenë negociatori kryesor në negociatat për anëtarësimin e Sllovenisë në BE. Gjithsesi, ishte zgjedhur edhe grupi operativ negociues. Me një fjalë, në negociata kanë qenë aktive të gjitha ministritë, si dhe grupet qeveritare e joqeveritare sllovene. Delegacioni negociator gjatë kontakteve me përfaqësues të Komisionit Europian çdo herë ka marrë udhëzime shtesë, se si duhet realizuar me sukses procesi i integrimit në BE, si duhej përshtatur me sa më pak “dhimbje” legjislacionin slloven me atë komunitar etj. Ata informoheshin për çdo ligj, në secilën fushë veç e veç, duke përcaktuar edhe mënyrën se si duhej realizuar ligji, dhe kohëzgjatja e realizimit.

Për këtë arsye Sllovenia formuloi programin kombëtar, në mënyrë që të jenë të qartësuara të gjitha ligjet që duhen ndryshuar apo përshtatur me legjislacionin komunitar. Ky program mundësoi që Sllovenia të përshtatë me sukses legjislacionin shtetëror me atë komunitar, duke mos “dëmtuar” interesat kombëtarë.

Negociatat ishin të gjithanshme. Ato vazhdonin edhe gjatë takimeve nëpër konferenca ndërqeveritare nëpërmjet ministrit të Jashtëm apo edhe nëpërmjet zëdhënësit të tij. Edhe pse shpeshherë gjatë negociatave arriheshin rezultate të kënaqshme, duke realizuar të gjitha kushtet në çështje të caktuara, për delegacionin slloven çdo here ka vlejtur slogani se, “Përderisa nuk është arritur çdo gjë, nuk është bërë asgjë”!

KRITERET PËR ANËTARËSIM

Anëtarësimi i Sllovenisë në BE kërkonte realizimin e të gjitha kritereve të përcaktuara në Kopenhagë në vitin 1993, të ashtuquajtura edhe Kriteret e Kopenhagës. Realizimi i stabilitetit institucional, nëpërmjet forcimit të demokracisë, shtetit ligjor, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, funksionimit të ekonomisë së tregut, si dhe përshtatjes së legjislacionit me atë komunitar, ishin kriteret që sllovenia duhej të plotësonte.

Sllovenia, e renditur ndër vendet më të zhvilluara të ish-Bllokut Lindor apo SEV-it, nuk parashihte ndonjë pengesë të veçantë, sidomos në realizimin e kriterit ekonomik. Për këtë, në atë kohë studiuesi i njohur slloven për çështjet europiane, Marko Kos, thoshte: “Integrimi i Sllovenisë në BE nuk do të ndihet. Ndërsa ekonomia sllovene do ta ndiejë shumë ekonominë europiane”. Që nga pavarësimi i Sllovenisë më 1991, tregtia mes Sllovenisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian ishte ngritur ndjeshëm. Kurse me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim më 1997, BE-ja ka hequr doganat e të gjitha prodhimeve industriale sllovene, që kanë të njëjtën vlerë me ato në tregun e BE-së.

Me anëtarësimin në BE shtetit i ofrohen mundësi të shumta përfitimi nga buxheti i bashkësisë. Por, se sa i mundur është ky përfitim, varet nga njohuritë dhe aftësitë e specialistëve të fushës së ekonomisë. Për këtë, shteti slloven ka miratuar edhe programin ekonomik, për mënyrën se si mund të arrihet deri te shfrytëzimi, pastaj edhe kontrollimi i këtyre mjeteve. P.sh., planifikohej që Sllovenia në hapësirën kohore prej vitit 2004-2006 do të përfitojë 262 milionë euro, me çka suficiti i bilancit të pagesave do të rritej në 45 deri në 85 milionë euro. Planifikohej edhe përfitimi me rastin e aprovimit të marrëveshjes “Shengen” në kufi me Kroacinë, ku më shumë se gjysma e mjeteve për realizimin e kësaj marrëveshjeje do të jenë të ndara nga BE, për shkak se kufiri i ri me Kroacinë tani do të jetë kufiri i jashtëm i BE-së. Me një fjalë, ekonomistët sllovenë përfitimet nga buxheti europian në hapësirën kohore 2007-2013, i kishin planifikuar me përpikëri, zbatimi i të cilit do të fillonte menjëherë me anëtarësimin e Sllovenisë në BE, që u realizua më 2004.

Mirëpo, përkundër përpjekjeve të negociatorëve slloven, për të kaluar me sukses të gjitha kriteret e përcaktuara nga BE-ja, procesi nuk kaloi pa vështirësi. Kriteri politik edhe për Slloveninë nuk ishte i lehtë të realizohej. Çështja e përshtatjes së legjislacionit slloven me atë komunitar ngjalli polemika të fuqishme në opinionin e gjerë slloven. Përfaqësuesit italianë në Parlamentin Europian e kishin aktualizuar çështjen e kthimit të pronave shtetasve italianë të ikur nga Istra (sot pjesë e territorit slloven, një pjesë edhe kroate) qysh pas luftës më 1945.

Me një fjalë, ish-Jugosllavia e pasluftës e kishte nënshkruar marrëveshjen me Italinë, që të ikurve italianë nga Istra të dëmshpërbleheshin me një shumë prej 110 milionë dollarësh amerikanë në 13 këste. Jugosllavia deri në shpërbërjen e saj kishte paguar vetëm dy këste. Pjesën tjetër përfaqësuesit italianë kërkonin ta paguante shteti slloven. Ata gjithashtu kërkonin që çështja e kthimit të pronave të rregullohej me ligjin kushtetues slloven, përndryshe nuk lejohej vazhdimi i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së asocimit me Slloveninë.

Kjo ngjalli reagimet të ashpra në opinionin e gjerë slloven, ku për herë të parë u “përfol” drejtësia europiane. Populli slloven ndihej i privuar, duke i quajtur popujt e mëdhenj anëtarë të BE-së, si “popuj majoritar” . U organizuan lëvizje dhe protesta të shumta rreth kësaj çështjeje me slogane, si: “Sllovenia nuk është në shitje të lirë” etj. Përfaqësues të Komisionit Europian përkundër angazhimit shtesë të aktivitetit të tyre politik, nuk gjenin asnjë zgjidhje.

Kompromisi u arrit më 1995, kur një delegacion spanjoll, që vizitoi Lubjanën, paraqiti propozimin për ndryshimin e ligjit, propozim ky që u pëlqye nga pala sllovene. Me një fjalë, ligji parashihte të drejtën e pronësisë për të gjithë qytetarët e BE-së, që kanë mundësi ta argumentojnë qëndrimin e tyre trevjeçar në Slloveni.

Debatet polemizuese u shtensionuan sadopak me propozimin e delegacionit spanjoll, që u quajt “Kompromisi spanjoll”. Pala sllovene ishte akorduar për ndryshimet e parashtruara të ligjeve. U bë edhe ndërrimi i notës diplomatike mes dy shteteve, Italisë dhe Sllovenisë. Palët u pajtuan me ndryshimet e bëra. Me këtë Sllovenisë iu dha drita e gjelbër për nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me BE-në, që u nënshkrua më 10 qershor 1996. Sllovenia me këtë rast parashtroi edhe zyrtarisht kërkesën për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.

EUROTELEFONIA

Me sloganin “Europa shtëpia ime”, zyra qeveritare sllovene më 1998 ka vënë në dispozicion  një numër telefoni falas, nëpërmjet të cilit qytetarët janë informuar për të gjitha pyetjet e interesuara rreth anëtarësimit të Sllovenisë në BE. Këtë formë të informimit më parë e kishin zbatuar edhe Suedia, Austria, më vonë edhe Holanda. Në hapësirën kohore 1998-2004, qytetarët sllovenë kanë marrë përgjigje nga 19 mijë pyetje të parashtruara nëpërmjet telefonit. Të gjitha pyetjet dhe përgjigjet janë botuar në revistën “Eurondihma” me tirazhin prej 8 milionë kopjesh. Të gjitha këto revista qytetarëve iu janë ndarë falas. Kurse gjatë kësaj kohe studentët sllovenë kanë përgatitur 1500 projekte për Bashkimin Europian. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve sllovenë rreth anëtarësimit të Sllovenisë në BE, është hapur edhe faqja e internetit, nëpërmjet së cilës bëhej paraqitja e shtetit slloven, si: shkollat, hapësirat tregtare, panaire të ndryshme etj. Pyetjet më të shpeshta që janë parashtruar nga qytetarët sllovenë kanë qenë ato rreth përparësisë që do të ketë Sllovenia me rastin e anëtarësimit në BE, rritjes së të ardhurave, politikat sociale, punësimi, zbatimi i monedhës euro, si dhe mundësitë e shkollimit në vendet anëtare të BE-së.

SLLOVENIA U ANËTARËSUA NË BE

Më 1991 Sllovenia u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Vetëm 13 vjet më vonë, më 1 maj 2004 u bë anëtare e plotë e BE-së. Vullneti i popullit slloven u shpreh në referendumin e 23 marsit të vitit 2003, ku 85,64% të votuesve sllovenë u shprehën pro BE-së. Suksesi i Sllovenisë në universitetin e Bashkimit Europian në Bruksel ishte i shkëlqyeshëm. Lëndët kryesore studimore ishin: E drejta ligjore, përshtatja, negocimi në 31 fusha tematike, institucionet demokratike, arritja e marrëveshjeve, si dhe përshtatja e shprehjeve të ndryshme me ato komunitare. Kurse mundësitë për lëndët zgjedhore nuk ishin të mëdha. Ato ishin: E ardhmja e Sllovenisë në BE, novatorizmi dhe informimi i plotë!!!

Profesorët e BE-së, por edhe ata vendorë: Qeveria, Parlamenti, Komisionet parlamentare dhe mediet ishin shumë të rreptë. Gjithçka duhej realizuar në mënyrën dhe kohën e duhur. Lëshimi shumë i vogël mund t’i kushtonte shtrenjtë shtetit të ri. Kopjimi edhe ishte i lejueshëm, por pa mësimin sistematik asgjë nuk kishte vlerë. Gjatë studimeve, Sllovenia realizoi një numër të madh seminaresh, studimesh e qindra detyra semestrale, nga e cila rrodhi një punim diplome i shkëlqyer, por edhe kompleks. Në të gjitha detyrat e caktuara nga Brukseli, rezultati ishte i shkëlqyeshëm. Pas çdo provimi pasoi edhe lëvdata dhe përkrahja shtesë. Shpjegimet, sugjerimet, përmirësimet çdo here ishin të mirëpritura. Sllovenia u diplomua. Anëtarësimi i plotë në BE ishte rezultati i diplomës!

Nuk munguan përkrahjet dhe lëvdatat nga shtetet anëtare të Bashkësisë. Për historinë gjysmëshekullore të BE-së, ky ishte zgjerimi i pestë me radhë. Kandidate për anëtarësim në BE, bashkë me Slloveninë ishin edhe nëntë vende të tjera. Në Kopenhagë më 2002, përveç Sllovenisë, ftesën për t’u anëtarësuar e kishin marrë edhe këto shtete: Qiproja, Çekia, Estonia, Hungaria,  Lituania, Malta, Polonia, si dhe Sllovakia.

Sllovenia tanimë po rrugëtonte me familjen europiane. Hapi i parë që qeveritarët sllovenë morën pas anëtarësimit, ishte negocimi në fushën e ekonomisë. Aktiviteti intensiv politik, përveç angazhimit serioz, kërkonte edhe financimin e duhur. Tanimë si anëtare e plotë e BE-së, Sllovenia kishte të drejtën e shfrytëzimit të mjeteve buxhetore të bashkësisë. Përgatitja e programit kombëtar ndihmoi që në negociatat për çështje ekonomike, në hapësirën kohore 2007-20013 të përfitojnë 4,57 miliardë euro. Kjo shumë sigurisht që i kishte tejkaluar edhe planifikimet e parapara. U hapën edhe mundësi të reja për studentët sllovenë. Tani ata mund të studiojnë kudo në vendet anëtare të bashkësisë. Kjo hapte mundësi të reja arsimimi dhe kualifikimi. “Vendosmëria e bënë të mundur të pamundurën” është thënie e mendimtarit të madh shqiptar, Sami Frashrit.

Ky rrugëtim i suksesshëm i një shteti të vogël, si për nga hapësira gjeografike, ashtu edhe për nga përbërja e popullsisë, le të shërbejë si shembull edhe për shtetin e ri të Kosovës, si për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, ashtu edhe integrimin në strukturat euroatlantike. Nisur nga zhvillimet globale, integrimet janë të pakthyeshme dhe të domosdoshme për të mbijetuar. Ndaj një angazhim sa më aktiv dhe i kontrolluar drejt këtyre integrimeve, do t’u sjellë mundësi shqiptarëve të jenë aty ku e meritojnë, pra përkrah familjes së madhe europiane.

Marrë nga punimi seminar i vet autores. Për herë të parë i publikuar më: 25. 4. 2010.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …