Kryetari i komunës së Junikut Ruzhdi Shehu, tanimë i ka emëruar drejtorët e drejtorive në Komunën e Junikut, ku rreth 43% e drejtorive përbëhen nga gratë, sikurse që është premtuar gjatë fushatës zgjedhore. Duhet cekur po ashtu se shumica e drejtorëve apo rreth 62.5% duke përfshirë edhe Nënkryetarin e Komunës, janë nën moshën tridhjetë 30 vjeçare. Në këtë mënyrë, sikurse që është premtuar gjatë fushatës zgjedhore Komuna e Junikut do të udhëhiqet nga të rinjtë dhe nga gratë e Junikut. Përtej këtij fakti, të gjithë drejtorët e drejtorive kanë përgatitje të lartë shkollore dhe kualifikimet e nevojshme për pozitën që do ta ushtrojnë. Kryetari Shehu me këtë rast ka konfirmuar që sinonimet e përbashkëta për të gjithë anëtarët e kabinetit të Komunës së Junikut janë profesionalizmi i tyre, ndershmëria, integriteti dhe llogaridhënia para qytetarëve të Junikut. Nënkryetari i komunës dhe drejtorët e drejtorive, për këtë mandatin katër 4 vjeçar të koalicionit qeverisës në Komunën e Junikut, është si në vijim:
– Z. Besart Tofaj – Nënkryetar i Komunës së Junikut;
– Znj. Leonora Shehu – Drejtoria për Administratë të Përgjithshme;
– Znj. Vjollca Qestaj – Drejtoria për Buxhet dhe Financa;
– Znj. Gentiana Tofaj – Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim;
– Z. Zenun Shala – Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Mjedis;
– Z. Xhavit Velijaj – Drejtoria për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport;
– Z. Fatos Shala – Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale;
– Z. Demokrat Ganijaj – Drejtoria për Shërbime Publike, Inspeksion, Mbrojtje dhe Shpëtim.
Po ashtu, duhet cekur se z. Arton Gaxherri është emëruar në pozitën “zyrtar për marrëdhënie me publikun” në Komunën e Junikut. Kjo përbërje si e tillë është prezantuar nga Kryetari Shehu edhe para Kuvendit Komunal të Junikut me datë 28.01.2022. Kryetari Shehu ka konfirmuar se për secilin nga drejtorët e drejtorive, do të bëhet vlerësimi i performancës vjetore të punës. Në këtë mënyrë, secili drejtor do të mbahet përgjegjës për punën e vet. Përtej këtij fakti, ai është shprehur i bindur se përmes bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, do të zbatohet programi qeverisës për të mirën e të gjithë qytetarëve të Junikut pa dallim.