Vajza e Dritëro Agollit, Elona Agolli ka reaguar në lidhje me debatin publik mbi veprën dhe rolin e shkrimtarit të njohur gjatë viteve të komunizmit. Elona Agolli publikon një pjesë nga vepra e Dritëroit “Teshtimat e lirisë”, ku ai shkruan për keqtrajtimin e poetëve e shkrimtarëve në vitet e diktaturës. Në këtë pjesë, shkrimtari tregon ndërhyrjet e tij dhe kritikat ndaj ndalimeve dhe persekutimeve të artistëve.
Postimi i Elona Agollit:
“Fragment nga libri i Dritëro Agollit “Teshtimat e lirisë”, fq 861, 862: “Në hetuesi poetin Visar Zhiti e kanë pyetur: ç’lidhje dhe ç’ke të bësh me Dritëro Agollin dhe ç’ke biseduar me të?”, pasi unë ndërhyra në prokurori për të dhe nuk e ndihmova dot. Në komitetin e partisë së Lushnjës kam ndërhyrë për Faslli Halitin e Bujar Xhaferrin.
Në komitetin e partisë të Tiranës, Ersekës, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës, Librazhdit, Kukësit dhe në KQ të Partisë dhe në atë të Rinisë, unë kam protestuar për sjelljen e keqe ndaj Bujar Lakos, Sadik Bejkos, Bujar Kapexhiut, Dhori Qiriazit, Valter Files ,Skënder Rusit, Preç Zogajt, Rudolf Markut, Dodë Kaçajt, Koçi Petritit, Lazër Stanit, Jorgo Bllacit e të tjerëve, pa numëruar ata letrarë të shumtë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë të ndihmuar për të ndjekur studimet e larta, me mesatare dhe pa mesatare, me biografi të mirë apo me cene në biografi.
Në një darkë të gjerë në Fier, me zë të lartë i kam thënë Pali Miskës, atëherë sekretar i parë i komitetit të partisë së rrethit dhe anëtar i Byrosë Politike: “Ju e përdorni shkrimtarin e talentuar Pëllumb Kulla si argat dhe ne do të bëjmë çmos për t’ua marrë nga Fieri!”. Atje ishte prezent e gjithë trupa e teatrit të qytetit. Për ndalimin e veprave të Xh. Spahiut, K. Kostës, M. Ahmetit kam shkuar ne KQ të Partisë për t’u ankuar. Po kështu dhe për keqtrajtimin e Mehmet Myftiut dhe Vehbi Skënderit.
E kam mbrojtur dhe e kam nxitur për ta botuar romanin “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë, që ishte bllokuar për disa vjet, para Foto Çamit, sekretar i KQ, duke i kundërshtuar ata që ishin kundër botimit në prezencë të autorit. Ndërgjegjen e kam të pastër…”.