Elton Gëzim Zherka (19.8.1977 - 10.8.1998)

Elton Gëzim Zherka (19.8.1977 – 10.8.1998)

Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkuan edhe shumë bijë e bija të Gjakovës. Ky qytet ka dhënë numër të madh të luftëtarëve, shumë prej të cilëve kanë rënë dëshmorë të kombit. Luftëtarët dhe dëshmorët e këtij qyteti ishin pjesëtarë të UÇK-së me moshën më të re, në mesin e luftëtarëve të lirisë përgjithësisht.

Në Gjakovën e heriozmit tradicional shqiptar, më 19 gusht të vitit 1977, lindi Elton Zherka. Prindërit e tij, Gëzimi dhe Elida me përkushtim të madh prindëror rritën dhe edukuan Eltonin, i cili me kohë do të bëhet kundërshtar i vendosur i kolonializmit serb. Përveç Eltonit, ata rritën edhe dy fëmijët e tjerë, Ermirën dhe Astritin. Për shkak të veprimtarisë së tij politike anti kolonializmit serb, edhe i ati i Eltonit, Gëzimi, ishte dënuar me 12 vjet burg politik nga regjimi serb.
Dëshmori Elton Zherka mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, Gjakovë. Po në vendlindje kreu edhe gjimnazin. Gjatë kohës sa ishte nxënës i shkollës së mesme, merret edhe me aktivitete të lira e sidomos shquhet si sportist i dalluar. Bën ushtrime të ndryshme trupore dhe në shumë disiplina sportive arrin rezultate të shkëlqyeshme. Kishte konstruksion trupor atleti.
Entuziast në jetë dhe i shëndetshëm, Eltoni i ri po përgatitej fizikisht për t’u ballafaquar me pushtuesin serb. Si nxënës i shkollës së mesme merr pjesë në demonstratat protestuese, të organizuara nga rinia militante në qytetin e Gjakovës, kundër dhunës dhe represionit serb në mbarë Kosovën. Ai kishte një rreth stabil të shokëve, siç ishin Permeti, Stiliani, Beni, Leka e të tjerë.
Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Në nëntor të vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë publikisht në skenën e luftës, Eltoni me dhjetëra trima të tjerë u bashkohet radhëve të kësaj ushtrie. Më 18 prill të vitit 1998, ai dhe dymbëdhjetë të rinj gjakovarë nisen për në Junik, ku mobilizohen në radhët e UÇK-së. Eltoni sistemohet në njësitin sulmues “Komando” që vepronte në Junik të Zonës Operative të Dukagjinit. Së bashku me luftëtarin Permet Vula dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, nën komandën e eprorit të mirënjohur Bekim Berisha – Abeja, merr pjesë në luftimet që u zhvilluan në Junik, kundër forcave okupatore serbe.
Më 9 gusht të vitit 1998, në vijën e frontit të luftimeve në Junuk u zhvilluan luftime të ashpra e të pandërprera. Në këto luftime u shqua edhe Eltoni. Dy ditë më parë, në këtë vijë fronti bie në altarin e lirisë dëshmori Bashkim Leku, nga fshati Baicë i komunës së Drenasit.
Më 10 gusht të vitit 1998, herët në mëngjes, forcat serbe ndërmarrin ofensivë të ashpër kundër istikameve të UÇK-së. ato, së pari granatojnë nga largësia pozicionet e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Trimat e lirisë i kundërpërgjigjen sulmit me të gjitha llojet e armëve në dispozicion, me ç’rast shkatërrojnë tri tanke të armikut. Në këto luftime shquhen luftëtarët Bedri Shala nga Gjergjica e Drenasit, Elton Zherka, Permet Vula, Stilianin e luftëtarë të tjerë të paepur të lirisë. Duke parë ashpërsinë e rezistencës së trimave të UÇK-së, forcat serbe lëshojnë pozicionin dhe braktisin tankun e tyre. Në mesditë, Bedri Shala kishte vendosur ta marrë këtë tank, me të cilin do të mësynte pozicionet serbe. Në këtë moment, forcat serbe marrin në shenjë dhe e plagosin për vdekje Bedriun. Në përpjekje për t’i shkuar në ndihmë Bedriut të mbetur në rrethim, në altarin e lirisë bien trimërisht, komandanti militant Bekim Berisha, Elton Zherka, Bedri Shala dhe Permet Vula, kurse plagoset Stilian Hoda.
Trupin e dëshmorit Elton Zherka e të tre dëshmorëve të tjerë, Bekimit, Bedriut e Permetit, bashkëluftëtarët e tyre i varrosim me nderime në Junik, zonë që ishte nën kontrollin e Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në përvjetorin e parë të rënies, trupi i dëshmorit Elton Zherka rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë, ku prehet në amshueshmëri, në mesin e dhjetëra dëshmorëve të kombit.
Vepërn dhe heroizmin e Eltonit e kanë nderuar me mirënjohje organizata e Veteranëve të Luftës dhe e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Trupat e Mbrojtjes të Kosovës e të tjera.
Si shenja përkujtuese për figurën dhe veprën e tij janë edhe gjërat personale të cilat i ruan familja Zherka, si, relike lufte, jeleku antiplumb, pjesë të uniformës ushtarake etj. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …