Elmi Murat Lestrani (26.6.1976 – 2.4.1999)

Elmi Murat Lestrani (26.6.1976 – 2.4.1999)

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonën e Drenicës kishte marrë hov sidomos pas Betejës së Legjendarit Adem Jashari dhe Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. Organizimi i pikave të UÇK-së në disa fshatra të Drenicës ishte bërë shumë vjet më parë, ndërsa në pranverë të vitit 1998, Prekazi, ish-Baica e Elshanit, tani fshati Rezistencë, Abria, Likoci, Rezalla, Llausha, Aqareva etj. ishin bërë kështjella të pathyeshme të luftës kundër forcave pushtuese serbe. Një kontribut të madh kësaj lufte i ka dhënë edhe djalëria e fshatit Rezistencë e Drenicës.

Elmi Lerstrani lindi më 26 qershor të vitit 1976, në fshatin Rezistencë (ish-Baicë), komuna e Drenasit.

Shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, ndërsa të mesmen, në Drenas. Gjyshi i tij, Ahmet Lestrani ka qenë bashkëluftëtar i komandantit të rezistencës popullore kundër mbetjes së Kosovës nën Jugosllavi, Shaban Palluzha, i cili në dimrin e vitit 1945 organizoi rezistencë gjithëpopullore në Drenicë.

Familja Lestrani ka qenë e përndjekur nga regjimi serb. Disa pjesëtarë të saj në kohën e regjimit Serb-Kroat e Slloven ishin shpërngulur nga Drenica në Fushë- Krujë, me qëllim për t’i shpëtuar përndjekjes dhe shfarosjes nga regjimi antishqiptar i kohës. 20 vjet më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ata sërish u kthyen në vendlindje.

Elmi Lestrani kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i pati në vitin 1996, në fshatin Abri, përmes nipit të familjes së tij, Muharrem Xhemajli, i cili ishte i organizuar me eprorët e UÇK-së, Sahit Jashari, Musë Jashari, Daut Xhemajli e të tjerë.

Në prill të vitit 1998 Elmiu me disa vullnetarë shkon në Shqipëri me qëllim për të marrë armë, municion dhe uniforma. Pesë ditë më vonë ai dhe shokët e tij kthehen në Drenicë dhe fillimisht vendosen pikën e Gurit, në Kozmaq të Drenicës.

Përpos kallashit, me të cilin ishte ngarkuar, ai në shtabin e UÇK-së në Likoc sjell nga Shqipëria edhe dy armë të tjera dhe municion. Një kohë mori pjesë në stërvitjet e njësitit special të Brigadës 111 “Adem Jashari” dhe stërvitjeve që bëheshin në fshatin Rezistencë. Ka qenë pjesëtari i Togut të Parë të Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Elmi Lestrani ka vepruar dhe ka luftuar në mesin e bashkëluftëtarëve si: Remzi Lestrani, Rasim Kiçina, Afrim Kiçina, Rrahim Bajraktari, Bedri Lestrani, Fatmir Kiçina, Avni Kiçina, Brahim Lestrani, Naim Lestrani, Enver Vrellaku, Gani Xhemajli e shumë të tjerë. Ka marrë pjesë në shumë beteja që janë zhvilluar në frontet e luftës çlirimtare në zonën e Drenicës, si në Grykën e Llapushnikut, Aqarevë, Likoc, Abri, Tërstenik, Baicë, Polluzhë, Rezallë, Gjergjicë, Negroc, e në beteja të tjera.

Në fillim të prillit të vitit 1999, në kohën kur NATO-ja kishte intensifikuar bombardimet kundër Serbisë, forcat ushtarake e policore të Milosheviqit kishin marrë përsipër ta shfarosnin UÇK-në dhe mundësisht të futeshin nëpër male, për t’u maskuar. Asokohe, forcat serbe po sulmonin pa ndërprerë bazat e luftës çlirimtare në Kozmaq, në Abri, Likoc, pastaj në pjesën jugore të Drenicës në Berishë, Kleçkë e kudo në pikat strategjike të UÇK-së.

Elmi Lestrani ishte sistemuar në “Pikën Zero” ku, më 12 prill të vitit 1999 kishte rezistuar heroikisht dhe kishin marrë plagë vdekjeprurëse nga arma e armikut, ai dhe bashkëluftëtari i tij, Rrahim Bajraktari. Bashkëluftëtarët e tyre, Enver Vrellaku, Remzi Lestrani, Florim Krasniqi, Arben Krasniqi, Agron Spahiu arrijnë t’i tërheqin nga vendi ku kishin rënë dhe më 15 prill të vitit 1999 i varrosin në vendin e quajtur “Gryka e Ramadanëve” në fshatin Rezistencë.

Dëshmori ka lënë babanë Muratin, nënën, Hanifen, vëllezërit: Aliun, Musliun (veteran i luftës, i ndjerë), Hysniun dhe Bedriun, si dhe motrat: Havën, Sabrinë, Kadën, Mejremen dhe Eminen.

Familja Lestrani, për djalin dëshmor ka marrë mirënjohje nga ShP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, nga Zona Operative e Drenicës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve etj. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …