Në fillim të viteve 80-të, të shekullit të kaluar grupet ilegale të cilat vepronin në Kosovës dhe vise tjera në Jugosllavi, kishin shtrirë rrjetin e veprimtarisë së tyre në të gjitha trojet e pushtuara shqiptare. Regjimi serbo-sllav kishte arritur që shumë nga ta ti arrestonte, t’i dënonte dhe t’i burgoste.
Vjeshta e vitit 1986 e gjen edhe autorin e këtij libri, duke vuajtur dënimin në Burgun e Suboticës.
Një takim i rastësishëm i tij në qelinë e burgut ku mbante dënimin prej disa muajsh, me një familjar të afërt të personazhit kryesore të librit, një mbrëmje vjeshte të atij viti, nxit imagjinatën e autorit që me mjeshtërinë e veçantë të shkrimit, që e karakterizon, rrëfimin ta nxjerrë nga konteksti i kohës kur është zhvilluar ngjarja dhe ta realizojë atë në mënyrë të përkryer artistikisht, përmes këtij libri.
Koincidenca e takimit, vendi i takimit, motivi i ngjarjes për të cilën rrëfimtari, gjendej aty në qeli bashkë me autorin, hapja e temës dhe rrëfimi i ngjarjes, të krijojnë ndjesinë se edhe pas afro një shekull nga zhvillimi i ngjarjes, drama shqiptare vazhdonte pothuajse e njëjtë, por me akterë të rinj: Lukunia serbe mbi shqiptarët nuk ishte ndalur asnjëherë. Vrasjet, burgosjet, përndjekjet, dhunimet e maltretimet ishin bërë pothuajse përditshmëri për shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi.
Aty ku përfundon këngën rapsodi popullor, aty ku enigma e kësaj ngjarje ishte ndërprerë për afër një shekull, autori i librit arrin që përmes një takimi të rastësishëm dhe rrëfimi të shkurtër ta nxjerrë epilogun e saj?
Betimi i Motrës është një vepër e realizuar artistikisht, me një gjuhë të pasur dhe stil të veçantë, që tashmë e karakterizon autorin, jo vetëm në këtë vepër por edhe në veprat tjera të tij.
Një libër që lexohet me një frymë, që të bën për vete që në hapje të tij dhe që përmes narracionit dhe shtjellimit të ngjarjes e mban në ankth lexuesin për fatin e personazheve të tij.
Duke qenë njohës i mirë i rrethanave historike, në periudhën kur zhvillohet ngjarja, autori arrin që përmes personazheve të tij të shpalos shumë ngjarje nga ajo periudhë.
Që nga luftërat Ballkanike dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), kur Kosova dhe viset tjera me shumicë shqiptare bien nën sundimin serb, shqiptarët do t’i nënshtrohen një dhune dhe terrori të vazhdueshëm. “ Zoti e vraftë këtë dushman, na vrau e na dogji e nuk po na hiqet qafe!”
Si rezultat i një gjendje të tillë, të rëndë dhe të vështirë të popullatës shqiptare të këtyre viseve dhe në përpjekje për ta ruajtur identitetin e për të mos iu nënshtruar regjimit serb, na shfaqen në skenën e historisë figurat e Shotë e Azem Galicës, dhe të dhjetëra e qindra trimëreshave e trimave të tjerë, të cilët i dalin popullatës së pambrojtur shqiptare, duke e goditur armikun aty ku nuk e prisje. “ Atje po luftojnë kundër shkaut. Luftës po i prinë Azem Galica dhe nuk po ka çka i banë as krajli i Beogradit”.
Duke u frymëzuar nga shembulli i Shotë dhe Azem Galicës dhe trimave të tjerë, te shumë burra dhe gra, djem dhe vajza, fillon të zgjohet zëri kryengritës i tyre, i fashitur nën peshën e rëndë të vuajtjes dhe robërisë, e të cilin mjaftonte një shkëndijë shprese për ta ndezur.
“ Nuk kam qenë asnjëherë në Drenicë, se qysh sonte bashkë me time motër do të shkoja atje”
Edhe përkundër dhunës dhe terrorit të paparë mbi popullatën e pa mbrojtur, Evropa po heshtte para dramës shqiptare, duke ia lënë duart e lira pushtuesit serb, që të luaj me fatin e tyre. “ Nuk do t’i japim llogari askujt, sepse askush në Evropë nuk kërkon llogari për shfarosjen e tyre”. “ Këta tashmë kanë vetëm dy rrugë: Të ikin në Turqi e në Shqipëri ose të asimilohen përmes shkollave që kemi hapur dhe ndalimit rigoroz të mësimit të gjuhës së tyre në shkollë, por edhe në vende publike”.
Betimi i Motrës- Ka temë qendrore hakmarrjen e motrës për vëllezërit e vrarë nga xhandarmëria serbe e në bashkëpunim me bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, shpirtshitur.
Në libër kryesisht trajtohet historia tragjike e një familje, e nxjerrë nga historia tragjike e një populli, të shtypur e të robëruar nga një pushtues shekullorë barbarë, i cili nuk ka lënë metodë pa përdorur për ta zhbërë dhe zhdukur një popull të tërë. Që nga vrasjet, dhunimet e maltretimet e deri te asimilimet e deportimet në masë nga vatrat e tyre për në Turqi dhe vende të tjera.
Fillet e zhvillimit të kësaj ngjarjeje e kanë zanafillën te vrasja e një serbi, i cili në tentim për ta dhunuar të ëmën e Zanës, vritet nga fqinji i tyre (Januz Muhaxhiri). Ndërsa, akuzat bien mbi vëllezërit e saj, edhe pse kishin alibi për mos praninë e tyre në fshat, në ditën kur ishte kryer vrasja.
Vëllezërit e Zanës edhe pse ishin të pafajshëm, arrestohen nga xhandarmëria serbe të yshtur edhe nga bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, dhe gjatë rrugës për në stacionin e xhandarmërisë serbe, vriten gjoja për tentim arratisjeje. Zana e mbushur me vrerë dhe helm nga vrasja e vëllezërve, vazhdon të jetojë vetëm me një qëllim, të kryente hakmarrjen. “ E lindur dhe e rritur në një familje njërën pjesë të së cilës e kishte shfarosur regjimi serb, ndërsa pjesën tjetër dhuna sistematike deri në shfarosje, nga rrethanat që lidheshin po me atë regjim”
Në një vjetorin e vrasjes ajo betohet para varrit të tyre se do te hakmerrej. “ Mos më tretë dheu i kësaj toke po nuk mora hak!”
E frymëzuar edhe nga trimëria e heroinës sonë, Shotë Galicës dhe sa e sa trimëreshave të tjera, dhe duke e mbajtur në shpirt dhe zemër imazhin e saj, Zana vendos ta kryejë hakmarrjen për vëllezërit, duke vrarë njërin nga bashkëpunëtoret e xhandarmërisë serbe dhe duke plagosur rëndë tjetrin, ( Idriz e Brahim Cungu),si dhe betohet se do ta vras edhe bashkëshortin e saj ( Lilë Bagrën), për shkak se e kishte mashtruar dhe nuk e kishte mbajtur premtimin, për tu hakmarrë për vëllezërit e saj.
Zana arrestohet nga xhandarmëria serbe dhe në gjykimin që i bëhet nga Gjykata serbe në Prishtinë, në dhjetor 1925, dënohet për katër vepra të kryera, tri vrasje dhe një tentim vrasje, dy nga të cilat i pranon. Për vuajtjen e dënimit Zana dërgohet në burgun e Nishit. Ku edhe përkundër gjendjes së rëndë në kazamatet serbe, Zana gjen ngushëllim me faktin se është hakmarrë për vëllezërit e vrarë padrejtësisht, nga pushtuesit serb dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë. Sepse, në të kundërtën kjo brengë do ta kishte përcjellë gjatë tërë jetës.
Pas disa vitesh në vuajtje të dënimit, drejtori i burgut ia komenton lajmin për heqjen e fajësisë për dy dënime, në mungesë provash, ndërsa dënimi i zbritet në 12 vite. Mirëpo nuk kalojnë shumë muaj nga marrja e këtij lajmi dhe Zana gjindes sërish në bankën e të akuzuarës. Kësaj radhe ajo gjykohet për një vrasje tjetër. Vrasjen e një gardiani që tenton ta dhunojë, në një nga kthinat e larjes dhe hekurosjes së rrobave, në burgun e Nishit.
Por, keqësimi i gjendjes shëndetësore të saj, bën që autoritete ta dërgojnë në një spital të burgut të Beogradit, ku edhe përfundon historia e saj në burgjet serbe. Përveç karakteristikave të tjera, të cilat ia atribuon femrës shqiptare, si të: guximit, trimërisë, krenarisë, sakrificës, vetëmohimit, autori një theks të veçantë e vë edhe në përshkrimin e tipareve dhe bukurisë fizike dhe shpirtërore të tyre. Por edhe këto tipare si shumë të tjera të tyre, nuk mbeten të pa vrenjtura në sytë e pushtuesit. “ Shikoje çfarë race, të lutem, thotë Aleksiq dhe shton, shikoje çfarë shtati të hedhur dhe tipare të femrës Amazonë…” “Nuk di ekselencë sa e njihni terrenin por shumica e femrave të kësaj ane janë malësore dhe shtathedhura kështu si kjo” .
Ashtu si nuk mbetet i pa vërejtur edhe morali i lartë i tyre, dhe sakrifica e tyre deri në vetëflijim për ta mbrojtur nderin e tyre. Sa e sa balada e legjenda janë shkruar deri më sot të cilat pasqyrojnë këtë fenomen të femrës shqiptare.
Edhe Zana, e vetëdijshme për pasojat që mund të kishte, në mbrojtje të nderit të saj e vret gardianin e burgut. Por, edhe përkundër ndjeshmërisë së lartë që e karakterizon, edhe përkundër brishtësisë së saj, të shkaktuar nga vuajtjet dhe mundimet nën peshën e robërisë, edhe përkundër dashurisë së madhe në raport me familjen, me rrethin dhe farefisin, në përballje me armikun ajo shndërrohet, në tjetër njeri. Shndërrohet në një luaneshë, që po të kishte mundësi dhe fuqi, do ta zhbënte atë nga faqja e dheut. E tillë na paraqitet edhe si personazhe kryesore e këtij libri : mospërfillëse, e pandjeshme, e pa fjalë dhe zemër gurë. “ e tërhiqte sidomos kryenqësia e saj e lindur për të mos komunikuar me armikun”. “ Ju thashë ekselencë, se është e egër dhe e pandjeshme. Kjo nuk qanë edhe trupin t’ia bësh copa-copa”
Ato iu vinin zemrave të tyre gurë në përballje me armikun, shtati i tyre i brishtë derdhej në bronz dhe të ngjasonte me lapidarët, ndërsa lotët iu ishin tharë nga vuajtja dhe pesha e rëndë e robërisë. “ Ua kemi prerë para syve burrat dhe djemtë dhe këto gra nuk nxjerrin zë nga goja, nuk qajnë as nuk lemerisin para të huajve. Kjo është shenjë e një urrejtje patologjike kundër nesh”. Duke ruajtur me fanatizëm, gjuhën, kulturën, doket dhe zakonet tona kombëtare, ato arritën tu bëjnë ballë shekujve të errët të robërisë dhe të ruajnë identitetin tonë kombëtarë nga zhdukja dhe asimilimi i pushtuesve.
“ Këto janë më kokë forta se burrat e tyre. Madje është një dukuri tjetër interesante. Në mesin e burrave mund të gjesh sa të duash denoncues, por në mesin e grave të tyre nuk mund të gjesh as edhe një për be”.
Edhe historia e gardianit Mitar Bashiq, gjyshit të rrëfyesit të ngjarjes është po ashtu një dramë më vete. Edhe pse e dinte prejardhje të tij shqiptare, ai detyrohet ta mbajë të fshehur atë për shkak të rrethanave historike dhe raporteve që kishin mes vete dy popuj, pjesë e të cilëve ishte tanimë ai.
Origjina e tij shqiptare, por edhe edukata dhe kultura qe kishte marrë e bënin atë njeri me tiparet më njerëzore, një liberal i rrallë i kohës. Ai kishte shpirt njeriu, pavarësisht fesë, racës, apo kombësisë që i përkiste. “ Mëshira e një njeriu të mirë i kishte dhënë kuptim jetës, në kushte dhe rrethana kur ajo nuk priste asgjë tjetër, përveç tretjes graduale dhe vdekjes”.
Dhe këto tipare të tij, të cilat e karakterizonin, bënë që Zana e ndihmuar nga ai, ta braktiste spitalin e burgut ku qëndronte, ta kalonin kufirin bashkë me të dhe të vendoseshin në Hungari, ku edhe krijuan familje.
“Ajo e kishte kuptuar se gardiani Bashiq e shikonte nga mëshira që kishte për të, për gjendjen ku ajo ishte katandisur, por edhe për bukurinë e saj të fishkur e të tretur” Historia e Zanës ishte përjetësuar, në vargjet e këngëve të rapsodëve tanë popullorë, i këndohej shëmbëlltyrës së saj: për guximin dhe përkushtimin për hakmarrjen e vëllezërve të vrarë, sipas zakoneve kanunore të popullit tonë. Për vrasjen e gardianit që kishte tentuar ta dhunonte. Për qëndresën e saj para dhe gjatë burgut. Por nuk zbulonin fatin e saj të mëtejmë?
Romani, Betimi i motrës, është rrëfim letrar i një ndodhie reale, por autori me imagjinatën e tij krijuese rrëfimin dokumentar e ka pasuruar me të gjitha mundësitë që i ka në dispozicion kundrimi artistik i realitetit faktik, në kushte dhe rrethana të caktuara historike.
Ky roman trajton fatin tragjik të femrës shqiptare, në të kaluarën, fatin e keq të femrës më të keqtrajtuar nga të gjitha femrat e botës, të keqtrajtuar nga kanuni, nga feja, nga egërsia e trashëguar mashkullore.
Zana, vetëm me emër na përkujton imazhin e imagjinatës popullore për Zanën e Maleve, që merr në mbrojtje dhe i ruan të dobëtit, i ruan të rrezikuarit, sepse ajo është Ora e Maleve. Por Zana reale, Zana Murati, e këtij romani, merr hakun për vëllezërit, të vrarë pa faj dhe pabesisht. Ajo është Zana hakmarrëse si motra Hajrie e Musës dhe Halilit, si Maro Terbaçja, si Nora e Kelmendit, si Zelfije Haklaj, si Sanie Kaçkini e të tjera. Është Zana e kohës sonë, që me jetën e saj të trishtueshme ka lënë një shembull unik në rrëfimet e kohës…
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …