Buzëkuqi i deputetes
Pse bëhesh që s’më njeh
Mikja ime tani me pozitë të re
Motër të idealit më thirrje dikur
Por tani për ty jam krejt një e huaj
Makiazhi të pikon me buzëkuqin gacë
Po si vallë e ndryshove tërë atë surrat
Kohën që e lam pas e quan demode
Tani thua bëjmë politikë të re
Ooo verbëri e përdalë
Ҫ‘shëmti djallëzore mendjen të ka errësuar
Flakës së mallkimit do të vërvitesh një ditë
Si mëkatare e penduar.
Kthimi
Me rreze të këputura yjesh rimova këngën e kthimit
Viteve të zehërta në mërgim ku degdisur isha
Thellësinë e rrënimit deri në rrënjë shpirti ndjerë e kam
Rrathëve danteskë ngulfatur me ajrin e durimit
Dhe ja tek jam tani përballë teje malli im fushon
Guri i sertë i pritjes hesht para kumtit tim
Peshë e halleve tua shpresën e vagët ma gurëzon
Djallëzitë kthinave judeske gjarpërojnë
Ti balldiell shndrit në rrugëtim me parzmë mprehur
Mijëra vjet logjeve dardane lumit gjakut jemi rritur
Heu Kosovë këngë e paepur përjetësie ta puthi ballin
Je bardhësi e agut ajër që frymon shqim dejve të mi.
Tingëllimë vetmie
E vetme jam
Në mesin e mizërisë njerëzore
Shëmti e shpërfilljes më trishton
Skutave të mendimit strukem
Me riga loti e vras pikëllimin
Duke i jetuar jetës
Ndër rreze ylberësh të përgjakur
Sall Hyu im më jep një të shtyrë
Nga ishulli i largët i shpirtit
Gjithandej kërshërira përcëlluese
E mbrapshti të servirura kulmojnë
Vetëm një dorë e zgjatur miqësore
Që të fal pak ngrohtësi njerëzore
Mungon.
Ktheu në Itakën tënde
Shtigjeve të mërgimit udhë nise, vëlla
Me plagën atdhe përvëlitur ndër deje
Ëndrrat si copëza mermeri tinëzisht t’ithyen
E fati t’u rrokullis si gur sizifi drejt teje.
Pirgje brengash kanë brejtur vitet e tua
Dhembja ethshëm të prushon në ballë
Maje qepalle pikëllimi të bulëzoni idhët
Kosova plagë në trup e gjallë….
Fushave djerrinë gjarprinjtë zgavrojnë
Me kukamë qyqesh vajtohet rënia e yjeve
Mbrapshtitë si furtuna uragani përmbytës
Në agshole dite jetën pamundësojnë, eh!
Në harkun e kohës dramë pa epilog
Kosova, e mira, a thua mbet?
Kthehu vëlla kthehu se ajo të pret
Si Itaka Odiseun e vet.