Historia e njerëzimit, në të gjitha epokat e civilizimit, nuk e ka të njohur ecjen e barabartë të gruas me burrin në shoqëri. Edhe sot, në kohën e zhvillimeve moderne, flitet se “gruaja po ngec mbrapa proceseve”, sidomos në fushën e politikës, për çka faji i vihet kryesisht arsimimit të saj të vonuar. Parë nga ky këndvështrim, kjo edhe qëndron, kur kemi parasysh se shumica e grave të drejtën e shkollimit e kanë fituar pas Luftës së Dytë Botërore, madje deri vonë arsimimi i grave është parë si “prishje dhe rënie në gabime të femrës”.
Që nga lashtësia e deri në shekullin e 18-të, gratë, në të gjitha drejtimet, nuk e kishin asnjë të drejtë. Madje më 1586 “këshilli i të shkathëtëve” e kishte shpallur gruan si qenie që nuk i takon njerëzores. Por shekujt më vonë na e dhanë përgjigjen se “njerëzit në gjendjen e natyrshme biologjike janë të njëjtë”. Është pikërisht shekulli i 18-të, që shënon lëvizjet e para për të drejta civile dhe politike, të drejta këto që u proklamuan në Revolucionin Francez, e që kishin të bënin vetëm me burrat. Por për këtë, me guximin e saj intelektual, reagoi dramaturgia franceze Olympe de Gouges, e cila për herë të parë në historinë e njerëzimit hartoi “Deklaratën për të Drejtën e Gruas” ku thuhet: “Gruaja lind e lirë dhe gëzon të drejta të barabarta me mashkullin në çdo aspekt”.
Pas shumë vitesh, më 1948, me insistimin e Anna Eleanor Roosevelt që drejtonte komisionin për të drejtat e njeriut në OKB, të drejtat e grave në mënyrë të posaçme u artikuluan në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. E të drejtat që kanë mbrojtje kushtetuese apo ndërkombëtare, janë të drejtat themelore të njeriut, si e drejta për dinjitet dhe personalitet njerëzor. Është i rëndësishëm sanksionimi me ligj i këtyre të drejtave, të cilat krijojnë mundësi për një shoqëri të përgjegjshme, demokratike dhe jo diskriminuese. Me një fjalë, mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut është kërkesë minimale për një jetë të dinjitetshme dhe pa abuzim nga më të fortit. E “të poshtërosh ata që janë më me pak forcë, përbënë një kënaqësi të madhe perverse” thotë Hanah Arendi.
Fjala diskriminim vjen nga latinishtja, discriminare dhe ka kuptimin e dallimit, veçimit, përjashtimit apo kufizimit të të drejtave të një personi ose grupi në raport me të tjerët, për shkak të gjinisë, racës, gjuhës, bindjes, etj. Meqë bazohet në doktrina të rrezikshme superioriteti, diskriminimi është formë e shëmtuar e mohimit të të drejtave, që zakonisht rezulton me pakënaqësi e destabilitet dhe pengon prosperitetin e emancipimin e shoqërisë
Thuhet se “barazia e vërtetë arrihet vetëm në kushte lirie”, përderisa sjellja me përgjegjësi, si respektimi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, mund të realizohet vetëm në demokraci. Por, vlerat e demokracisë, siç është parimi i barazisë, si pasojë e ndërhyrjeve mashkulloriste asnjëherë nuk vlejtën edhe për gratë. Se kjo qëndron, mjafton të vështrojmë historikun e përpjekjeve të grave për të votuar, që në Evropë e SHBA janë njohur pas Luftës së Dytë Botërore. Madje në disa vende të Evropës përpjekjet kanë vazhduar deri në pjesën e dytë të shekullit XX. Në Britani kërkesat e grave për të votuar kishin filluar më 1830, por ishte dashur të kalonin gati 90 vjet që kjo e drejtë të jetësohej më 1918. Në Finlandë e drejta e grave për të votuar ishte miratuar më 1906. Përderisa në disa kantone të Zvicrës, si në Appenzell Innerrhoden këtë të drejtë gratë e kanë fituar më 1984. Gratë në Ballkan të drejtën e votës e kanë fituar pas Luftës së Dytë Botërore. Gratë shqiptare për herë të parë votuan më 1945, në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Sot në demokraci e drejta e grave për të votuar nuk është e diskutueshme, por pjesëmarrja e saj në politikë dhe vendimmarrje, si kusht për drejtësi dhe barazi shoqërore, lë shumë për të dëshiruar.
Dekadave të fundit udhëheqës të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare kanë ndërmarrë një varg aksionesh dhe kanë miratuar strategji për të promovuar përfaqësimin e grave në të gjitha sferat e vendimmarrjes. Më 1988 Këshilli i Evropës për herë të parë në “Deklaratën për Barazinë dhe Gratë”, përcakton se “barazia gjinore është pjesë e pandarë e të drejtave të njeriut, dhe se pa u arritur kjo nuk mund të ketë as drejtësi shoqërore dhe as demokraci të vërtetë”. Edhe Deklarata e Pekinit më 1995, që është një ndër deklaratat më të fuqishme ndërkombëtare, konstaton se: “ fuqizimi i gruas dhe pjesëmarrja e plotë e saj në të gjitha sferat e shoqërisë, përfshirë edhe marrjen e vendimeve, është kusht themelor për arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes”. Më 2006 u krijua Instituti Evropian për Barazi Gjinore, i cili nëpërmjet rekomandimeve të posaçme, u bënte thirrje shteteve anëtare t’i ndryshojnë sistemet e tyre zgjedhore dhe të aplikojnë sistemin e kuotës dhe mekanizmat tjerë ndihmës për arritjen e balancës gjinore në politikë dhe vendimmarrje.
Sistemi zgjedhor është ndër faktorët e rëndësishëm që ndikon në numrin e përfaqësuesve gra në parlament. Në pluralizëm janë disa sisteme zgjedhore, por nga tre sistemet kryesor: mazhoritar, proporcional dhe ai i përzier, është dëshmuar se aplikimi i kuotave me sistemin zgjedhor proporcional është gjetja më e mirë për të arritur përfaqësimin e grave në parlament. Padyshim këtu pastaj luan rol edhe përdorimi i listave të hapura apo të mbyllura të kandidatëve, si dhe renditja e tyre në lista.
Faktor tjetër janë edhe partitë politike që duhen parë si organizata, të cilat luajnë rol të rëndësishëm për përfshirjen e femrave në pozitat vendimmarrëse dhe pjesëmarrjen e barabartë të tyre në listat e kandidatëve në zgjedhje, duke promovuar kështu barazinë gjinore. Pos Belgjikës, në asnjë vend tjetër partitë politike nuk ofrojnë për gratë vende të barabarta me burrat në këto lista. Por, ajo që viteve të fundit predominon në tematikat e diskutimeve rreth rritjes së pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe në vendimmarrje, pa dyshim është edhe rëndësia që ka aplikimi i sistemit të kuotave që ka efekt, “vetëm në përshtatje me sistemin zgjedhor”.
Pavarësisht se gratë përbëjnë 50 për qind të popullsisë, ato janë grupi më i nënpërfaqësuar në politikë, prandaj vendosja e kuotës gjinore prej 30% (që nuk ka ndryshe si të quhet pos “kuotë për gratë”), është parë si e domosdoshme për fuqizimin e grave në politikë dhe në organet vendimmarrëse. Konsiderohet si “masë e përkohshme” që ligjërisht garanton pjesëmarrjen e grave në politikë. Kuota ndahet në katër kategori: kuotat gjinore ligjore, kuotat vullnetare (politike), kuotat e dyfishta dhe kuotat e buta. Daton që nga viti 1937, kur përfaqësuese të organizatave të grave, i kërkuan Komisionit të Ekspertëve për Statusin Ligjor të Grave në Lidhjen e Kombeve, vendosjen e kuotës ligjore, për të ruajtur balancën gjinore në jetën publike dhe politike, si kusht për respektimin e të drejtave të njeriut. Megjithatë, kaluan shumë dekada deri në vitin 1979, që këto të drejta të kenë mbrojtje ligjore nëpërmjet Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW). Kështu, edhe pse Suedia kuotën politike e kishte përdorur qysh më 1928, Argjentina u bë vend i parë në botë, që më 1991 përdori kuotën ligjore. Përkundër faktit se kuota kishte një përvojë të keqe gjatë komunizmit, aplikimi i saj gjeti shtrirje të shpejtë në shumë vende të botës, si në Belgjikë më 1994, në Bosnje-Hercegovinë (1989-2001), në Francë (1999-2000), në Kosovë (2000), në Maqedoni (2002), në Slloveni (2006), në Spanjë (2007), në Shqipëri (2008), etj.
Kuotat dhe krijimi i një klase parazite në politikën e Kosovës
Në Kosovën e pasluftës, që në zgjedhjet e para parlamentare të mbajtura më 2001, bashkësia ndërkombëtare, për të fuqizuar pjesëmarrjen e gruas në politikë, vendosi kuotën gjinore (kuotat e dyfishta), që rezultoi me sukses pasi u arrit shifra 33% e përfaqësimit të grave në parlament. Në zgjedhjet e dyta më 2004, Kosova tanimë kishte Ligjin e parë për Barazi Gjinore i cili sanksionoi kuotën gjinore për 40% të përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e pushtetit, por që binte ndesh me kodin zgjedhor të miratuar më 2008, i cili kishte sanksionuar kuotën 30% të përfaqësimit të grave në Parlament. Në këto zgjedhje (2004), numri i grave deputete kishte zbritur në 30.8%. Edhe në zgjedhjet e treta më 2007, numri i grave deputete ishte 30.8%, më 2010, 31,6 %, më 2014, 32,5%. Por, përkundër ngritjes së numrit të grave në parlament, në nivelin qendror dhe lokal, përfaqësimi i tyre në vendimmarrje ishte shumë i ulët. Kohë të gjatë, asnjë grua nuk ka qenë e përfaqësuar në nivel të kryesisë së Kuvendit. Kosova vërtetë pati presidente grua, por në zgjedhjet lokale të 2013-ës, nga 38 komuna sa ka Kosova, pati vetëm një kryetare komune. Më 2015, numri i përgjithshëm i grave të punësuara nëpër komuna ishte 28%, dhe vetëm 5.2 % në pozitat drejtuese qeveritare. Në Presidencë, nga 32 pozita të larta drejtuese, 14 udhëhiqeshin nga gratë, në Kuvend, nga 52 pozita të larta drejtuese, vetëm 19 udhëhiqeshin nga gratë. Sot në Kuvendin e Kosovës 70% e deputetëve janë burra. Nga 38 komuna sa ka Kosova asnjë nuk udhëhiqet nga gratë, dhe nga 21 ministri, vetëm 2 gra mbajnë poste ministrore. Thënë ndryshe, në të gjitha qeveritë e pasluftës, vetëm 10-15% e grave kanë përfaqësuar poste ministrore. Me një fjalë, në sektorin publik vetëm 12% e të punësuarve janë gra.
Janë këto të dhëna që mjaftojnë për të dëshmuar se aty ku përqindja e përfaqësimit të grave është e përcaktuar me ligj (kuota gjinore ligjore) femrat deri në një masë janë të përfaqësuara, përderisa në sektorin e vendimeve politike, gratë thuaja se tërësisht janë të përjashtuara. Kështu, përkundër nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës që sanksionon Konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW), si dhe miratimit të Ligjit për Barazi Gjinore më 2015, ku parashihet pjesëmarrja e barabartë (50:50), e gruas në vendimmarrje politike e publike, ato vazhdojnë të mbeten të diskriminuara.
Aspirata e femrës për të luajtur rol në politikë është e hershme, por ky synim ende mbetet sfidues. Me aplikimin e sistemit të kuotave pjesëmarrja e gruas në politikë është rritur, megjithatë, qasja e saj në vendimmarrje mbetet e izoluar. E nëse kuotat janë forma më aktive për promovimin e grave në politikë, atëherë pse nuk janë vendosur në raport me popullsinë, dhe të jenë obligative në të gjitha nivelet? Apo mos vallë ky është vetëm një keqpërdorim politik i emrit “grua”? “Nuk ka anëtarësim pa mundësi të barabarta për gratë dhe burrat”, thuhet në njërin nga 31 kapitujt që duhen plotësuar nga secili shtet aspirant në BE, ku synon edhe Kosova. Megjithëse angazhimi i gruas në politikë nuk duhet parë si kusht për integrim në BE, por siç thuhet edhe në fjalorin evropian, si e drejtë njerëzore dhe mundësi e barabartë për të gjithë.
Gjithsesi, kuota nuk mund të jetë e vetmja zgjidhje për përmirësimin e disbalancës gjinore në politikë. Para së gjithash, kuotat, shkelin parimin e meritokracisë dhe kultivojnë modele të parazitizmit helmatisës për shoqërinë. Bazuar në opinionin publik, kuotat zakonisht bëjnë përzgjedhjen e grave me më pak meritë, të cilat nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të udhëhequr në politikën, prandaj dhe aplikimi i sistemit të kuotave me të drejtë quhet “shikim jo i lirë në demokraci”, që krijon imazhin e grave “kukulla” apo “vegla të kryetarit”. Gruaja në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojë përuljen apo nënshtrimin, dhe të vetëkënaqet në postet e dhuruara pa meritë. Me çdo kusht pjesëmarrja e gruas në politikë dhe në vendimmarrje duhet realizuar përmes konkurrencës dhe zotësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë krijohet një klimë nxitëse për pjesëmarrjen aktive të grave në politikë. Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që kuotat të jenë vendimtare për ngritjen (numër), të gruas në politikë. Kjo përqindje as që duhet të ekzistojë në demokraci. Fuqizimi i gruas në politikë dhe vendimmarrje nuk duhet parë thjeshtë si një përmbushje obligimi, por si potencial intelektual për një qeverisje të mirë dhe stabile në shoqëri. Vetëm kështu mund të krijohet një klasë politikanesh të dinjitetshme, të pakorruptuara dhe të ndërgjegjshme për veprimet e rëndësishme që duhet te ndërmarrin në dobi të shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi.