Fetnetja vërtet ishte një heroinë e Kosovës. Ajo ishte jo vetëm një Heroinë, por edhe një diplomate e vërtetë, një diplomate e një niveli të lartë, e cila do të mund ta përfaqësonte Kosovën në çdo shtet dhe vend të botës. Do të mund të mbronte interesat e Kosovës më mirë se çdo kush tjetër, më mirë se të gjithë ata diplomatë të mjerë që s janë në gjendje ta përfaqësojnë as vetën e tyre, e lëre më interesat e shtetit dhe të kombit, sepse shumë prej tyre janë miq e mikesha të pushtetarëve dhe shkollën e diplomacisë e kanë kryer nëpër kabinetet e tyre dhe diplomat i kanë blerë me para.
Fetnetja do të mund ta përfaqësonte Kosovën brenda dhe jashtë, sepse kishte përgatitjen profesionale, morale dhe kombëtare. Por asaj nuk iu dha kjo mundësi , edhe pse qysh në moshë të mitur hapëroi rrugëve të Kosovës me literaturë ilegale dhe me fletushka në krah. Edhe pse në ditët më të vështira i doli zot atdheut me pushkën dhe zërin e saj. Edhe pse me penën e saj i mblodhi eshtrat e të vrarëve anë e kënd Kosovës, dhe botës ia hodhi para këmbëve gjenocidin serbo barbar.
Edhe pas gjithë këtyre sakrificave nuk pati një punë për TË, nuk pati një pagë për familjen e saj nga shteti i Kosovës.
Turp për këta pushtetarë, që vetëm pas vdekjes së saj na u kujtuakan ta quajnë Heroinë të Kosovës, atdhetare të shquar të çështjes Kombëtare, luftëtare të denjë të Lirisë etj.etj.
Pra u dashkan të vdesin Fetnetja dhe rangu i shoqeve të saj, që pushtetarëve tanë të ju bie ndërmend se ato na qenkan Heroina të Kosovës. Ndërsa postet dhe privilegjet u takuakan vetëm grave, dashnoreve dhe mikeshave të tyre, por jo Fetnetës dhe shoqeve të saj, të cilat sakrifikuan tërë jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Historia le t’i mallkojë, turpi le t’i mbulojë, zoti le t’i dënojë, të gjithë ata që mbi djersën, mundin e gjakun e Fetnetës e të tjerëve, pushtetin dhe pasurinë e tyre e ndërtojnë.