Reçaku i pikëllimit dhe i krenarisë kombëtare, reçakasit që me heroizmin dhe vetësakrificën e tyre lëvizën nga vendi diplomacinë e rëndë botërore, luftës për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë i dhanë 12 dëshmorë të lirisë, 50 martirë dhe dhjetëra të plagosur. Djalëria trime e këtij fshati heroik mori pjesë në tri luftërat e ushtrive tona çlirimtare në UÇK, në UÇPMB dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.
Elmi Kamberi lindi më 6 qershor të vitit 1981, të këtij viti të njohur për lëvizjen e rezistencës shqiptare. Babai i Elmiut, Bedriu dhe nëna Elifja me mund e vështirësi lindën e rriten pesë djem e tri bija: Agimin, Bashkimin, Azemin, Vahiden, Sanien, Elmiun, Sevdijen dhe Besimin.
Shkollën fillore, Elmiu e kreu në vendlindjen e tij në Reçak. Të mesmen në Shtime, drejtimi i përgjithshëm.
Në kohën e zgjerimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare në Reçak, Elmiu ishte vetëm 17-vjeçar dhe nuk u lejua të bëhej ushtar, meqë nuk kishte mbushur moshën, e cila parashihej sipas vendimit që kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë ai nuk ndejti duarkryq. Me të gjitha forcat e tij djaloshare i ndihmoi luftëtarët e bashkëvendësit të tij, të cilët krijuan një bërthamë të fortë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë në krye me Isak Musliun, i njohur gjatë luftës si Komandant Çerçizit, i cili kishte zgjeruar radhët e ushtrisë çlirimtare në Reçak, në Rancë, Belinc, Petrovë e Mallapolc.
Në kohën e Masakrës së Reçaku, Elmi Kamberi me disa anëtarë të familjes së tij ka qendruar për një kohë në Ferizaj.
Pas dëbimit të forcave serbe nga Kosova, Elmiu ashtu sikurse edhe të gjithë çlirimtarët e Kosovës ishte tërë shend e ngazëllim. Sapo filloi lufta në Kosovën Lindore, në dimër të vitit 2000, Elmiu me disa bashkëluftëtarë inkuadrohet në radhën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanovc.Dimrin e atij viti e kalon me bashkëlunftëtarë në Dobrosin. Fillimisht sistemohet në brigadën 112 Sherfi Jonuzi-Enver Bajrami të UÇPMB-së. Ka marrë pjesë aktive në luftimet që u zhvilluan ne rastin e dëbimit të forcave serbe nga Konçuli, Dobrosini Bujanoci e disa pika të tjera strategjike. Pika e tij e pozicionimit ishte në Dobosin. Aty ishte në pozicionet luftarake së bashku me Arben Selmanin, Adrian Sylën dhe me disa bashkëluftëtarë të tjerë.
Me rastin e demilitarizimit të UÇPMB-së, Elmi Kamberi me shumë luftëtarë nga Kosova, nuk i dorëzon armët, kthehet në vendlindje, ku qendron përafërsisht një muaj dhe më pas depërton në Malësinë e Karadakut të Kumanovës ku kishte filluar luftën Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Atje komandonte komandant Guri-Jetullah Çarri, nga Graiçeci dhe komandant Kumanova, Xhemail Jashari, vëllai i komandantit emblematik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, i cili ra për çlirimin e Kosovës në fshatin Luzhnicë më 25 gusht të vitit 1998.
Elmiu së bashku me bashkëluftëtarët, Arben Selmani, Afrim Kalanica, Rifat Mujota, Xhevat Bujari, Imer Beqa, të gjithë nga fshatrat e rrethinës së Shtimes, fillimisht merr pjesë në luftimet që u zhvilluan për të dëbuar forcat e armatës sllavomaqedone nga fshati Tanushë. Shquhet për trimëri dhe shpirt sakrifice. Shokët e quanin Reçaku, në bazë të emrit të fshatit që luftëtarët e lirisë i mbushte tërë pezm për të shpaguar gjakun e derdhur të martirëve e dëshmorëve të Reçakut heroik.
Pas dëbimit të forcave serbe nga tërë vija kufitare me Kosovën, Elmiu me bashkëluftëtarë depërton drejt fshatrave të Kumanovës, ku ishte barrikaduar luftëtari emblematik i luftërave çlirimtare komandant Guri. Sistemohet në fshatin Sllupçan, i cili asokohe qe bërë kala e pathyeshme e forcave çlitimtare kundër forcave okupatore sllavomaqedone të ndihmuara edhe nga mercenarët rusë, serbë e ukrainas.
Elmiu, ishte kalitur ndër beteja. Arma e tij çlirimtare jehonte brigjeve të Sllupçanit e të Vaksincës, ashtu si dukur arma e Ismet Jasharit në grykat e Carralevës dhe të Rrafshnaltës së Drenicës. Gjatë tërë kohës qëndron në front.
Më 19 qershor të vitit 2001, sapo i kishte mbushur njëzet pranverat e jetës së tij djaloshare, e godet plumbi gjakatar i armikut. Elmiu bie heroikisht e trimërisht në Sllupçanin legjendar të Kumanovës së bashku me Nezir Demirin e Kumanovës, i njohur me emrin luftarak Apaçi, i cili kohë më parë kishte dezertuar nga armata sllavomaqedone dhe ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së. Gjaku i tij rinor përskuq tokën e djegur flakë nga mortajat armike. Bie në vendin e quajtur “Te furrat” ku edhe e varrosin bashkëluftëtarë e tij.
Pas luftës bashkëluftëtarët e varrosin në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Sllupçan, ku pushojnë eshtrat e këtij trimi luftëtar nga Reçaku i mirënjohur i dhembjes dhe i krenarisë së luftës çlirimtare.
Mirënjohje familjes së dëshmorit Elmi kamberi i ka dhënë Shoqata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe Këshilli Organizativ Mateç-Hotëll, në qershor të vitit 2004: Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, në Shtime më 28.11 2003. UÇK dhe banorët e Haraqinës në qershor të vitit 2002.
Pllaka përkujtimore iu ngrit në fshatin Sllupçan të ish-RJ të Maqedonisë. Për dëshmorin Elmi Kamberi është shkruar një biografi e shkurtër në librin “Masakra e Reçakut krim kundër njerëzimit”. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …